
Në 29 janar, goditja e fortë ndaj Sali Berishës
Përballë vendimit të KQZ, Saliut i mbetet vetëm një mundësi ligjore: të mos e kërkojë njohjen si kryetar i PD, me kërcënime për trazira e zjarrvënie, por të qëndrojë urtë deri sa të shpallet vendimi për vulën dhe të bindet, ose nëse ka këllqe le të veprojë si në vitet kur e lejonin
“Non grata” Sali Berisha, u betua se në zgjedhjet e 14 majit, “Foltorja” do marrë pjesë me logon zyrtare të PD; e nëse KQZ nuk do ta regjistrojë si PD, ai kërcënoi se “do t’i vërë flakën vendit”.
Kërcënimi i Saliut, është paralajmërim që ka lidhje, me faktin se po i afron data kur atij dhe Foltores, me një procedurë administrative rutinë do t’i jepet goditja e parë e fortë zyrtare, duke mos e njohur si PD e as si parti zgjedhore.
Më 29 janar 2022 është afati i fundit ligjor, që KQZ i ka lënë 4 partive parlamentare PS, PD, PSD e PL, për të dorëzuar emrat e anëtarëve përfaqësues në Komisionet e Zonave Zgjedhore, ku PS e PD do kenë nga 2 anëtarë, PSD e PL do kenë nga 1 anëtar, ndërsa anëtari i shtatë do ndahet me short mes PS e PD, sipas rregullit me numrat çift e tek të KZAZ-ve.
Foltorja e Sali Berishës, nuk do ketë anëtar në KZAZ e për rrjedhojë, afatet e marrjes së vendimit të gjyqit për vulën, do ta lënë pa komisionerë e vëzhgues edhe në qendrat e votimit e numërimit, mbasi Foltorja nuk është parti apo subjekt zgjedhor.
Përjashtimi nga përfaqësimi në KZAZ e bashkive, nuk bëhet me urdhër të Edi Ramës apo të Enkelejd Alibeajt, por me përcaktim të Kodit Zgjedhor, që nuk e njeh Foltoren si PD, paçka se ka vendim gjyqësor të shkallës së parë.
Me mendësinë e viteve 1998-2005 kur e lejonin të rrëmbente tanket, t’i vinte flakën vendit dhe nuk e çonin në qeli, Sali Berisha kërcënoi se do organizojë kaos e akte dhune, nëse më 14 maj nuk regjistrohet si PD, duke i dhënë sinjal paralajmërues drejtësisë për t’i dhënë vulën.
Këtë kërcënim, Sali Berisha e bëri para datës 29 janar, për të detyruar KQZ-në, që anëtarë të KZAZ-ve përfaqësues të PD, të regjistrojë emrat e propozuar prej Foltores.
Kjo nuk do bëhet, sepse Sali Berisha nuk ka tagër të caktojë anëtarë të KZAZ-ve, mbasi nuk figuron kryetar i PD në regjistrin e partive politike, por e ka kryetari Lulzim Basha, i deleguari i tij Enkelejd Alibeaj, ose Sekretari i Përgjithshëm Gazmend Bardhi.
Ndërsa Saliut, përballë vendimit ligjor të KQZ, i mbetet vetëm një gjë: Të mos e kërkojë njohjen si kryetar i PD, me kërcënime për trazira e zjarrvënie, por të qëndrojë urtë deri sa të shpallet vendimi për vulën e të bindet, ose nëse ka këllqe, le të veprojë si në vitet kur e lejonin./Pamfleti