Aktualitet 7 Maj 2022, 21:53

Ndërtimet e paligjshme në Durrës u shtuan pas tërmetit

Shkruar nga Pamfleti
Ndërtimet e paligjshme në Durrës u shtuan pas tërmetit

Inspektoriati Vendor i Ndërtimit identifikoi më shumë ndërtime të paligjshme në Durrës pas tërmetit të vitit 2019, ndërsa juristët ankohen se penalizimet godasin më së shumti qytetarët e pambrojtur se sa abuzuesit e mëdhenj.

Në fund të vitit 2021, A.Z., 54 vjeç, u shpall fajtor dhe u dënua me një vit heqje lirie për veprën penale “ndërtim i paligjshëm”.

I ardhur në Durrës pas viteve ’90 dhe banor i zonës së ish-Kënetës, burri e konsideron turp faktin që përfundoi në burg dhe nuk dëshiron të flasë gjatë rreth këtij episodi.

“Është marre për mua, por shteti ka ligje. Nuk i dija të gjitha,” thotë 54 vjeçari ndërsa shet perime në një nga tregjet e hapura të qytetit të Durrësit.

Tregtari i perimeve shpjegon se kishte hedhur themelet për të ndërtuar një shtëpi për djalin në emigracion, por u kap nga policia vetëm pak ditë pas nisjes së punës.

Historia e tij nuk është një rast i veçuar. Të dhënat e marra nga Gjykata e Durrësit përmes një kërkese për të drejtë informimi tregojnë se 94 persona u dënuan në dy vitet e fundit për ndërtime të paligjshme nga kjo gjykatë.

Durrësi ishte qyteti më i goditur nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, i cili e ktheu qytetin për javë të tëra në një vend të shkretë. Nga 51 persona që humbën jetën në rrënoja, 25 ishin banorë të Durrësit.

Hetimet e prokurorisë së Durrësit gjetën se shkak për shembjen e ndërtesave me pasoja të rënda në jetë njerëzore ishin pikërisht ndërtimet pa leje, që nuk respektonin standardet.

“Hetimet kanë filluar pasi dyshohej se dëmtimet e këtyre godinave dhe pasojat në vdekjen e njerëzve kanë ardhur edhe si shkak i ndërtimeve të kryera pa respektuar rregullat, normat dhe standardet në fushën e ndërtimeve, si dhe për shkak të ndërtimeve të kryera pa lejen e organeve kompetente,” tha prokuroria në nëntor 2020, kur dosja me 16 të akuzuar u dërgua në gjykatë.

Por të dhënat e siguruara me kërkesë për të drejtë informimi nga Inspektorati Vendor i Ndërtimit, IVN, në varësi të Bashkisë së Durrësit, tregojnë se tragjedia nuk i dekurajoi ndërtimet e paligjshme dhe shtesat pa leje. Madje, të dhënat tregojnë se në dy vitet pas tërmetit u zbuluan 40 ndërtime të paligjshme më shumë se sa në vitet 2018-2019.

Ekspertët thonë se burokracitë dhe kostot e procesit të lejeve i shtrëngojnë qytetarët të shkojnë drejt paligjshmërisë.

Avokatja Erisilda Shpata, e cila ka mbrojtur në gjykatë disa të akuzuar për ndërtim të paligjshëm thotë se shumica nuk kanë mundësi financiare të paguajnë për projekte dhe inxhinierë të licencuar, ndërsa të tjerë thjeshtë nuk e njohin procedurën.

“Procedura për nxjerrjen e një leje ndërtimi kalon përmes aplikimit për leje ndërtimi në sistemin elektronik të lejeve të ndërtimit, përshkrim të hollësishëm të punimeve që do të kryhen dhe shoqërohet nga dokumentacioni i plotë ndërtimor, përfshirë projektet e detajuara, të hartuara dhe nënshkruara nën përgjegjësinë e ekspertëve të licencuar,” tha ajo, ndërsa shtoi se shumë qytetarë nuk kanë informacion.

Sipas saj, pjesa më e madhe e qytetarëve e shmangin këtë procedurë për shkak të mosnjohjes së ligjit dhe një pjesë për shkak të kostos.

“Të ardhurat e pjesës më të madhe të shqiptarëve vazhdojnë të mbeten të vogla dhe kryesisht të ardhura të sjella nga emigracioni. Mungesa e të ardhurave në vetvete limiton kryerjen e punimeve, ndërtimeve të reja përmes studiosh projektimi, inxhinierë të licencuar, duke iu drejtuar punëtorëve të ndërtimit të cilët punojnë në të zezë e të grupuar në grupe të vogla ustallarësh”, shpjegoi Shpata për BIRN.

Edhe tregtari 54 vjeçar ankohet se paratë kishin qenë pjesë e problemit. Ai thotë se nisi të ndërtonte shtëpinë për të birin në tokën e të vëllait, i cili jetonte jashtë vendit. Mungesa e të drejtës së pronësisë mbi tokën ia rriti atij masën e dënimit.

“Me të ardhurat ndër vite të djalit që punon sezonal në Greqi nisa t’i ndërtojë një banesë, sepse i kish ardhur mosha për martesë, në tokën që vëllai im ma ka lënë mua se ka ikur në Angli, por që me dokumente i përket ende atij. Sapo hodha themelet erdhi inspektorati, policia, përfundova në burg,” shpjegon burri, i cili refuzon të identifikohet me emër për shkak të turpit.

Bashkia e Durrësit e konfirmon numrin e lartë të ndërtimeve pa leje, por thotë se ndërhyrjet kanë qenë po ashtu të menjëhershme. Sipas Bashkisë, objektet e identifikuara janë prishur, ndërsa ndaj shkelësve janë marrë masa administrative.

“Për ndërtimet e konstatuara pa leje në pesë vitet e fundit  brenda territorit administrativ të Bashkisë,  ju informojmë se janë konstatuar  930 objekte pa leje ndërtimi dhe për secilin ndërtim është nxjerrë  vendim për prishjen e objektit të kundërligjshëm,” tha për BIRN Vilma Hyseni, koordinatore për të Drejtën e Informimit në Bashkinë Durrës.

Sipas Bashkisë dhe IVN, numri i ndërtimeve të paligjshme të identifikuara u rrit pas tërmetit. Në vitet 2018 dhe 2019 pati gjithsej 410 ndërtime që u identifikuan dhe u prishën, ndërsa në vitet 2020 dhe 2021 ishin 450 ndërtime që u identifikuan dhe u shkatërruan.

Megjithatë, numri i personave që u ndoqën penalisht për këtë vepër penale ka shkuar drejt rënies.

Sipas Gjykatës së Rrethit Durrës, në vitet 2018-2019 pati 196 të dënuar për akuzat e ndërtimit të paligjshëm në zonën që mbulon kjo gjykatë. Ndërkohë në dy vitet pas tërmetit u dërguan në gjykatë më pak çështje dhe u dënuan 94 persona.

Avokatja Shpata i tha BIRN se tërmeti solli një rritje të nevojës për të ndërtuar. Sipas saj, mjaft qytetarë që nuk pritën apo nuk besuan në ndërhyrjet riparuese të qeverisë i bënë riparimet pa leje dhe përfunduan për këtë në gjykatë.

Avokatja thotë se ligji godet në mënyrë shpropocionale ata që janë më vulnerabël dhe që kanë më pak mundësi për të nxjerrë leje apo për të paguar një të tillë.

“Vlen të theksohet se sot dënohen penalisht dhe administrativisht qytetarët e thjeshtë, ndërkohë që bizneset apo investitorët e mëdhenj, kryesisht në zona turistike apo dhe në zona të mbrojtura, vijnë në shkelje të lejes së marrë, afateve të punimeve apo dhe shtesave pa leje. Proceset penale ndaj tyre dhe punonjësve të administratës (ASHK-IMT- për shpërdorim detyre) numërohen me gishtat e një dore, zvarriten në kohë dhe dënimet përfundimtare janë minimale,” tha Shpata.

Avokatja thotë po ashtu se ligji është i tillë që e penalizon qytetarin disa herë. I kapuri me ndërtim të paligjshëm, jo vetëm humbet ndërtimin që prishet, por rrezikon të gjobitet dhe po ashtu të dënohet penalisht.

Nga ana tjetër, Shpata thotë se qytetarët marrin mesazhe të ndryshme nga politika. Ndërsa dëgjojnë për kërcënime në televizion, në kontaktet lokale, sidomos gjatë fushatave elektorale qytetarëve u mbyllet një sy në këmbim të votave.

Ajo thotë se kishte një rast specifik, i cili i kishte treguar se në këmbim të votave i ishte ofruar “mbrojtje” për ndërtimin pa leje një kat shtesë mbi godinën që ekzistonte. Por pas përfundimit të zgjedhjeve, në shtëpi i kishte shkuar policia dhe personit i duhej të përgjigjej penalisht për shtesën.

“Ajo që shpeshherë vihet re është fakti se ndërtimet pa leje “lulëzojnë” kryesisht në periudhat parazgjedhore,” thotë Shpata.

Të tilla raste raportohen kryesisht në zonat ku informaliteti është i dukshëm dhe ku banorët kanë ardhur nga zona të tjera të vendit dhe ku mbështetja që kërkohet me vota përfshin banorë të një lagje, fisi apo zone. /BIRN/

Aktualitet Durrës ndertime Termet