Pasi naftëtarët e Ballshit u mblodhën përpara rafinerisë për të protestuar për pagat e tyre ata shprehën dhe shqetësimin se kjo uzinë pritet që të mbyllet dhe se një kompani private po kryen punime brenda saj.
Mësohet se mjete të rënda kanë hyrë në ambientet e uzinës për të marrë mall dhe kjo gjë është kundërshtuar nga naftëtarët. Përpara rafinerisë janë vendosur edhe tre furgona policie për të shmangur incidentet.
Kreu i Sindikatës së Naftëtarëve, Sokol Dautaj është shprehur se një kompani private ka nisur punimet brenda uzinës pa i lajmëruar ata. I ndodhur në hyrje të rafinerisë bashkë me naftëtarët, Dautaj tha para mediave se këto veprime nuk duhet të bëhen pa dijeninë e tyre pasi ata e konsiderojnë si një provokim. Dautaj kërkon gjithashtu që naftëtarët të marrin pagesat e tyre. Pas tij folën edhe të tjerë naftëtarë që kërkojnë pagesat gjithashtu.
Ata tentuan të hynin brenda uzinës por hasën në pengesën e policisë, duke krijuar përplasje mes tyre.
Më pas naftëtarët janë zhvendosur pranë komisariatit të Mallakastrës për të denoncuar futjen e makinave të tonazhit të rëndë pa miratimin e tyre, ndërkohë forcat policore vijojnë të mbajnë të rrethuar zonën e rafinerisë. Ata shprehin shqetësimin se uzina mund të çmontohet edhe pse ende nuk ka asnjë vendim nga qeveria për këtë.
Për momentin është lajmëruar se makinat e futura nuk do kryejnë asnjë veprim, deri në një njoftim të dytë.
Naftëtarët e rafinerisë së Ballshit kërkojnë shlyerjen e 13 pagave të prapambetura dhe rinisjen e punës së rafinerisë. Ata protestonin vitin e kaluar për muaj me radhë për pagat e pamarra, edhe pse kishin punuar në kohë pandemie, kur gjithçka ishte e mbyllur dhe në “shtetrrethim”. Duke parë se nga protestat e tyre nuk pati asnjë reagim ata vendosën që të futeshin në grevë urie në ambientet e Rafinerisë. Burrat qëndruan 22 ditë, ndërsa gratë 23, derisa pranuan ofertën e bërë nga kryeministri Edi Rama. Qeveria u ofroi atyre 40 mijë lekë të reja rrogë për një periudhë 1-vjeçare.
Po ashtu, iu paguan edhe kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për periudhën nëntor 2020-tetor 2021. Por në vendimin e qeverisë thuhej qartë se nëse pas kësaj periudhe në rafineri nuk afrohej asnjë investim, atëherë naftëtarët nuk do të merrnin më mbështetje nga shteti.