
Moti i keq përmbyt vendin! Fryhen Drini, Buna e Mati, disa fshatra pa energji; Shkodra mbulohet nga uji
Stuhi të forta dhe reshje të dendura shiu kanë përfshirë që prej mbrëmjes së djeshme të gjithë territorin e vendit tonë. Situata parashikohet të jetë më problematike në Shkodër, Lezhë, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër, për këtë arsye Ministria e Mbrojtjes u ka bërë thirrje Bashkive që të marrin masa.
Përmes një prononcimi për mediet, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi nënvijëzoi problematikat në disa prej bashkive, duke shtuar se për çdo rast qeveria ka marrë masat dhe është në gatishmëri.
“Për qarkun Lezhë; në Kurbin ka rënë rreth 15 mm shi, në Zadrimë 131 mm, kemi disa sipërfaqja të përmbytura në këto zona. Ka rreth 500 Ha të përmbytura.
Në qarkun Shkodër ka përmbytje
Në Kukës ka pasur 4 mm shi.
Në Fushë-Arrëz, raportohen dëmtime të rrugëve rurale dhe shkëputje te energjisë elektrike.
Në Vaun e Dejës situata është pak më problematike, kanë dalë nga shtrati lumi Gjadër dhe Përroi Glinë. Është ndërprerë energjia elektrike.
Në bashkinë Malësi e Madhe ka dalë nga shtrati përroi. Po vijon puna për evakuimin e banorëve që rrezikohen nga përmbytjet. Jemi në gatishmëri dhe kemi mbledhur Komitetin e Emergjencave për të rritur gatishmërinë. Gjithë ministrat janë të informuar mbi situatën dhe do të organizohen për të përballuar çdo rast. Nga njëra anë është lajm i mirë për furnizimin me energji elektrike, pasi po mbushen hidrocentralet, por do përballemi dhe me situatë të pakëndshme që është përmbytja e tokave apo disa akseve”– tha Peleshi.
Sipas informacioneve, situata më problematike paraqitet në qarkun e Shkodrës, ku 400 ha në Fushën e Murriqanit ndodhen nën ujë. Nga inertet është bllokuar rruga kryesore në Zues dhe lejohet lëvizja në një korsi. Përroi Nikgjonaj në Theth ka dalë nga shtrati ku ka prezencë uji në 3 banesa. Po ashtu, disa fshatra kanë mbetur pa drita në rrethina të Shkodrës, ndërsa probleme ka pasur edhe në rrugët dytësore për shkak të tejmbushjes së kanaleve kulluese.
Në Bajram Curri, aksi drejt Valbonës është bllokuar për shkak se ka rënie gurësh dhe inertesh, për pasojë qarkullimi për momentin kryhet me një korsi.
Në Gjirokastër, si pasojë e reshjeve të dendura dhe erës së fortë, dhjetëra fshatra – përfshi këtu Odrien, Lazaratin, Çelon dhe Lunxherinë – kanë mbetur pa energji elektrike që prej mesnatës. Ndërsa Liqeni i Viroit është gati të dalë nga shtrati për shkak të prurjeve të 24 orëve të fundit, çka do të sillte edhe izolimin e qarkullimit në aksin nacional Gjirokastër-Tepelenë.
Ndërkohë në Sarandë, Durrës e Vlorë është ndaluar dalja në det e mjeteve lundruese të vogla të paktën deri në 22 nëntor. Po ashtu, bashkia e Vlorës ka dalë me një njoftim publik ku u kërkohet qytetarëve që të mos parkojnë automjetet në zonat me risk të lartë të njohura si: “Albano&Romina”, Biblioteka Publike, në “Skelë” te dykalimshi.
Si rrjedhojë e përkeqësimit të kushteve atmosferike, Peleshi njoftoi më vonë mbledhjen e Komitetit të Mbrojtjes Civile për të diskutuar lidhur me situatën aktuale në qarqet e Shkodrës dhe Lezhës ku rreziku i përmbytjeve është më i lartë. Diskutime janë bërë edhe për situatën e krijuar në bashkitë, Tiranë, Durrës, Vlorë dhe Fier. Peleshi shkruan se së bashku me kryebashkiakët dhe prefektët është rënë dakord për planin e masave parandaluese.