Sport26 Tetor 2018, 14:56

Napoli e mbulon me ar, Hysaj me klauzolë interesante

Shkruar nga Pamfleti

Në dy ndeshjet më të rëndësishme të Champions, Napoli-Liverpool dhe PSG-Napoli, Elseid Hysaj është akomoduar në stol, duke ndjekur për 180 minuta në total si spektator pa pagesë. Zgjedhje që nuk është se kanë kënaqur shumë mbrojtësin e Shqipërisë, i cili është nga ata lojtarë që duan të jenë gjithmonë në fushë. Sidomos nëse luhet himni i Champions League.

E megjithatë, shkodrani shihet si një pasuri për ekipin axurr dhe për këtë arsye, agjenti i tij, Mario Giuffredi, po bisedon prej disa ditësh me drejtorin sportiv të axurrëve, Cristiano Giuntoli, për të gjetur një akord për rinovimin e kontratës aktuale, që skadon në 2021. Hysaj fiton aktualisht 1,8 mln euro në sezon, por kërkesa e re, nisur edhe nga merkato dhe interesimet e vertës, është 3 mln në sezon. Mund të mbyllet gjithçka në 2,5 mln euro. Pra, do t’ia kalonte edhe rrogës së dikurshme të Lorik Canës, që te Lacio fitonte 2 mln euro në sezon.

Madje, sipas asaj që thuhet në shtypin italian, firma mund të vije edhe në periudhën e dhjetorit. Një tjetër nyje e rëndësishme për t’u zgjidhur ka të bëjë sidomos me klauzolën për prishje kontrate. Për jashtë Italisë ajo mbetet e fiksuar në 50 mln euro, ndërsa agjenti i shqiptarit kërkon që ta ulë atë, ose ta heqë. Napoli nuk është dakord dhe bisedimet kanë ngecur pikërisht në këtë çështje.

Sport