
Ndërron jetë kardinali George Pell, kleriku akuzohej për abuzim seksual
Kardinali George Pell ka vdekur në moshën 81-vjeçare. Kleriku australian ishte një konservator kryesor katolik romak dhe ish-zyrtar i lartë në Vatikan.
Pell, një ish-kryepeshkop i Melburnit dhe Sidneit, shërbeu si ministër i ekonomisë së Vatikanit nga viti 2014 derisa mori një leje në vitin 2017 për t’u kthyer në Australi, për t’u përballur me akuzat për abuzim seksual.
Në vitin 2018 ai u dënua për ngacmim të dy djemve të korit në Katedralen e Shën Patrikut në Melburn, kur ishte kryepeshkop në vitet 1990. Duke deklaruar gjithmonë pafajësinë e tij, ai kaloi 13 muaj në burg derisa dënimi i tij u anulua nga Gjykata e Lartë Australiane në vitin 2020.Vendimi i lejoi 78-vjeçarit të atëhershëm të ecte i lirë, duke i dhënë fund çështjes së figurës më të vjetër të akuzuar në skandalin global të abuzimit seksual historik që tronditi Kishën Katolike në mbarë botën.
Edhe përpara akuzave për sulme seksuale, Pell ishte një figurë polarizuese në dy dekadat që ai dominoi hierarkinë katolike australiane, i nderuar nga katolikët konservatorë, por i papëlqyer nga liberalët për kundërshtimin e tij ndaj martesës së të njëjtit seks, abortit dhe shugurimit të grave.