Aktualitet23 Prill 2019, 17:10

Shkruar nga Pamfleti

“Motra të heq dorë si gjykatëse dhe të më mbrojë”, Prokurorja e shkarkuar Rovena Gashi kërkon mbrojtje nga e motra në gjykatë

Rovena Gashi, prokurorja e shkarkuar, ka kërkuar për herë të dytë që të ketë përfaqësuese ligjore motren e saj Ema Gashi, e cila është njëkohësisht gjyqtare Kërkesa e saj është rrëzuar sërish nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, ndërkohë që Gashi kërkoi më shumë kohë që e motra të japë dorëheqjen si gjyqtare. Sipas kolegjit, në të dyja rastet gjykuan se gjyqtarët dhe prokurorët nuk mund të kryejnë rolin e mbrojtjes.

Seanca e dytë e së martës u hap me kërkesën e Gashit dhe me tërheqjen e trupës gjykuese në vendim të ndërmjetëm. Pas refuzimit të dytë, Gashi kërkoi shtyrje të seancës duke e konsideruar procesin me probleme dhe të parregullt.

“Kërkoj minimalisht dy javë kohë. Kërkojmë kohë që Ema të japë dorëheqjen për të bërë të mundur mbrojtjen time”, u shpreh ndër të tjera prokurorja Gashi. Ndërkohë, kryesuesja e trupës së KPA, Albana Shtylla i tërhoqi vëmendjen gjyqtares Ema Gashi që të mos i jepte sugjerime motrës së saj, por të zhvendosej në vendet e përcaktuara për publikun.

Trupa u tërhoq sërish për të marrë vendim të ndërmjetëm lidhur me kërkesën për shtyrje, e cila u pranua. Seanca tjetër u përcaktua për datën 6 maj, ora 10.

Gashi u shkarkua nga detyra nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 25 korrik 2018, por e apeloi vendimin duke argumentuar shkelje. Shkaku kryesor i shkarkimit ishte mosjustifikimi i pasurisë familjare të prokurores Gashi dhe bashkëshortit të saj, prokurorit Dritan Gina.

Dritan Gina dhe Rovena Gashi mbanin poste drejtuese në organin e akuzës, gjatë kohës që ky institucion drejtohej nga ish-kryeprokurori Adriatik Llalla, por të dy u ulën në detyrë menjëherë pas zgjedhjes së Arta Markut në krye të Prokurorisë në dhjetor 2017.

Gashi dhe Gina, pas uljes në detyrë, i kundërshtuan vendimet e Markut në gjykatë, duke i cilësuar ato të kundraligjshme. Pretendimet e çiftit u rrëzuan respektivisht nga Gjykata e Durrësit dhe Gjykata Administrative e Tiranës, duke lënë në fuqi vendimet e kryeprokurores. Po ashtu Kolegji i Posaçëm i Apelimit, rrëzoi një kërkesë të çiftit kundër vendimit për pezullimin e tyre. Megjithatë pasi Gashi ishte shkarkuar nga KPK, Gjykata Administrative e Apelit rrëzoi vendimin e Markut për pezullimin e tyre nga detyra. Gashi dhe Gina po ashtu ishin nën hetim për “fshehje të pasurisë” dhe ishin pezulluar me urdhër të Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku.

Çifti, Gashi dhe Gina i kanë cilësuar akuzat e drejtuar i hakmarrje personale të Markut, si shkak i padive të ngritura më parë ndaj saj. Është mësuar se çështja penale e çiftit është pushuar me kërkesë të të Prokurorisë së Fierit dhe me miratimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier.

 

Aktualitet gjykatë prokurorja Rovena Gashi