Aktualitet24 Tetor 2022, 19:15

Ndryshimet në ligjin për të drejtën e informimit priten me kritika

Shkruar nga Pamfleti
Ndryshimet në ligjin për të drejtën e informimit priten me

Ndryshimet në ligjin për të drejtën e informimit priten me kritika

Ekspertët e medias i thanë BIRN se ndryshimet ligjore për aksesin në informacion mund të ndikojnë në mbylljen e mëtejshme të institucioneve dhe të pamundësojnë punën e gazetarëve për ta mbajtur pushtetin përgjegjës.

Ministria e Drejtësisë ka publikuar një draft për ndryshimin e ligjit për të drejtën e informimit, duke përfshirë një nen të ri për të ashtuquajturat ‘kërkesa abuzive’ si dhe ulje të gjobave administrative ndaj autoriteteve publike që refuzojnë dhënien e informacionit.

Sipas propozimit të publikuar për konsultim publik, ligjit ekzistues i shtohet një nen i ri që u jep mundësinë institucioneve publike që t’i cilësojnë kërkesat për informacion si “abuzive” pa ndonjë kriter të përcaktuar qartë dhe të refuzojë përgjigjen ndaj tyre.

“Kur kërkesat për informim janë haptazi abuzive, veçanërisht për shkak të karakterit të tyre përsëritës, autoriteti publik mund të vendosë të përfundojë procedurën administrative pa një vendim përfundimtar. Barra e provës për të vërtetuar natyrën e abuzive të kërkesës i përket autoritetit publik,” thuhet në projektligj, ndërsa shtohet se vendimi i autoritetit publik mund të kundërshtohet te Komisioneri për të Drejtën e Infomimit.

Ligji për të drejtën e informimit u hartua me asistencë ndërkombëtare dhe u miratua nga Kuvendi i Shqipërisë në vitin 2014. Qeveria e argumenton nevojën e ndryshimit të ligjit me “qëllim shmangien e vakumit ligjor që mund të krijohet si pasojë e hartimit të legjislacionit të ri në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale”.

Sipas ekspertëve të medias, ndryshimet ligjore mund të sjellin një përkeqësim të së drejtës për informim në Shqipëri.

“Nuk ka asnjë provë të besueshme se dikush në Shqipëri ka abuzuar me të drejtën e aksesit në informacion. Provat tregojnë të kundërtën: autoritetet fshehin arbitrarisht informacionin publik nga mediat dhe gazetarët,” tha Flutura Kusari nga Qendra Europiane për Lirinë e Medias, ECPMF.

Kjo është një përpjekje tjetër për mbylljen hermetike të institucioneve publike për t’i bërë të pamundur gazetarëve që të mbajnë përgjegjës pushtetin,” shtoi Kusari për BIRN, ndërsa theksoi se ndryshimet e propozuara mund të cenojnë mediat e pavarura.

Ndryshe nga Kusari, avokatja Irena Dule nga qendra “Res Publica” i tha BIRN se problemi i projektligjit nuk është se si “i trajtojnë autoritetet kërkesat abuzive, por si i trajtojnë kërkesat e bazuara”.

Dule shtoi se drafti i publikuar nga Ministria e Drejtësisë ka reflektuar shumicën e komenteve të qendrës “Res Publica”, por nuk ka arritur të rregullojë situatën që autoritetet publike të detyrohen të trajtojnë kërkesat për informacion.

“Nuk jemi në kushtet kur autoriteti merr vendime për çdo kërkesë të bazuar dhe si të rregullojmë situatën me kërkesat abuzive. Jemi në situatën si t’i bëjmë autoritetet t’u përgjigjen kërkesave normale. Dhe kjo zgjidhet vetëm nëse vetë Komisioneri merr vendime në çdo rast të mosdhënies së informacionit nga autoriteti. Mendoj se ligji duhet te theksonte këtë;  pra detyrimin e Komisionerit që të merrte vendime”– tha Dule.

Projektligji parashikon gjithashtu ulje të kufirit të gjobave nga 150 mijë lekë në 50 mijë lekë në rastet kur autoritetet publike refuzojnë të japin informacionin e kërkuar. Dule shprehet se gjobat e larta nuk e rregullojnë situatën, por ajo shton se: “vendosja e tyre duhet të jetë e shpeshtë dhe ndaj drejtuesve dhe titullarëve, bashkë me koordinatorin”.

Në relacionin shpjegues, një nga problematikat e zbatimit në praktikë të ligjit është ngarkimi me përgjegjësi vetëm i koordinatorit për të drejtën e informimit.

“Në praktikë, gjatë inspektimeve të kryera nga Komisioneri është konstatuar se përgjegjësia për mosdhënien e informacionit nuk ka qenë e drejtpërdrejtë e koordinatorit. Pra, pavarësisht se koordinatori përmbush kompetencat e tij dhe për shkaqe të pavarura nga vullneti apo veprimet/mosveprimit e tij, sipas dispozitave aktuale, ngarkohet me përgjegjësi administrative për mosdhënien e informacionit,” thuhet në relacion.

Sipas Ministrisë së Drejtësisë, ulja e gjobës bëhet, pasi në shumë raste, gjoba ka rezultuar disafish më e madhe se paga e koordinatorëve për të drejtën e informimit.

Aktualitet e drejta e informimit manja