Politike24 Mars 2022, 21:46

Berisha var shpresat te Gjykata e Tiranës për të marrë PD, sulmon Gazmend Bardhin për statutin e 11 dhjetorit

Shkruar nga Pamfleti
Berisha var shpresat te Gjykata e Tiranës për të marrë PD,

Ish-kryeministri Sali Berisha duket se ka varur shpresat te Gjykata e Tiranës për të marrë frenat e PD. Nesër gjyqtari Agron Zhukri ka thirrur një seancë gjyqësore, ku do të shqyrtojë kërkesën e Komisionit të Rithemelimit për ndryshimet statutore të Kuvendit të 11 dhjetorit.

Sekretari i PD, Gazment Bardhi në një studio televizive u shpreh se gjyqtari mund të marrë çdo vendimi të dojë nëse i ka thënë burgut hapu. Por kjo ka sjellë reagimin e Komisionit të Rithemelimit. Sipas deklaratës së shpërndarë nga Floriana Garo, Bardhi po bën presion e shantazh ndaj gjyqtarit.

“Sot, para vendimit të gjykatës për Kuvendin e Partisë Demokratike të datës 11 Dhjetor 2021 deputeti Gazmend Bardhi ka ndërmarrë ndaj gjykatësit të çështjes një sulm kërcënues të pa shembull që nga sulmi ndaj kolegjit zgjedhor të Edvin Ramës në vitin 2007. Deputeti Bardhi me sulmin dhe kërcënimet e tij publike ndaj gjykatësit para dhënies së vendimit po kryen një vepër të rëndë penale, për të cilën ai do të vendoset para ligjit. Partia Demokratike dënon me ashpërsinë më të madhe këtë qëndrim të pa-denjë që përbën vepër flagrante penale dhe shton se sulmi i Bardhit ndaj gjyktësit, shpifjet dhe trillimet e tij lidhen para së gjithash me çështje të tija personale me ligjin, për të cilat ai mban përgjegjësi direkte dhe nuk kanë asnjë lidhje me Partinë Demokratike dhe normat e saj”, tha Garo.

Politike Bardhi Berisha Garo