Kronike15 Prill 2022, 18:09

Morën peng të riun dhe e liruan pasi përmendi Nehat Kullën, policia arreston dy persona në Tiranë

Shkruar nga Pamfleti
Morën peng të riun dhe e liruan pasi përmendi Nehat Kullën,

Policia e Tiranës ka arrestuar dy persona, pasi dyshohet se morën peng dhe dhunuan një 31-vjeçar. Sipas policisë në  kuadër të operacionit policor të koduar “Hostage” u arrestua në flagrancë shtetasja Denalda Çezma dhe Shkëlqim Koçeku, gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi Sulltan Piraci. Ngjarja ka ndodhur më 4 prill në zonën e Kasharit.

“Nga veprimet hetimore të kryera, ka rezultuar se shtetasi S. P., në bashkëpunim me shtetasin Sh. K. dhe shtetasen D. Ç., kanë marrë peng dhe më pas e kanë dhunuar fizikisht në banesën e shtetases D. Ç., shtetasin E. S., 31 vjeç, për shkak të një borxhi. Gjatë veprimeve hetimore ka rezultuar se shtetasi Sh. K., kishte shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme”, tha policia.

Sipas informacioneve, i riu marrë peng është liruar pasi ka përmendur emrin e Nehat Kullës, një emër i njohur në Tiranën, por që ndërroi jetë pak kohë më parë. Ai ka pretenduar se është i afërm i tij dhe pasi kanë dëgjuar emrin, të rinjtë e kanë liruar.

Kronike Nehat Kulla policia