Kosova 2 Shkurt 2023, 11:37

Negociatat me Kosovën, Vuçiç raporton në Kuvend: Nuk guxoj dot të prezantoj të gjithë planin evropian

Shkruar nga Pamfleti
Negociatat me Kosovën, Vuçiç raporton në Kuvend: Nuk

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç në seancën e posaçme në Kuvendin serb për Kosovën, tha se nuk guxon dot të prezantojë të gjithë planin evropian.

“Qëllimi është të dal para jush dhe qytetarëve dhe sinqerisht dhe haptazi të ndaj atë që na pret dhe çfarë po përballemi”, tha Vuçiç në Kuvend.

Sot Kuvendi serb po debaton për raportin e Qeverisë në Beograd lidhur me N. Me të mbërritur në Kuvend, opozita serbe mbajti pankarta me fotografinë e politikanit të vrarë serb, Oliver Ivanoviç, me mbishkrimin “Do të përgjigjesh” si dhe “Vuçiç e tradhtove Kosovën”.

Seanca plenare po mbahet pasi presidenti i Serbisë ka pranuar propozimin nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Vuçië tha se nuk guxon të tregojë të gjithë planin evropian para Parlamentit, por vetëm pjesët më të këqija për Serbinë.

“Ajo që është më e rëndësishme është se plani është korniza politike, momenti në të cilin ndodh gjithçka”, tha Vuçiç.

Presidenti serb tha se ekipit diplomatëve evropianë dhe amerikanë, me të cilët ka biseduar më 20 janar në Beograd, i ka thënë se ka rezerva të mëdha për çështjen kyçe.

“Ka edhe gjëra të mira në plan, nuk do të flas për to”, shtoi ai.

Propozimi i BE-së, apo siç njihet edhe si plani franko-gjerman, mbështetet edhe nga Shtetet e Bashkuara.

Plani nuk është bërë publik, por u është prezantuar palëve.

Lideri serb konfirmoi se 90 për qind e asaj që është bërë publike për përmbajtjen e planit është e saktë.

“Në pikën 4, në paragrafin e dytë, shkruhet se Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”, tha ai.

Vuçiq tha se politika e Serbisë do të jetë ruajtja e paqes dhe stabilitetit me çdo kusht.
“Le të përmbahemi dhe të mos përgjigjemi ndaj provokimeve nëse nuk kërcënohen jetët dhe pronat e njerëzve”, theksoi ai.

Ai përmendi edhe sigurinë për serbët në Kosovë dhe tha se Beogradi do të insistojë, siç tha ai, në formimin e Asociacionit e komunave me shumicë serbe.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë bisedime me ndërmjetësimin e BE-së që nga vitit 2011. Procesi ka për qëllim normalizimin e plotë të raporteve përmes një marrëveshjeje përfundimtare, ligjërisht të obligueshme. Kosova kërkon që kjo marrëveshje të përfshijë edhe njohjen reciproke, ndërsa Serbia insiston në një zgjidhje kompromisi – pa specifikuar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.

Prishtine marrëveshja për Serbinë Vucic