Aktualitet22 Qershor 2022, 16:05

Në makinën e shoferit të Ben Qimes, KPA rrëzon vendimin e KPK dhe shkarkon Rilinda Selimin

Shkruar nga Pamfleti
Në makinën e shoferit të Ben Qimes, KPA rrëzon vendimin e

Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka shkarkuar nga detyra gjyqtaren Rilinda Selimi. Gjyqtarja e Gjykatës Administrative të Apelit u konfirmua në detyrë nga KPK, por vendimi u ankimua.

Ka pasur shumë diskutime si takon rivlerësimit të saj, ndërsa pati akuza se ajo ka udhëtuar në makinën e shoferit të bosit të drogës Ben Qimja. Po ashtu pati debate dhe për faktin se bashkëshorti i saj, ish-gjyqtari Shkëlzen Selimi jo vetëm që doli nga sistemi, por është hetuar nga SPAK.

Gjykata Speciale pranoi kërkesën e SPAK për të sekuestruar ½ e një karburanti në Shëtitoren Lungomare në Vlorë, me sipërfaqe trualli 432 m² dhe sipërfaqe ndërtimi 132.25 m², në emër të Shkëlzen Selimit dhe të babait të tij, me arsyetimin se nuk justifikohet me të ardhura të ligjshme.

Karburanti në Lungomaren e Vlorës shkarkoi protesta në prill të vitit 2020, pasi pengonte projektin. Në atë kohë pati një reagim edhe nga kryeministri Rama, i cili tha se karburanti ishte ‘peshqesh i KÇK-së’, një term i përdorur për gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar.

Karburanti i famshëm ishte objekt verifikimi nga KPK-ja, gjatë shqyrtimit të dosjes së Rilinda Selimit. Pas hetimeve, KPK-ja doli në konkluzionin se karburanti ishte ngritur në mënyrë të ligjshme, duke mos gjetur asnjë problematikë. Gjithashtu, Pamela Qirko, Lulzim Hamitaj dhe Olsi Komici e konsideruan të pastër figurën e gjyqtares Rilinda Selimit, e cila sipas tyre, nuk ishte ndikuar nga marrëdhëniet e bashkëshortit me krimin.

Por në KPA duket se Selimi nuk ja ka dalë dot të justifikohet. Komisioneri Publik gjeti shkelje si në kriterin e pasurisë dhe në atë të figurës gjë që është pranuar nga KPA.

Aktualitet KPA Selimi veting