Editorial23 Nëntor 2022, 09:26

Nën ujë, por pa energji: Made in Albania

Shkruar nga Pamfleti
Nën ujë, por pa energji: Made in Albania

Pse gënjen Kryeministri për blerjen e energjisë elektrike?

Në morinë e skandaleve të javëve të fundit të kësaj qeverie, ka vetëm një të mirë: lajmi po dekonspiron më shpejt së herët e tjera, sado përpjekje e propagandë prodhon nga Kryeministria Edi Rama. I tillë është edhe lajmi i djeshëm, i publikuar e zeza mbi të bardhë që, pavarësisht se Shqipëria është e zhytur nën ujë, KESH vazhdon të blejë energji elektrike.

Të dielën u hapën portat e kaskadës së Drinit dhe qindra hektarë tokë, bashkë me gjithë çfarë mban gjë të gjallë sipër, janë përmbytur. E thënë në gjuhë shifrash 30% e sasisë ujore është derdhur në det dhe hidrocentralet nuk kanë prodhuar asnjë pikë energjie. Për të mbuluar nevojat e tregut KESH ka blerë një sasi energjie prej 42.504 MËH me një çmim prej 228.32 euro. Çmim i kripur për një kohë kur ujin natyra po e derdh me bollëk.

E ndërsa ndodh kjo, zëvendësja e Edi Ramës dhe ajo që firmos për vendimet energjetike në Shqipëri, Belinda Balluku, bënte shoping në Greqi.

A duhet të mbajë dikush përgjegjësi për këtë? Po të ishim një vend normal po!

Por Edi Rama ia ka marrë dorën kësaj pune dhe siç bën gjithmonë, edhe për këtë doli e gënjeu. Ai tha se vendimi për të blerë energjinë është marrë me 11 nëntor, atëherë kur “nuk e dinim që do të binte shi”.

Pse gënjen kaq rëndë dhe kaq hapur Edi Rama? Çfarë duhet bërë me një Kryeministër gënjeshtar si ky?

E para, parashikimi i motit për kompani si KESH, nuk është çështje app-esh të instaluar në celular. Nuk po merremi fare me Shërbimin Meteorologjik Ushtarak, prej nga KESH-i mund të informohej e ta merrte informacionin që i duhej. Le të themi që ose nuk i shkoi mendja, ose nuk beson tek saktësia e parashikimit të këtij shërbimi. Po me sistemin 1.5 milion eurosh që KESH bleu, pikërisht për të parashikuar motin, çfarë ndodhi. Domethënë, pak muaj më parë, me bekimin e Belinda Ballukut, KESH bleu për plot 1.5 milionë euro një sistem special satelitor që jo vetëm parashikonte me saktësi motin, por jep informacion të saktë edhe për sasinë e shiut dhe përllogarit sakte edhe prurjet e kaskadës së Drinit.

A thua nuk iu punoi sistemi Belindës?

Le të supozojmë se sistemi nuk punoi dhe këta nuk u besuan app-ve të parashikimit te motit. Po a e di Kryeministri se puna e KESH është pikërisht kjo: të prodhojë energji për furnizimin e vendit, të depozitojë jashtë energji kur ka ujë me bollëk dhe atë depozitim ta marrë mbrapsht kur të ketë nevojë. Kur këto mbarohen atëherë del në treg dhe e ka merak vetë ta blejë kilovatin sa frëngu pulën.

Pse gjatë kësaj qeverisje, KESH nuk po arrin dot të funksionojë dhe energjia made in Albania zhduket natën në “drejtim të paditur” dhe në mëngjes ustallarët e blejnë me paratë e arkës së shtetit 10 fish më shumë duhet. Ku shkojnë këto para?

A do të vijë ndonjëherë dita që dikush të japë llogari për këto?

Shqipëria është nën pushtetin e ujit dhe ndërsa qeveritarët kanë mbushur profilet në Facebook dhe Tëitter me foto “gatishmërie dhe në krye të detyrës”, kupola e Tiranës bën plane koncensioni dhe shet tokën e thatë shqiptare. Ndërkohë që shkruante postimin e radhës për pamundësinë e parashikimit të motit, me siguri Edi Rama do të ketë ëndërruar se si mund ti gjendej ana të jepte me koncension edhe të vetmit hidrocentralë të kohës së Enverit që na mbajnë llambat ndezur./Pamfleti

Editorial energjia elektrike përmbytjet Rama