Aktualitet26 Janar 2023, 10:39

Moska presion Presidentit Vuçiç përmes akademikëve: Mos firmos, po të vendosën sanksione, ndihmojmë ne!

Shkruar nga Pamfleti
Moska presion Presidentit Vuçiç përmes akademikëve: Mos

Moska presion Presidentit Vuçiç përmes akademikëve: Mos firmos, po të vendosën sanksione, ndihmojmë ne!

Moska po përdor fort lidhjet e saj në Serbi, që i financon prej vitesh për të ndikuar opinionin publik me fabulën se Perëndimi nuk ka ç’i bën Serbisë…

Ndërsa në Beograd dhe Prishtinë ka një frenezi diplomatike të negociatorëve amerikanë dhe europianë për të arritur një akord në lidhje me planin franko-gjerman, qarqet më kundërshtare të këtij plani në Serbi janë pikërisht nga ajo që quhet “elita e vendit”.

Bëhet fjalë për hierarkët e kishës serbe dhe akademikët, të cilët po tregohen shumë aktivë për t’i bërë presion Aleksandër Vuçiçit që të mos e pranojë marrëveshjen e Perëndimit.

Ndërkaq, Moska po përdor fort lidhjet e saj në Serbi, që i financon prej vitesh për të ndikuar opinionin publik me fabulën se Perëndimi nuk ka ç’i bën Serbisë.

Sipas tyre, maksimumi do të ketë sanksione ekonomike, për të cilat Beogradi do të ketë Moskën në krah.

Pas publikimit të një pamfleti të krerëve të Kishës Ortodokse, sot ka dalë një nga akademiket e njohura ruse që drejton një nga qendrat më të rëndësishme studimore në vend, e cila financohet direkt nga Moska.

Jelena Guskova, drejtuese e Institutit të Studimeve Sllave të Akademisë së Shkencave Ruse, me qendër në Beograd, i bën thirrje opinionit serb që të mos e pranojnë një tërheqje karshi Perëndimit.

Ajo ka dhënë një intervistë për gazetën nacionaliste serbe, ‘Veçernije Novosti’, ku thotë se Aleksandar Vuçiç është në një pozitë më të favorshme se Millosheviçi në vitin 1999.

“Besoj se Vuçiç nuk do ta nënshkruajë ultimatumin dhe Rusia do ta ndihmojë Serbinë të përballojë pasojat”, thekson Guslova për ‘Novosti’.

Sipas saj Beogradi përgjatë viteve ka bërë lëshime. Si rezultat i hapave të tillë, Serbia sot ka shumë pak mundësi për ta zgjidhur atë problem; së pari, në mënyrë paqësore dhe së dyti, në interes të serbëve që jetojnë në Kosovë. Serbia vetë nuk ndërmerr asnjë hap intensiv, edhe pse e vë ushtrinë në gatishmëri – nuk mund ta përdorë, sepse trupat serbe nuk mund të kalojnë kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Guslova, shton se qeveria serbe e ka kuptuar se në kushtet aktuale nuk është më e mundur të devijohet. Sidomos në kushtet kur Evropa po e detyron Beogradin të njohë de fakto pavarësinë e Kosovës dhe t’i bashkohet sanksioneve antiruse.

“Që nga viti 2008, shqiptarët kanë qenë të paduruar për të fituar pavarësinë. Aspirata e tyre kryesore është të kenë një vend në OKB, dhe pastaj gradualisht t’i bashkohen organizatave të tjera ndërkombëtare – BE-së dhe shumë të tjerave. Serbia nuk mund ta pranojë këtë dhe në këtë drejtim Moska e mbështet Beogradin në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Situata është e komplikuar, sepse vetëm vitin e kaluar, pas shumë vitesh lëshime, Serbia e kuptoi se këto lëshime nuk janë të pafundme. Ju nuk duhet të dorëzoheni, duke humbur vendin tuaj, pavarësinë tuaj e nuk merrni asgjë në këmbim. Edhe atë që është miratuar në veçanti në Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, shqiptarët nuk e përmbushin dhe nuk duan ta përmbushin dhe flasin hapur për të. Dhe Evropa e detyron Serbinë fshehurazi të bëjë lëshime të mëtejshme, duke njohur  pavarësinë e Kosovës”.

Akademikja ruse, sjell ndërkohë mesazhin e Moskës, në një moment kur kontaktet politike direkte duket se janë ndërprerë, pas ndalimit të vizitës në Beograd të shefit të diplomacisë ruse, Sergej Lavrov para pak kohësh.

Jelena Guskova thekson më tej për Novostin se “Plani aktual franko-gjerman nënkupton trukun: Serbia nuk ka pse të thotë apo të nënshkruajë askund fjalën “pavarësi” në lidhje me Kosovën, por duhet të mbyllë një sy për faktin se Kosova do të marrë vendin e saj në OKB, në BE dhe më pas në NATO. Dhe kjo, natyrisht, nuk u përshtatet serbëve”.

Në të njëjtën kohë, siç theksoi ajo, ultimatumi i BE-së me të cilin ballafaqohet Aleksandar Vuçiç, si dhe qëndrimi jashtëzakonisht i ashpër i “Pesëshes së Madhe”, kërkojnë hapa vendimtarë nga lideri serb. Mundësitë për manovrim të mëtejshëm politik po zvogëlohen me shpejtësi, sepse publiku reagon jashtëzakonisht ashpër ndaj mundësisë së dorëzimit të Kosovës.

“Vuçiç heziton gjatë gjithë kohës: në fjalimet e tij në muajt e fundit, ai vazhdon të thotë se vendit i është dhënë një ultimatum dhe se çështja duhet të zgjidhet, por më pas në vend fillojnë protestat dhe ai deklaron se nuk do ta bëjë kurrë. Mendoj se Evropa, duke kërcënuar sot Serbinë me vendosjen e sanksioneve, të cilat ishin shumë të ashpra nga viti 1992 deri në vitin 1996, shpreson se kjo do ta detyrojë Vuçiqin të pranojë kushtet franko-gjermane.

Sot nuk është më e mundur të “manovrohet”, sepse i gjithë vendi tashmë e di tekstin e asaj marrëveshje – dhe teksti, natyrisht, është poshtërues për Serbinë”, thotë drejtoresha i Qendrës për Studimin e Krizës Bashkëkohore Ballkanike.

Sipas saj, faktorë të rëndësishëm që mund të ndikojnë në politikën e Qeverisë së Serbisë mund të jenë mosbesimi në premtimet e Bashkimit Evropian, i cili u intensifikua pas zbulimeve të Angela Merkel dhe Francois Hollande lidhur me marrëveshjet e Minskut, si dhe përkrahja e Moskës për Beogradin.

“Natyrisht, refuzimi për të përmbushur ultimatumin franko-gjerman do të çojë në vendosjen e sanksioneve ekonomike ndaj Serbisë, por vështirë të pritet skenar më i mirë me vendosjen e bllokadës në territorin serb dhe ndërhyrjen ushtarake të NATO-s.

 Vuçiç vetëm pak kohë më parë filloi të flasë për mosbesim në Evropë. Ai ka besuar për një kohë të gjatë se qëllimi kryesor i Serbisë është Bashkimi Evropian dhe se serbët do të bëjnë gjithçka për t’u anëtarësuar në BE. Por sot, kur vetë e ardhmja e Bashkimit Evropian vihet në pikëpyetje – dhe me shumë gjasa kjo organizatë nuk do të ekzistojë pas disa vitesh – sigurisht që duhet ruajtur uniteti i vendit, uniteti i territorit. Kjo është jashtëzakonisht e vështirë për t’u arritur tani”, deklaron e dërguara “akademike” e Putinit. E cila sjell planin e Moskës: Nuk do të ketë ndërhyrje ushtarake të NATO-s, por vetëm sanksione, e në këtë rast Rusia do të ndihmojë Serbinë.

“Vuçiç sot ka marrë ultimatum. Duhet thënë se Millosheviçi, edhe pse ishte kokëfortë, kur rrethanat u zhvilluan në atë mënyrë që ai humbi shumë duke shpërbërë Jugosllavinë dhe duke bombarduar në vitin 1999, ai në fakt kapitulloi. Dhe me ndihmën e Rusisë se Jelcinit. Natyrisht, na vjen turp për ato vite dhe duhet të sigurohemi që politika jonë sot të jetë në interes të serbëve dhe rusëve.

Nuk do të ketë bllokadë të Serbisë dhe futje të trupave të NATO-s – kjo është praktikisht e pamundur sot. Por është e mundur të vendosen sanksione dhe të ndalohet fluksi i parave nga BE. Në këtë rast, shumë çështje mund të zgjidhen diplomatikisht. Dhe, natyrisht, meqenëse nuk ka sanksione mes Rusisë dhe Serbisë, Moska do të mbështesë Beogradin”, deklaroi Jelena Guskova për Novostin. /Pamfleti

Kryesore “Pamfleti” #Jelena Guskova #Mos firmos #Moska presion Presidentit Vuçiç përmes akademikëve