Bota20 Tetor 2022, 00:38

Mori 20 shishe vodka dhuratë nga Putini, KE "shuplakë" Berlusconit: Ka shkelur sanksionet ndaj Rusisë!

Shkruar nga Pamfleti

Bashkimi Evropian e konsideron rrëfimin e ish-kryeministrit italian Silvio Berlusconi, se ka marrë 20 shishe vodka dhuratë nga presidenti rus Vladimir Putin, shkelje të sanksionve.

Për mediet, zëdhënësi i KE-së deklaroi se në paketën e 5 të masave të ndërmarra nga Bashkimi Evropian kundrejt Rusisë, në formë ndëshkimi për nisjen e një sulmi ushtarak të paprovokuar, ndalohet importi i mallrave ruse, përfshirë edhe dhuratat. Kështu, Berlusconi me veprimet e tij ka shkelur këto sanksione.

“Paketa e pestë e sanksioneve, e rënë dakord në prill 2022, zgjati ndalimin e importit të mallrave nga Rusia në alkool, përfshirë vodkën. Nuk ka asnjë përjashtim për dhuratat. Edhe një herë ju kujtojmë se shtetet anëtare janë përgjegjëse për zbatimin e sanksioneve të BE-së. Komisioni Evropian nuk vlerëson rastet individuale të aplikimit të sanksioneve”, saktëson zëdhënësi i KE-së.

Vlen të theksohet se, në një audio-regjistrim të publikuar më herët, Berlusconi dëgjohej t’iu rrëfente përfaqësuesve të Forza Italia në parlament mbi raportet e mira që kishte me udhëheqësin rus Vladimir Putin.

“Jam rilidhur me presidentin Putin – pak, shumë”, dëgjohej të përsëriste 3 herë ish-kryeministri. “Ai më dërgoi 20 shishe vodka dhe një letër vërtet të ëmbël për ditëlindjen time. Unë u përgjigja me 20 shishe Lambrusco [një verë e kuqe e gazuar italiane] dhe një letër po aq të ëmbël.

Berluskoni vazhdoi të përshkruante liderin rus si një “njeri i paqes” që është keqkuptuar nga Perëndimi, ndërsa nuk i kurseu kritikat ndaj SHBA dhe BE-së duke thënë se problemi i tyre është se nuk kanë lidera.

Cili është një rrezik tjetër, një tjetër rrezik që kemi të gjithë: sot, për fat të keq, në botën perëndimore nuk ka liderë, nuk ka në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Unë nuk ju them gjërat që di, por nuk ka liderë të vërtetë. A mund t’ju bëj të buzëqeshni? I vetmi lider i vërtetë jam unë …“- u shpreh Berlusconi, ndërsa me guximin që i vjen natyrshëm shtoi se mes “pesë miqve të vërtetë të Putinit, unë jam numri një.”

Bota #lufta në Ukrainë Berlusconi KE Rusi sanksione