Aktualitet20 Janar 2023, 17:20

Ndarja (apo shpërbërja) e PD, pritej

Shkruar nga Pamfleti
Ndarja (apo shpërbërja) e PD, pritej

Ndarja (apo shpërbërja) e PD, pritej

Pastaj, edhe vetë ai, sikur partia të ribashkohej sot, nuk e ka të sigurt sa do të funksiononte ky proces. Gjërat kanë ndryshuar, ashtu siç ka ndryshuar edhe mentaliteti, forca dhe mënyra se si grupimi “Basha” kërkon dhe vendos kushte për ribashkimin. Ata nuk janë më “nën tutelën” e ish-liderit. E krijuan pavarësinë nga momenti kur e përjashtuan nga grupi parlamentar, apo edhe në muajt në vazhdim. Edhe përballja me “grupin e zjarrit” të Berishës në 8 Janar në seli, ishte një argument më shumë bindës, se grupimi “Basha” nuk është më vegël qorre e Berishës. Ata kërkojnë përfaqësim, kërkojnë të mbajnë vulën, të njihen se janë ata PD dhe jo Berisha.

Shkruan Artur Ajazi

Prej 1 viti e ca, të gjithë shkruajnë, japin “receta”, këshillojnë, aludojnë, japin edhe konkluzione, lidhur me situatën e krijuar në Partinë Demokratike. Jo sepse i dhimbset ajo forcë politike, (për disa është edhe dhimbje) por sepse Shqipëria pa opozitë në demokraci, nuk ka besimin dhe seriozitetin e ndërkombëtarëve.

Edhe pse 2 palë zgjedhje, u bënë pothuajse me një opozitë çalamane, dihet se zgjedhjet e 14 Majit duhet absolutisht të kenë edhe opozitën. Nuk mund të ketë fushatë, ashtu siç nuk mund të ketë zgjedhje dhe votime në 14 Maj pa pjesëmarrjen e opozitës. Kushdo qoftë kjo, PD, PR, PL, apo PDR, një opozitë bota demokratike e kërkon përballë një shumice qeverisëse në zgjedhje.

Demokracia kuptohet dhe pranohet, kur politika ka përballje mes shumicës dhe pakicës, në të kundërtën ke kaluar në monizëm. Por ç’ka ndodhur me Partinë Demokratike, me partinë që ka futur në “merak” një pjesë të shqiptarëve (pakicën) dhe një pjesë të ndërkombëtarëve ? Ajo parti sot, është  siç thotë populli “ku thërret qameti”. Një kryetar në “arrati”, një zëvendës në Parlament, një kryetar në seli, dhe ca deputetë të ndarë, kush me Saliun, dhe kush me Bashën. Të dy grupimet ndodhen nën trysninë e kryetarëve. “Një parti me shumë pleq, kujt t’ja prish dhe kujt t’ja ndreq”- më tha një ditë një miku im deputet në grupin e Bashës.

Sipas tij “më marrin në telefon herë me oferta dhe herë me presione, dhe më kërkojnë afrimin me Saliun, se me Bashën unë nuk paskam të ardhme, por unë e di se, PD kurrë nuk bëhet më partia që ishte”. Dhe kështu ka vazhduar situata para dhe pas  revolucionit të dhunshëm të 8 Janarit, ku grupimi “Berisha” mësyu për të marrë selinë. Por të merresh sot me PD, nuk ka pse të mos thuash se, ndarja apo shpërbërja e saj pritej. U nda ajo parti në 1998, në 2001, u ribashkua në 2005 për hir të pushtetit. Tanimë u nda sërish, dhe shanset janë se, ribashkimi kurrë nuk do të jetë i mundur derisa Berisha të ketë në dorën e tij gjithçka në atë parti.

Pastaj, edhe vetë ai, sikur partia të ribashkohej sot, nuk e ka të sigurt sa do të funksiononte ky proces. Gjërat kanë ndryshuar, ashtu siç ka ndryshuar edhe mentaliteti, forca dhe mënyra se si grupimi “Basha” kërkon dhe vendos kushte për ribashkimin. Ata nuk janë më “nën tutelën” e ish-liderit. E krijuan pavarësinë nga momenti kur e përjashtuan nga grupi parlamentar, apo edhe në muajt në vazhdim. Edhe përballja me “grupin e zjarrit” të Berishës në 8 Janar në seli, ishte një argument më shumë bindës, se grupimi “Basha” nuk është më vegël qorre e Berishës. Ata kërkojnë përfaqësim, kërkojnë të mbajnë vulën, të njihen se janë ata PD dhe jo Berisha.

Ajo ç’ka po ndodh me Sali Berishën sot, ndodhi 32 vite më parë me Ramiz Alinë. Edhe ai, mendonte dhe besonte se “e kishte situatën në dorën e tij” madje , “u rizgjodh president i parë  i një Shqipërie demokratike”, duke harruar se koha e tij kishte mbaruar qysh në 1990, dhe se sistemi ishte përmbysur. Berisha e ka ditur me kohë se, një situatë e tillë do të krijohej në Partinë Demokratike, qysh kur në atë seli shkeli këmba e Lulzim Bashës. Kjo për faktin sepse, Basha nuk mund të ecte pafundësisht nën gjurmën e Berishës, pasi koha dhe kushtet kishin ndryshuar. Ndoshta duhej të ishte shpallja “non-grata” dhe vendimi për përjashtimin nga grupi parlamentar, që Berisha të kuptonte dhe pranonte faktin se, ndarja e asaj partie ishte e pashmangshme.

Forum #Ndarja (apo shpërbërja) e PD #Pritej Artur Ajazi