Ditën e sotme një 31-vjeçar, i identifikuar si Qazim Ismailaj, është ndaluar nga Policia e Vlorës pasi dyshohet se ka strehuar 55 klandestinët nga Lindja e Mesme, që u gjetën me gomone në lumin Vjosa disa ditë më parë.
31-vjeçari, nga fshati Trevllazër Vlorë, është ndaluar nga Policia ditën e djeshme vetëm pak ditë pas arrestimit të pronarit të hotelit në Tiranë, Fatos Dusha, i cili gjithashtu kishte strehuar klandestinët sirianë në hotelin e tij.
Njoftimi i plotë i Policisë:
Vlorë/ Vijon puna për zbardhjen e plotë të tentativës për kontrabandim të migrantëve një javë më parë. Identifikohet, kapet dhe ndalohet një 31-vjeçar, i dyshuar si autori i dytë i kontrabandimit të migrantëve nga vendet e treta, në drejtim të Italisë. Specialistët për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve në DVP Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë, në vijim të punës për zbardhjen e plotë tentativës për kontrabandimin e migrantëve në rruge detare dhe vënien para drejtësisë të personave përgjegjës, bënë të mundur identifikimin, kapjen dhe ndalimin e autorit të dytë të kësaj ngjarjeje, shtetasi: Q. I., 31 vjeç, banues në Trevllazër, Vlorë. Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se ky shtetas ka strehuar në banesën e tij në fshatin Trevllazër, shtetasit e huaj emigrantë që kishin ardhur nga Tirana, të cilët do të largoheshin nëpërmjet rrugës detare në drejtim të shtetit italian, më datë 08.01.2021. Vijojnë intensivisht veprimet hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë, për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari të kundërligjshme. Materialet i kanë kaluar Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Disa ditë më parë, një gomone me 55 emigrantë në bord u shpëtua në mesnatë nga roja bregdetare shqiptare dhe italiane afër grykëderdhjes së lumit Vjosa. Sipas dëshmive të emigrantëve, gomonia u ça nga dallgët dhe për pasojë një pjesë e tyre, kryesisht nga Siria, Irani dhe Egjypti, morën djegie në lëkurë në pjesë të trupit nga benzina që përplasej nga presioni dallgëve.
Emigrantët kanë dëshmuar se paguan nga 2 mijë deri në 4 mijë dollarë tek skafistët, që u kishin premtuar se do t’i dërgonin në Itali me jaht. Duke përfituar nga errësira dhe ‘rrëmuja’ e shkaktuar, trafikatët e tyre janë larguar dhe ende nuk janë prangosur nga ana e Policisë.