Aktualitet12 Dhjetor 2022, 11:17

Moti i keq, Ministria e Mbrojtjes: Grupet e punës janë në terren, ka tërheqje të ujit në disa zona!

Shkruar nga Pamfleti
Moti i keq, Ministria e Mbrojtjes: Grupet e punës janë në terren,

Ministria e Mbrojtjes dhënë informacion për situatën e reshjeve në vend, si pasojë e motit të keq që ka përfshirë vendin ditën e fundit. Sipas ministrisë situata paraqitet e qetë. Lumenjtë janë në kuotat e tyre normale, akset rrugore janë të qarkullueshme, ndërsa grupet e punës vazhdojnë në teren për riparimin e dëmeve të shkaktuara.

“Ndërhyrja e menjëhershme nga strukturat përgjegjëse, si ato bashkiake, kontraktorët e mirëmbajtjes së rrugëve apo OSHEE ka bërë që situata të normalizohej shpejt. Ka tërheqje të ujit në disa sipërfaqe në bashkinë Lezhë, Shkodër, Shijak, Krujë.

Në bashkinë Mirditë, në afërsi të qytetit Rrëshen forcat po punojnë për riparimin e një segmenti rruge, të dëmtuar nga prurjet e shumta të përroit të Zmejës. Në fshatin Lgjin, njësia administrative Orosh, fadromat e bashkisë janë duke punuar për pastrimin e rrugës.

Është mundësuar qarkullimi normal në fshatin Bogë, në njësinë administrative Shkrel, ku pati vërshim të përroit të Bogës.

Po ashtu ndërhyrja në kohë normalizoi situatën që u krijua për shkak të prurjeve të përroit të Çullos në Gjirokastër si dhe në lagjen “Lenxat”, në Lazarat si pasojë e prurjeve të përroit të Sopotit.

Kontraktorët kanë punuar dhe normalizuar situatën edhe në rrugën mes fshatrave Bënçë dhe Lekdush në Tepelenë.

Normale paraqitet sot situata edhe në Durrës, Krujë, Vlorë, Fier, ndërsa nuk janë raportuar probleme nga qarqet e tjera të vendit, si pasojë e kushteve të motit.

Sipas të dhënave të Intitutit të Gjeoshkencës si dhe Shërbimit Meteorologjik Ushtarak moti parashikohet i vranët me intervale të pakta e kthjellime, reshje shiu të herëpasherëshme me intensitet kryesisht të ulët në pjesën më të madhe të territorit. Në zonën e veriut dhe pjesërisht në zonën e qendrës reshjet hera – herës do të jenë me intensitet deri mesatar në formën e shtrëngatave. Në lartësitë mbi 800-900 në verilindje  dhe juglindje reshje bore me intensitet të ulët deri mesatar.

Agjencia e Mbrojtjes Civile, në Ministrinë e Mbrojtjes është duke ndjekur me prioritet situatën, në bashkëpunim me autoritetet vendore, në mënyrë që të koordinohet puna për një ndërhyrje të menjëhershme në rast problematikash që mund të krijohen nga reshjet.”, bën me dije Ministria e Mbrojtjes.

Aktualitet Ministria e Mbrojtjes moti i keq