
Moti i keq, me reshje të dendura shiu në formë stuhie e rrebeshi, ka shkaktuar dëme të mëdha në vend. Krahas përmbytjeve, Ujësjellës Kanalizime Durrës u ka bërë thirrje banorëve të marrin masa për 2 ditët e ardhshme për shkak se do të ketë ndërprerje të ujit.
Sipas UKD-së, shkak është bërë një defekt në transformatorin kryesor të tensionit 35/20 kv. Për pasojë gjatë ditës së sotme dhe nesër, do të ketë reduktim të orarit të furnizimit me ujë për të gjithë bashkinë e Durrësit dhe zonat rurale.
“Ujësjellës Kanalizime Rajoni Durrës, njofton abonentët se mund të ketë problem në furnizimin me ujë gjatë dy ditëve të ardhshme.
Shkak është bërë një defekt që ka ndodhur mëngjesin e sotëm, i shkaktuar nga moti i keq dhe shkarkimet e shumta, në zonën e Fushë Milotit. Për shkak të këtyre shkarkimeve, transformatori kryesor i tensionit 35/20 kv është dëmtuar dhe i gjithë stacioni është jashtë kushteve të punës.
Grupet e punës së OSHEE dhe të Ujësjellës Kanalizime Rajoni Durrës ndodhen në terren për të zëvendësuar transformatorin e djegur. Si pasojë e situatës emergjente, gjatë ditës së sotme dhe nesër, do të ketë reduktim të orarit të furnizimit me ujë për të gjithë bashkinë e Durrësit dhe zonat rurale.
Ujësjellës Kanalizime Rajoni Durrës kërkon ndjesë dhe mirëkuptim për shqetësimin e krijuar”, thuhet në njoftim.