Stadiumi Kombëtar, “Air Albania” prej ditësh është kthyer në qendër vaksinimi. Vendimi qeveritar për ta bërë këtë impiant qëndër vaksinimi për popullatën e kryeqytetit ka kënaqur edhe FSHF-në që menaxhon stadiumin. Siç bën të ditur “Panorama” prej disa ditën organi më i lartë i futbollit në vend (FSHF), i ka dërguar një shkresë zyrtare Ministrisë së Shëndetësisë, teksa kërkon një qira për përdorimin e impiantit. Kjo gjë është konfirmuar edhe nga zv.kryeministri Erjon Braçe nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ku nuk i ka kursyer “thumbat” për FSHF-në.
Arsyeja e kësaj kërkese është sepse gjatë kësaj periudhe stadiumi ka një kosto të konsiderueshme mirëmbajtjeje që FSHF e ka të vështirë ta përballojë.
Procesi i vaksinimit pritet të zgjasë për disa muaj, ndërkohë që palët kanë gjetur gjuhën e përbashkët që stadiumi do të jetë në dispozicion para datës 28 mars, kur është planifikuar të luhet sfida mes Shqipërisë dhe Anglisë e vlefshme për eliminatoret e Kupës së Botës.
Ndoshta një tjetër “luftë” në distancë pritet të fillojë, pasi ishte Ministria e Shëndetësisë që nuk jepte dritën jeshile për rifillimin e kampionatit.
Prej datës 11 janar, në Shqipëri ka nisur vaksinimi kundër Covid-19, ku në mesin e personave të parë që u vaksinuan ishin kryeministri Edi Rama, drejtoresha e spitalit infektiv të Tiranës, Najada Çomo dhe mjeku infektolog, Pëllumb Pipero.
Ministria e Shëndetësisë bëri me dije se procesi i vaksinimit do të jetë çdo ditë 8 deri në 10 orë, ku gjatë 60 minutave do të vaksinohen rreth 60 persona.
Çdo person që do të vaksinohet do të duhet të presë në ambientin e stadiumit 30 minuta për të parë nëse do të ketë komplikacione.
Ndërkohë që ditën e djeshme ka nisur java e dytë e vaksinimit, ku janë vaksinuar personeli shëndetësor i pavionit Covid të Pediatrisë, ku trajtohen fëmijët e prekur nga Koronavirusi.