
Rusia thirrje Ukrainës: Tërhiqni armët e rënda nga termocentrali bërthamor i Zaporizhzhia
Moska hodhi poshtë deklaratën e Presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, për krimet e luftës së Rusisë në territoret e çliruara në verilindje të Ukrainës. Përmes një deklarate për shtyp, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov pretendon se ky është “i njëjti skenar” i përdorur nga Perëndimi, sikurse në periferi të kryeqytetit, Bucha.
“Ky është i njëjti skenar si në Bucha. Është e gjitha një gënjeshtër, dhe ne sigurisht që do ta mbrojmë të vërtetën në gjithë këtë histori”- tha Peskov.
Pas tërheqjes së Rusisë nga rajoni i Kharkiv, një varr masiv i njerëzve u gjet në territorin e Iziumit javën e kaluar, shkruan CNN.
Ministria e Mbrojtes së Ukrainës tha se të paktën 440 varre masive janë gjetur në qytet ditët e fundit. Sipas autoriteteve ukrainase, në disa nga trupat e gjetur në Izium, kishte shenja torture.
Zelensky e quajti zbulimin “mizori dhe terrorizëm”. “Bucha, Mariupol dhe tani, për fat të keq, Izium. Rusia e lë vdekje kudo”, tha Zelensky duke theksuar se Rusia do të mbajë përgjegjësi.
Po ashtu, të shumta kanë qenë akuzat për mizoritë e kryera kundër civilëve që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt. Më herët, në Bucha të Ukrainës, hetuesit dhe gazetarët zbuluan masakrat e lëna pas nga forcat ruse pas tërheqjes së tyre. Rusia hodhi poshtë akuzat për vrasjet e civilëve, duke i konsideruar një provokim të organizuar.