Vendet e NATO-s kanë nisur përgatitjet për një përballje të fortë me Rusinë, nëse lufta del përtej Ukrainës.
Të mërkurën do të nisë Samti i Madridit dhe NATO pritet që të marrë një sërë vendimesh shumë të rëndësishme. Për herë të parë që pas Luftës së Ftohtë do të vendoset një ushtri e përhershme në Lindje të Evropës, si forcë reagimi ndaj Moskës.
Por elementi i dytë është se do të kemi një shtatëfishim të forcës së reagimit. NATO momentalisht ka 40 mijë trupa në gjendje gatishmërie, por Samiti pritet të vendosë që ky numër të shkojë në 300 mijë.
Ka qenë vetë Sekretari i NATO-s, Jens Stoltenberg që ka dhënë detaje nga synimet e aleancës.
“Në samit ne do të përforcojmë mbrojtjen tonë. Ne do të rrisim grupet luftuese në kahun lindor të aleancës në nivel brigade. Do të transformojmë forcën e reagimit të NATO-s dhe rrisim numrin e trupave në gatishmëri të lartë në mbi 300 mijë. Koncepti ynë i ri do të na udhëheqë ne në një epokë të garës strategjike. Pres që kjo ta bëjë të qartë se aleatët e konsiderojnë Rusinë si kërcënimin më domethënës dhe të drejtpërdrejtë për sigurinë tonë”, tha Stoltenberg.
Njësia u krijua pas sulmit rus ndaj Ukrainës në vitin 2014 dhe u aktivizua për misionin e saj të parë të mbrojtjes kolektive një ditë pasi Rusia pushtoi Ukrainën më 24 shkurt të këtij viti.
Koncepti i ri strategjik që do të miratohet në Samitin e NATO-s është i pari i bllokut në këtë dekadë dhe do të adresojë kërcënimet në rritje që vijnë nga Rusia dhe, për herë të parë, pritet të jetë në fokus dhe Kina.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë shprehu besimin të dielën se dokumenti do të përfshinte një gjuhë “të fortë” për Kinën, por tha se negociatat po vazhdonin përpara samitit të NATO-s në Madrid më 29-30 qershor.
Në Samitin e G-7 të hënën, këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan, u tha gazetarëve se dokumenti strategjik i NATO-s do të “flasë për sfidën që paraqet Kina”.
Po ashtu një diplomat tha se në fokus do jenë dhe raportet e Kinës dhe Rusisë me Çekinë dhe Hungarinë, të cilat refuzojnë kundërshtojnë fuqimisht shprehjen “konvergjencë strategjike”, siç etiketohet aleanca e tyre.
Pra duket se ky Samit pritet të sjellë një angazhim më të fortë të NATO ndaj atyre shteteve që shihen si kërcënim.