Pas kërcënimit të sekretarit amerikan të Shtetit, Blinken ndaj Rusisë edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka mbajtur të njëjtin qëndrim.
Stoltenberg, në mbledhjen e ministrave të Jashtëm të NATO-s në Letoni, ka paralajmëruar Moskën se do të paguajë një faturë të shtrenjtë nëse nis një pushtim të mundshëm në Ukrainë.
‘Ne i bëjmë thirrje Rusisë të jetë transparente dhe të ulë tensionet, një pushtim i mundshëm ndaj Ukrainës do t’i kushtojë shtrenjtë dhe pasojat politike e ato ekonomike do të jenë serioze’, deklaroi ai.
Kreu i NATO-s gjithashtu j’u tha ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të kësaj organizate, se duhet të përgatiten për skenarin më të keq nga Rusia.
‘Ne duhet të përgatitemi për më të keqen, duhet t’i përcjellim Rusisë mesazhin se nuk duhet të kryejnë asnjë sulm ushtarak në Ukrainë’
Më herët Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, kërcënoi se Rusia do të ketë pasoja të rënda nëse hyn në Ukrainë
Moska, e cila pushtoi Krimenë në vitin 2014 dhe mbështi separatistët që luftojnë kundër Ukrainës, ka mohuar se po planifikon një sulm dhe fajëson NATO-n për nxitjen e tensioneve. Me gjithë tensionet e ndezura, Stoltenberg e ftoi Moskën në dialog.
“Krahas së gjithash ne besojmë se dialogu në këtë situatë është jetik. Për fat të keq, Rusia kohët e fundit ka vendosur të ndërpresë marrëdhëniet diplomatike me NATO-n. I bëj thirrje Moskës të angazhohet në dialogun mes NATO-s dhe Rusisë për të mirën e paqes dhe sigurisë”
Presidenti rus Vladimir Putin tha të martën se stërvitjet ushtarake dhe lëvizjet e tjera nga Perëndimi e Ukraina kërcënojnë sigurinë e Rusisë dhe i paralajmëroi që të mos kalojnë vijat e kuqe të Kremlinit.