Ish-kryeministri Sali Berisha ka paralajmëruar biznesmenin arab Mohamed Alabbar, që të heqë dorë nga afera e portit të Durrësit. Sipas tij, ajo është aferë korruptive dhe ata duhet të hiqin dorë nga projekti një orë e më parë.
“Hiq dorë nga kjo aferë se shqiptarët nuk do e pranojnë kurrë. Kjo është plaçkitja më e madhe. Mos përzje aksionet e tua me Edi Ramën. E keni vënë re tani që Rama del për Alabbar sikur është i dërguari i Allahut. Ka interesin e tij personal dhe familjar”, tha Berisha.
Sipas Berishës, kjo është afera me pasoja më të mëdha strategjike për vendin dhe rolin e saj strategjik në BE dhe NATO.
“Edi Rama pa asnjë konsultë paraprake me qytetarët e Durrësit, me grupe interesi dhe me asnjëri tjetër përveç xhepit dhe llogarive të tij, de fakto po shndërron portin e Durrësit në Dubain e familjes së tij. Afera e Portit të Durrësit gjer sot është afera korruptive më gjigante në Europë. Informoj qytetarët shqiptarë se nga ky vendim korruptove antiligjor i Edi Ramës, Rama dhe kompania e tij përvetësoi mbi 1 mln metër katrorë truall për ndërtime, baras kjo me 3 mld euro. Në këtë aferë me pasoja të rënda strategjike për vendin, me pasoja të rënda që synojnë defaktorizimin e Shqipërisë dhe të rolit të saj strategjik në transportin në BE dhe NATO, Rama parashikon me makinerinë e mashtrimit të tij investim në 2 mld euro në atë që quhet marinë turistike. Njeriu që ka marrë përsipër të bëjë këtë investim ka pasur një zotim për investimin e 4 mld eurove buzë Savës në Beograd dhe ka përfunduar në një investim prej 20 mln eurosh”, deklaroi Berisha.