Bota 3 Prill 2022, 20:31

Në Serbi, Putini është një “vëlla” dhe Rusia një tjetër viktimë e Perëndimit

Shkruar nga Pamfleti
Në Serbi, Putini është një “vëlla” dhe

Në Serbi, Putini është një “vëlla” dhe Rusia një tjetër viktimë e Perëndimit

Ndjenja e viktimizimit në Serbi është shumë e thellë. Serbët i shohin krimet e kryera nga bashkëkombasit e tyre gjatë luftërave ballkanike të viteve 1990 si një përgjigje mbrojtëse ndaj vuajtjeve të përjetuara nga serbët, ashtu si Putin e paraqet pushtimin e tij të përgjakshëm të Ukrainës si një përpjekje të drejtë për të mbrojtur rusët e persekutuar etnikë, që i përkasin “Russky Mir, Botës Ruse”.

Shkruan Andrew Higgins “The Indipendent”

I ndërgjegjshëm për plagët ende të hapura nga bombardimet e NATO-s ndaj Serbisë më shumë se 20 vjet më parë, ambasadori i Ukrainës në Beograd, u shfaq në një televizion serb pak ditë pasi Rusia kishte nisur pushtimin dhe bombardimin e vendit të tij, me shpresën e ngjalljes së simpatisë tek qytetarët serbë.

Por në vend që të gjente kohë për të shpjeguar vuajtjet e Ukrainës, ambasadori Oleksandr Aleksandrovych, u përball me një lumë sharjesh dhe fyerjesh nga analistët serbë pro-rusë, dhe videot e gjata të presidentit rus Vladimir Putin, që e denonconte Ukrainën si një “fole nazistësh.”

Emisioni i transmetuar nga “Happy TV”, qartazi pro-qeveritar, zgjati 3 orë, dhe më shumë se gjysmën e kohës u shfaqën deklaratat e Putin. I zemëruar nga kjo gjë, ambasadori iu ankua producentit për transmetimin e propagandës pro-Kremlinit. Por ky i fundit i tha të mos e merrte dhe aq personalisht, pasi Putini “është i mirë në vlerësimin tonë”.

Që udhëheqësi rus, i parë nga shumë njerëz në Perëndim, duke përfshirë presidentin amerikan Joe Biden, si një kriminel lufte, shërben në Serbi si një figurë joshëse për shikuesit, kjo është një kujtesë se Kremlini ka ende admirues në Evropë.

Ndërsa Gjermania, Polonia dhe disa vende të tjera të Bashkimit Evropian, po tregojnë solidaritet me Ukrainën duke valëvitur flamurin e saj jashtë ambasadave të tyre në Beograd, një rrugë aty pranë vlerëson lart Putinin. Një murale e pikturuar mbi një mur përmban një imazh të liderit rus krahas fjalës “Vëlla” të shkruar në serbisht.

Një pjesë e joshjes që ngjall Putin këtu, ka të bëjë me imazhin e tij si një lider i fortë, një model tërheqës për presidentin Aleksandër Vuçiç, liderin gjithnjë e më autoritar të Serbisë dhe kryeministrin Viktor Orban, liderin luftarak dhe jo liberal të Hungarisë.

Teksa këtë të diel përballen me zgjedhjet parlamentare, udhëheqësit serbë dhe hungarezë e shohin gjithashtu Rusinë si një burim të besueshëm energjie për t’i mbajtur të lumtur votuesit. Sondazhet sugjerojnë se të dy do të fitojnë.

Pastaj është historia, ose të paktën një version i mitologjizuar i së kaluarës, që në rastin e Serbisë, e paraqet Rusinë, si një komb tjetër të krishterë sllav dhe ortodoks, si një mik dhe një mbrojtës të palëkundur të saj ndër shekuj.

Por ndoshta më i rëndësishëm është roli i Putin si një frymëzim për kombet, të cilat pavarësisht nga krimet e tyre në të kaluarën, e shohin veten si viktima dhe jo si agresorë, ku politika dhe psikika e të cilëve sillet rreth kulteve të viktimizimit të ushqyer nga pakënaqësia dhe ankesat ndaj Perëndimit.

Arijan Djan, psikoterapiste nga Beogradi, thotë se është e tronditur nga mungesa e ndjeshmërisë në mesin e shumë serbëve për vuajtjet e ukrainasve. Nga ana tjetër ajo e kupton se shumë prej tyre bartin ende plagët e traumave të së kaluarës, të cilat zhdukin çdo ndjenjë empatie për dhimbjen e të tjerëve.

“Individët që vuajnë nga trauma me të cilat nuk janë përballur kurrë, nuk mund të kenë ndjeshmëri për të tjerët. Shoqëritë, ashtu si individë e lënduar nga traumat, përsërisin pa pushim të njëjtat histori të vuajtjeve të tyre. Dhe kjo fshin çdo përgjegjësi të tyre për atë që u kanë bërë të tjerëve”, thotë ajo.

Ndjenja e viktimizimit në Serbi është shumë e thellë. Serbët i shohin krimet e kryera nga bashkëkombasit e tyre gjatë luftërave ballkanike të viteve 1990 si një përgjigje mbrojtëse ndaj vuajtjeve të përjetuara nga serbët, ashtu si Putin e paraqet pushtimin e tij të përgjakshëm të Ukrainës si një përpjekje të drejtë për të mbrojtur rusët e persekutuar etnikë, që i përkasin “Russky Mir, Botës Ruse”.

“Bota Ruse e Putinit është një kopje e saktë e asaj që nacionalistët tanë e quajnë Serbia e Madhe”, thotë Bosko Jaksic, kolumnist në një gazete pro-perëndimore. Që të dyja, shtoi ai, ushqehen me histori që pjesërisht përkujtojnë padrejtësitë e së kaluarës, dhe kujtimet e fshira të mëkateve të tyre.

Narrativa e viktimave është aq i fortë midis disave në Serbi, sa që “Informer”, një gazetë tabloide që pasqyron shpesh mendimet e presidentit Vuçiç, raportoi muajin e kaluar mbi përgatitjet e Rusisë për pushtimin e Ukrainës me një titull në faqen e parë, duke e cilësuar  Moskën si një viktimë të pafajshme: “Ukraina sulmon Rusinë!” shkruhej në krye të faqes së parë.

Qeveria serbe, e kujdesshme që të mos djegë të gjithë urat e bashkëpunimit me Perëndimin, por e ndjeshme ndaj simpatisë së gjerë të publikut për Rusinë si një viktimë tjetër e padrejtë, i ka nxitur mediat të mbajnë një qëndrim më neutral, shprehet Zoran Gavrilovic, drejtor ekzekutiv i “Birodi”, një organizatë monitoruese e pavarur i medias në Serbi.

“Rusia nuk kritikohet thuajse asnjëherë, por janë zbehur sulmet ndaj Ukrainës”, shton ai.

Ambasadori ukrainas në Serbi, Aleksandrovych, thotë se e mirëpret ndryshimin e tonit, por ai sheh se serbët e kanë të vështirë të shohin përtej vuajtjeve të tyre për shkak të bombardimeve të NATO-s në vitin 1999.

“Për shkak të traumës së asaj që ndodhi 23 vjet më parë, çfarëdo lloj gjëje e keqe që ndodh në botë shihet si faji i Amerikës”, deklaron ai. Edhe Hungaria, aleate me palën humbëse në të dyja luftërat botërore, ka një kompleks të tepruar të viktimizimit, që i ka rrënjët në humbjen e pjesëve të mëdha të territorit të saj.

Orban i ka ushqyer për vite me radhë këtë pakënaqësi, shpeshherë duke u rreshtuar me Rusinë dhe kundër Ukrainës, e cila kontrollon një pjesë të ish-territorit hungarez, dhe është shfaqur dukshëm si një mbrojtës i hungarezëve etnikë që jetojnë përtej kufirit të vendit.

Në Serbinë fqinje, Vuçiç, i interesuar të shmangë largimin prej tij të votuesve pro-rusë përpara zgjedhjeve të së dielës, ka kundërshtuar vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, por edhe pezullimin e fluturimeve ndërmjet Beogradit dhe Moskës. Gjithsesi, Serbia votoi pro një rezolute të Kombeve të Bashkuara më 2 mars, që dënonte pushtimin e Rusisë.

Më shumë se 2 dekada pas përfundimit të luftërave në Ballkan, shumë serbë i mohojnë ende  krimet e luftës në Srebrenicë, ku ushtarët serbë masakruan më shumë se 8.000 boshnjakë në vitin 1995, dhe ato në Kosovë, ku persekutimi brutal serb ndaj shqiptarëve etnikë shkaktoi edhe fushatën e bombardimeve të NATO-s në vitin 1999.

E pyetur nëse e miratonte luftën e nisur nga Putini në Ukrainë, teksa ecte pranë murales së krijuar në Beograd për nder të tij, Milica Zuric, një punonjëse banke 25-vjeçare, u përgjigj me pyetjen pse mediat perëndimore fokusohen vetëm tek vuajtjet e Ukrainës kur “nuk shfaqën asnjë interes për dhimbjet e serbëve” të shkaktuar nga avionët luftarakë të NATO-s në vitin 1999.

“Askush nuk qau për atë që na ndodhi atëherë”, thotë ajo. Teksa shumica e mediave botërore u fokusuar javën e kaluar tek shkatërrimi i qytetit ukrainas të Mariupolit nga Rusia, Serbia përkujtoi fillimin e fushatës së bombardimeve të NATO-s.

Në faqet e para u botuan foto të ndërtesave dhe linjave hekurudhore të shkatërruara nga NATO. “Ne nuk mund të harrojmë. Ne e dimë se çfarë do të thotë të jetosh nën bombardime”, shkruante në faqen e parë e përditshmja “Kurir”, një tabloid pro-qeveritar.

Një grup i vogël protestuesish u mblodhën jashtë ambasadës amerikane në Beograd, dhe më pas iu bashkuan një demonstrate shumë më të madhe pro-ruse. Protestuesit valëvitnin flamuj rusë dhe pankartat me shkronjën Z, që është bërë një emblemë e mbështetjes për pushtimin rus të Ukrainës.

Damnjan Knezevic, kreu i Patrullës Popullore, një grupim i së djathtës ekstreme që e organizoi tubimin, tha se ndihet solidar me Rusinë, pasi ajo është portretizuar si një agresore në Perëndim, ashtu si Serbia në vitet 1990, kur sipas tij “Serbia ishte në realitet viktima më e madhe”.

“Rusia ka për detyrë të mbrojë bashkëatdhetarët e saj etnikë në Ukrainë, ashtu siç bëri Serbia në Bosnje, Kroaci dhe Kosovë”, shton Knezevic. Ndërkohë Bosko Obradovic, kreu i DVERI, një parti konservatore serbe, tha se i vjen keq për viktimat civile në Ukrainë, por këmbëngul se “NATO ka një përgjegjësi të madhe” për fatin e tyre.

Predrag Markovic, drejtor në Institutin e Historisë Bashkëkohore në Beograd, thotë se historia shërbeu si themeli i kombësisë, por kur shtrembërohet nga axhendat politike, ajo “ofron gjithmonë mësime të gabuara”. Rasti i vetëm i një vendi në Evropë që ka pranuar plotësisht krimet e tij në të kaluarën, shton ai, ishte Gjermania pas Luftës së Dytë Botërore. “Gjithë të tjerët kanë një histori viktimizimi”, shprehet Markovic./Bota.al

Bota #perendim Rusi Serbi viktime Vladimir Putin