
Një tjetër shumë e konsiderueshme parash u gjet në banesën e Rozeta dhe Havier Dobit, nënë e bir, të cilët u arrestuan një ditë më parë pasi kishin grabitur 120 mijë Euro në një shtëpi.
Policia e Tiranës njofton këtë të dielë se uniformat blu bënë edhe një tjetër kontroll në banesën e tyre ku gjetën dhe sekuestruan 404,800 euro, 8500 dollarë dhe aksesorë floriri, të gjitha të fshehura në tubin e aspirimit.
Rozeta Dobi, 49 vjeç punonte si pastruese në një shtëpi në “Rrugën e Kosovarëve” në kryeqytet dhe në këtë banesë ajo kishte vjedhur shuma të konsiderueshme parash në vlerën e 120 mijë Eurove.
Dje ajo u arrestua së bashku me të birin dhe iu sekuestruan 58,150 Euro, 7000 Dollarë, 368 000 Lekë, disa sende floriri, rrobat e përdorura për vjedhjen dhe 3 automjete, 2 nga të cilat dyshohet se u blenë me paratë e vjedhura.
Vjedhjen, Rozeta e kishte bërë në bashkëpunim me djalin e saj Havier Dobi, 23 vjeç. Ky i fundit reklamonte jetë luksose në rrjetet sociale.
Nënë e bir e kishin inskenuar vjedhjen si një grabitje.
Edhe pse Rozeta e dinte se ku i mbante paratë dhe sendet me vlerë pronarja e shtëpisë që e kishte punësuar, nënë e bir kishin krijuar rrëmujë në banesë, për të fshehur gjurmët. 49-vjeçarja kishte bërë një kopje të çelësit të shtëpisë dhe kishin hyrë lehtësisht në shtëpi.
Burime të policisë thanë se që në fillim ata kishin qenë të dyshuarit kryesorë. Për këtë arsye, ata janë mbajtur nën vëzhgim për 3 javë me radhë, si pjesë e një operacioni të koduar me emrin “Inside”.
Burime të policisë saktësuan se pronarja e shtëpisë, që jetonte vetëm me vajzën e saj, kishte deklaruar se të ardhurat i kishte krijuar nga puna në emigracion prej disa vitesh.