Ish-presidenti i Republikës Bujar Nishani ka ndërruar jetë.
Lajmi i hidhur vjen pak ditë pasi Nishani u nis drejt Gjermanisë për të kuruar sëmundjen autoimune të mëlçisë. Ai vuante nga pneumonia bilaterale me insuficience respiratore, si pasojë e komplikacioneve të shkaktuara nga infektimi me Covid-19.
Nishani fillimisht mori ndihmën mjekësore në spitalin ‘Shefqet Ndroqi’ dhe pas rëndimit të gjendjes shëndetësore, u dërgua më 21 prill në Gjermani, me kërkesë të të birit, për trajtim të specializuar. I shtruar rëndë në spital ish-kreu i Lartë i Shtetit kaloi në vdekje klinike pa mundësi rikthimi. Tashmë ai po mbahet në jetë përmes aparaturave, te cilat pritet të shkëputen brenda pak minutash.
Bujar Nishani ka humbur jetën në moshën 58-vjeçare. Ai u lind më 29 shtator 1966 në qytetin e Durrësit dhe ushtroi detyrën e Presidentit të Republikës së Shqipërisë nga 24 korriku i vitit 2012 deri në 24 korrik të vitit 2017. Më herët ai kishte mbajtur poste të rëndësishme në qeveri, një prej të cilave ishte edhe si ministër i Brendshëm.
Karriera e tij politike ka kaluar nëpër disa etapa: në vitin 1991 anëtarësohet në Partinë Demokratike; në vitin 2001 zgjidhet Sekretar i Degës së Partisë Demokratike për Tiranën; në vitin 2003 zgjidhet anëtar i Këshillit Bashkiak të Bashkisë Tiranë nga lista e Partisë Demokratike; në vitin 2005, zgjidhet anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike dhe më pas anëtar i Kryesisë Qendrore të kësaj partie.
Në korrik të vitit 2005, Nishani zgjidhet deputet në zonën elektorale 34, në Tiranë si përfaqësues i Partisë Demokratike.
Nga marsi 2007–shtator 2009 mbajti portofolin e Ministrit të Brendshëm; nga shtatori 2009 – prill 2011 kreu detyrën e Ministrit të Drejtësisë; për t’u rikthyer përsëri në prill të vitit 2011 si Ministër i Brendshëm, detyrë të cilën e mbajti deri në qershor të vitit 2012, kohë në të cilën Kuvendi i Shqipërisë e zgjodhi në detyrën e Kreut të Shtetit. Në 24 korrik 2012, Nishani betohet në Kuvendin e Shqipërisë si President i Republikës.