Bota 4 Shkurt 2023, 11:12

Moska kërcënon Ukrainën dhe Perëndimin: Nëse sulmoni rajonet e aneksuara, do përdorim armë bërthamore

Shkruar nga Pamfleti
Moska kërcënon Ukrainën dhe Perëndimin: Nëse sulmoni

Rusia i është rikthyer retorikës së luftës bërthamore. Ndonëse Putini ka qenë i tërhequr, ai që është gjithmonë në sulm është zëvendëskryetari i Këshillit të Sigurimit rus Dmitry Medvedev.

Në një intervistë ai ka kërcënuar se përgjigja e Moskës ndaj sulmeve të Kievit në Krime ose çdo rajon tjetër të aneksuar, do të sjellë një reagim të ashpër.

Përgjigja jonë mund të jetë e çdo lloji”, tha ai. Medvedev shpjegoi se Rusia nuk vendos kufizime për veten dhe, në varësi të natyrës së kërcënimeve, mund të përdorë të gjitha llojet e armëve. Ai e ka bërë të qartë se nëse preken rajonet e aneksuara do të përdoren armë bërthamore. “Do të përdoren armë bërthamore ose armë të tjera të shkatërrimit në masë nëse ka informacion të verifikuar për lëshimin e raketave balistike për të sulmuar Rusinë ose aleatët e saj”, tha ai.

Sipas doktrinës bërthamore ruse, Rusia mund të përdorë armë bërthamore nëse përdoren armë bërthamore ose lloje të tjera të armëve të shkatërrimit në masë kundër Rusisë ose aleatëve të saj. Apo  nëse merr informacion të verifikuar për nisjen e raketave balistike drejt Rusisë ose aleatëve të saj.

Më tej ai ka folur dhe për dërgimin e  tankeve në Ukrainë, ku ka thënë se kjo gjë do të djegë të gjithë Ukrainën. “Ne nuk vendosim kufij, Ukraina do të digjet nëse vendet perëndimore vazhdojnë të dërgojnë armë“, shtoi ai.

Perëndimi po furnizon Ukrainë me tanke dhe raketa me rreze të gjatë veprimit. Kievi ka deklaruar se do të ndërmarrë operacione për të çliruar zonat e aneksuara nga Rusia. Por duket se sot ka ardhur një mesazh shumë i fortë nga Moska, e cila sa herë ndodhet në vështirësi përdor retorikën bërthamore.

Bota #Ukriana arme berthamore Lufta Rusia