
“Na e ofruan edhe ne Kristiano Ronaldon”, drejtori i skuadrës gjermane zbulon ofertën e bërë nga Mançester Junajtid
Shefi ekzekutiv i klubit gjerman, Ajntraht Frankfurt, Aksel Hellman ka zbuluar se Mançester Junajtid iu ka ofruar Kristiano Ronaldon në fillim të këtij sezoni.
Ndër të tjera ai pohoi se “Djajtë e Kuq” ua ofruan edhe CR7 disa skuadrave në të gjithë Evropën, pasi kërkonin ta largonin atë.
Kam një ndjenjë që Ronaldo iu ofrua çdo pjesëmarrësi në Champions. Edhe juve? Kjo ishte një nga pyetjet e bëra.
“Na u ofrua edhe neve” – zbuloi Hellman.
37-vjeçari u lirua nga kontrata e tij me Junajtid më 22 nëntor, pas intervistës së tij bombë me Pirs Morgan.
Ronaldo dëshiron të vazhdojë të luajë futboll në Champions League për aq kohë sa të jetë e mundur, por nuk duket se ka një ekip që ta dojë. Në vend të kësaj, portugezi mund të zgjedhë një ofertë fitimprurëse në Lindjen e Mesme.
Ronaldos raportohet se i është ofruar një kontratë prej dy vitesh e gjysmë me vlerë 200 milionë euro në vit me skuadrën e Arabisë Saudite, Al-Nassr.
Sportingu i Lisbonës gjithashtu ka qenë i lidhur me sulmuesin, por trajneri Ruben Amorim tani po refuzon të përfshihet në spekulime për të ardhmen e sulmuesit portugez.
Në konferencën e tij për shtyp pas fitores 5-0 të Sportingut në Kupën e Portugalisë ndaj Braga-s, Amorim tha: “Ronaldo ishte në Katar, ata patën mundësinë ta pyesnin dhe nuk e bënë. Unë jam pyetur 500 herë dhe tashmë jam përgjigjur”.