
Në Itali flasin për divorc me Interin, Kristjan Asllani kërkon largimin nga zikaltërit
Një lajm “bombë” vjen nga Italia. Kristjan Asllani nuk është i lumtur tek Interi dhe kërkon me ngulm largimin nga zikaltërit në formulën e huazimit.
Sipas asaj që raporton “TuttoMercatoWeb”, minutazhi i paktë dhe pankinat e shumta edhe pse Marselo Brozoviç është ende i dëmtuar, janë arsyet që media e njohur italiane sqaron se fantazisti i Kombëtares shqiptare dëshiron largimin nga Interi që në janar, muajin që përkon me hapjen e dritares së transferimeve.
20-vjeçari nga Elbasani erdhi tek ekipi i Simone Inzagit për të qenë zëvendësuesi i Marselo Brozoviç në rolin e regjisë përpara mbrojtësve, por mesa duket tekniku italian ka preferuar më së shumti Hakan Çalhanollunë dhe Henrik Mikitarianin në rolin e Brozoviçit të dëmtuar.
Nuk dihet ende nëse Interi dëshiron të privohet ose jo nga vetë futbollisti kuqezi, i cili dëshiron të largohet në huazim te ndonjë skuadër që i garanton minuta në këmbët e tij.
Aktualisht në të gjitha kompeticionet me fanelën e Interit, Kristjan Asllani është aktivizuar në total në 8 ndeshje, duke mos shënuar dhe asistuar asnjë herë.