Aktualitet24 Korrik 2022, 11:20

· Shkupi

Shkruar nga Pamfleti
· Shkupi

Shkup, 24 korrik  – Që nga pavarësia e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ekziston një unitet i fortë ndëretnik dhe mbipartiak për anëtarësim në Bashkimin Evropian, njoftoi dje Ministria e Punëve të Jashtme në lidhje me intervistën e shefit të diplomacisë ruse në televizionin “Nashe Kino”, duke vlerësuar se në të vendi përmendet “në kontekst të papranueshëm”.

“Më shumë se 30 vjet më parë, Kuvendi ynë mori një vendim unanim për këtë orientim të politikës sonë të jashtme. Vendimet e tilla për anëtarësim në aleancat ndërkombëtare, si çdo shtet tjetër sovran i marrim të udhëhequr ekskluzivisht nga interesat tona me mbështetjen e numrit më të madh të qytetarëve. Deri më tash, vite me radhë, të gjithë vepruesit politikë kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në realizimin e aspiratave të tilla”, bëhet e ditur në kumtesë.

MPJ thekson se sot Republika e Maqedonisë së Veriut është anëtare e plotë e NATO-s, së bashku me aleatët tanë, ne jemi plotësisht të përkushtuar për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare dhe kundërshtojmë fuqishëm të gjitha shkeljet e së drejtës ndërkombëtare, siç është agresioni kundër Ukrainës.

“Në të njëjtën kohë, ne vazhdimisht luftojmë kundër të gjitha ndikimeve dashakeqe nga vendet e treta për të ndërhyrë në punët tona të brendshme”, theksohet në kumtesë.

Sipas MPJ-së, në intervistën e Lavrovit manipulohen ndjenjat fetare të besimtarëve ortodoksë në vendin tonë dhe marrja e autoqefalisë së KOM-AO përdoret për të promovuar pikëpamjet e tyre gjeopolitike.

“Askush nuk duhet ta përfitojë këtë ngjarje historike si suksesin e vet, sidomos ata që e kundërshtuan fshehurazi këtë akt”, potencohet në reagimin e MPJ-së, transmeton Pamfleti.

Shkupi