Sport24 Shtator 2022, 17:50

“Ndoshta gabova që u largova nga Shqipëria”, De Biazi tregon “recetën” si mundet Izraeli

Shkruar nga Pamfleti
“Ndoshta gabova që u largova nga Shqipëria”, De Biazi

“Ndoshta gabova që u largova nga Shqipëria”, De Biazi tregon “recetën” si mundet Izraeli

Me Izraelin kemi përballje interesante vitet e fundit, sepse na kanë shkaktuar humbje të hidhura në shtëpinë tonë, ndërsa kuqezinjtë ua kanë kthyer reston në Tel Aviv. Kështu ndodhi në eliminatoret e Botërorit 2018, kur na mundën në Elbasan 0-3 dhe më pas fituam në fushën e tyre 3-0.

Trajner në të dyja ndeshjet ishte Xhani de Biazi. Edhe në këtë edicion të Ligës së Kombeve “raundin” e parë e fituan izraelitët në “Air Albania” dhe tani do të duhet një tjetër përmbysje si para 5 vitesh në Tel Aviv. Po a ia del dot Shqipëria këtë herë? Vetë Xhani De Biazi thotë “PO”. Ish-trajneri i Shqipërisë jep edhe recetën se si mund të fitohet kundër Izraelit në fushën e tij. Aktualisht ai drejton Azerbajxhanin dhe të enjten shijoi një fitore të madhe kundër Sllovakisë, 2-1 në kohën shtesë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, De Biazi thotë se Shqipëria i ka kartat në rregull për të fituar të dyja ndeshjet dhe për ta mbyllur e para në grup.

De Biazi, ku shijojnë më shumë fitoret: në krye të Shqipërisë apo të Azerbajxhanit?

Jam i lumtur që mundëm Sllovakinë. Ndeshjen e parë e kishim humbur 5-1 dhe ishte një disfatë shumë e rëndë për mua dhe skuadrën, nga ato që nuk e kapërdija dot. Sa i përket “provokimit” tuaj, unë jam nga ata trajnerë që më shijojnë fitoret edhe kur luaj me miqtë, ndaj është e kotë që të bie në kurthin tuaj.

Shqipëria luan kundër Izraelit sot, a mund t’ia dalë atje?

Padyshim që po. Izraeli është skuadër e mirë, por Shqipëria është gjithashtu një ekip i fortë, me lojtarë cilësorë dhe me shumë personalitet.

Po, por kemi shumë mungesa: Gjimshiti, Kumbulla, Manaj, Bare…

Kjo për mua është dytësore. Po, e di që ata janë lojtarë shumë të mirë dhe pjesë e formacionit bazë, por Shqipëria ka lojtarë të tjerë cilësorë që mund të bëjnë mirë në Kombëtare. Brezi aktual i futbollistëve është vërtetë premtues dhe unë mendoj se Shqipëria i ka kartat në rregull për t’i fituar të dyja ndeshjet dhe për të dalë e para në grup.

Po, por Izraeli na mundi në ndeshjen e parë në shtëpi…

E thashë, ata janë një skuadër e mirë, por kjo nuk do të thotë se nuk munden në shtëpinë e tyre. Diçka ka ndodhur në të kaluarën me ta… (qesh).

Po, i kemi mundur kur ju drejtonit Kombëtaren, madje ndeshjen e parë e kishim humbur 3-0 në Elbasan. A keni ndonjë “porosi” për Rejën?

Asnjë porosi për Rejën. Ai është një trajner i zoti, që di shumë mirë se çfarë duhet të bëjë. Do të ishte jo korrekte që unë tashmë i shkëputur nga Shqipëria prej kaq shumë vitesh të jepja këshilla në distancë për një koleg. Unë kam besim te skuadra dhe trajneri.

Dakord, po ua bëjmë ndryshe pyetjen… Çfarë bëtë me skuadrën që pasi humbët 3-0 në Elbasan, u hakmorët atje duke fituar gjithashtu 3-0?

Së pari, më lejoni t’ju them se ajo humbje në Elbasan ishte e çuditshme. Penalltia dhe kartoni i kuq aq shpejt kushtëzuan gjithçka. Madje, mendoj se që aty u vendos fati i atij takimi. Praktikisht, pas atij episodi nuk pati më histori, sepse gjërat për ne shkuan keq. Ndërsa për ndeshjen e kthimit, nuk mund t’ju them me saktësi se çfarë kemi punuar në stërvitjen që kryem në Turqi, por mbaj mend që lojtarët ishin si të “plagosur”. Pra, ishte një skuadër me karakter dhe e ndieja, e lexoja në sytë e tyre që kërkonin revansh ndaj Izraelit. U kërkova vetëm që të jenë të qetë dhe të mos bien pre e provokimeve dhe të shfrytëzojnë rastet që do u jepeshin. Për fat të mirë i shfrytëzuam rastet dhe Sadiku ka shënuar dy gola. Ishte një lehtësim edhe për mua. Humbjen 3-0 në Elbasan e vuajta shumë dhe vetëm pas fitores në Izrael u ndieva i çliruar.

Po, por pas asaj fitoreje ju ikët nga Shqipëria. Si mundet që një trajner të largohet nga drejtimi i skuadrës, pasi ka fituar 3-0 në transfertë?

Eh, pyetje me vend. Në fakt në atë periudhë unë në kokën time kisha bindjen se nuk kishte shumë alternativa në horizont. Pra, kisha një brez lojtarësh, shumica e të cilëve mendoja se e kishin kryer ciklin me Kombëtaren dhe nuk po gjeja opsionet e duhura për ta pasuruar skuadrën dhe për të mbajtur të njëjtin standard me atë që arritëm në “Euro 2016”. Kjo ishte arsyeja kryesore pse vendosa që të largohesha.

A mendoni që gabuat?

Ndoshta, por nga ta dija se vetëm për pak vite do të shpërthenin kaq shumë talente?! Sot flasim për Brojën që është i shkëlqyer, për Kumbullën, Bajramin, Asllanin, Balliun etj. Nuk mendoja se do të dilnin kaq shpejt dhe kaq shumë sinqerisht. Por më vjen mirë që sot Shqipëria ka një skuadër vërtetë cilësore, që mund të matet edhe me të mëdhenjtë pa pasur asnjë frikë apo shenjë inferioriteti. Realisht mendoj se sot ky brez është shumë i mirë.

A e kujtoni golin e Salihit kundër Norvegjisë?

Po, patjetër që po. Është një nga golat më të bukur që ka shënuar Shqipëria.

A e dini që Shqipëria nuk ka shënuar asnjë gol nga goditjet standarde gjatë kohës që e drejton Reja?

(Mendohet pak sekonda…) Nuk e dija të them të drejtën. Më duket e çuditshme, por ndoshta është edhe çështje lojtarësh. Ose edhe çështje fati. Nuk e di arsyen, edhe pse më duket e çuditshme. Ne dikur edhe e shënonim ndonjë… (qesh).

Kaçe kundër Francës ishte një tjetër perlë apo jo?

Po, por Francës i shënuam edhe në Europian. Pastaj u shfaq Grizmani, ai Grizmani i mallkuar që na ndëshkoi në fund. Oh sa shumë e kam vuajtur atë humbje. Ishim aq pranë një arritjeje madhështore.

De Biazi, a keni menduar të ktheheni një ditë në Shqipëri?

Ma keni bërë këtë pyetje edhe herë të tjera. Shqipëria është një vend që unë e dua shumë, kam një lidhje speciale dhe e kam ndier gjithnjë dashurinë dhe respektin e popullit shqiptar. Në jetë nuk i dihet asnjëherë, por unë tani jam trajner i Azerbajxhanit dhe natyrisht do përpiqem të bëj më të mirën këtu ku jam.

A keni folur me Dukën së fundmi?

Po, më uroi për fitoren kundër Sllovakisë të enjten në mbrëmje. Kaq.

Si del ndeshja në Izrael?

Fiton Shqipëria.

Pse?

Sepse ka një skuadër shumë të mirë./Panorama Sport

Sport ish-trajneri i Shqipërisë ndeshja me Izraelin Xhani De Biazi