
Analisti Andi Bushati theksoi se për momentin e shikon të pamundur bashkimin e Partisë Demokratike, sepse në politikë nuk mund të ulesh pa kushte.
‘Bashkimi i PD për momentin duket mision i pamundur. Çelësin e gjej te kjo pa kusht. Nuk mund të ulesh në politikë pa kushte. Unë nuk do pranoja kurrë të negocioja me një grup që mban një gjë që i shërben Edi Ramës. Secila palë në politikë, kur shkon në bisedime shkon me kushte të caktuara”, deklaroi ai.
Pas mbledhjes me grupin e PD, Enkelejd Alibeaj deklaroi se partia duhet të dalë me një kandidat të vetëm, për çdo bashki në zgjedhjet e ardhshme vendore.
Ditën e djeshme, Gazment Bardhi dhe Edi Paloka patën një takim kokë më kokë për rreth 90 minuta.
Pas takimit, Bardhi u bëri thirrje demokratëve që të mos jenë ‘të ngrirë’ në këtë proces bashkimi, duke theksuar se njëanshmëria nuk e ndihmon këtë proces.
Bardhi tha se dy palët duhet të gjejnë jo vetëm një kandidat të përbashkët përmes mirëkuptimit, por duhet të jetë një kandidat që të fitojë zgjedhjet e ardhshme vendore.
“Nuk do të zbardh në detaje duke ju kërkuar dhe ndjesë opinionit publik për atë që kam biseduar. Dua të konfirmoj se takimi ka qenë konstruktiv dhe me frymë mirëkuptimi për të gjetur një mekanizëm që siguron bashkëpunim të sinqertë mes demokratëve. Asnjëri s’ka patur diskutim për çështje të caktuar. Apeli im është që njëanshmëria nuk e ndihmon këtë proces. Demokratët kanë nevojë të jenë bashkë për të mundur Edi Ramën dhe këtë proces e dëmton vetëm njëanshmëria. Çdo rrugë e njëanshme që synon imponimin ndaj një pjese të demokratëve nuk do ishte zgjidhje për të mundur Edi Ramën.
Nuk kam ndërmend të bëj bisedime para kamerave. Sot kam shkëmbyer disa mendime me Palokën për të gjetur një rrugë si bashkëpunojnë demokratët. Kur flas për njëanshmëri, flas për pozicione të ngurta të secilës palë. Nëse secila palë qëndron e ngurtë në pozicionin e vet, bashkëpunimi minohet. Nëse kemi hyrë në mënyrë të qetë në proces, nuk duhet të minojmë dialgoun.
Ajo që po them është e qartë për anëtarët e PD, për demokratët e qytetarët që duan të sjellin ndryshimin në zgjedhjet e ardhshme vendore. Duhet të krijohet një moment bashkëpunimi i sinqertë për të gjretur një kandidat të përbashkët fitues.”, tha Bardhi në pronocimin për mediat.
Takimi mes Gazmend Bardhit dhe Edi Palokës u zhvillua pa praninë e mediave, në një prej lokaleve të Tiranës në afërsi të parlamentit.