Kosova29 Korrik 2019, 10:22

Nënkryetari i LDK: Nuk pranojmë qeveri të re, as me kryeministër nga partia jonë

Shkruar nga Pamfleti
Nënkryetari i LDK: Nuk pranojmë qeveri të re, as me

Nënkryetari i LDK: Nuk pranojmë qeveri të re, as me kryeministër nga partia jonë

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) para dy vitesh e gjysmë i ka dhënë fund bashkëpunimit me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), pasi janë treguar si rrënues të urave të bashkëpunimit. Kështu ka deklaruar në një intervistë ekskluzive për gazetën “Zëri”, nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri, duke shtuar se jo vetëm subjektet politike, por as qytetarët nuk kanë më besim te PDK-ja e Kadri Veselit.

Lidhur me krijimin e një qeverie të re pas dorëheqjes së Hradinajt, Haziri theksoi se një qeveri qoftë e përkohshme, e tranzicionit apo e unitetit nuk i jep zgjidhje problemit të madh në vend.

“Këtu është në pyetje legjitimiteti. Nuk ka askush legjitimitet që të marrë mandat në gjysëm e rrugës. Në shtator bëhen dy vjet qëkur PAN-i ka arritur të ndërtojë këtë koalicion dhe natyrisht ne jemi parti e parë dhe që prej 24 majit të vitit të kaluar kemi kërkuar legjitimitet politik para proceseve të mëdha, si dialogu me Serbinë ose edhe probleme të tjera me të cilat Kosova po ballafaqohet. Duhet një legjitimitet qytetar në Kosovë, i cili e bën renditjen e re politike ose ua konfirmon këtë status partive politike. Një qeveri, qoftë ajo e përkohshme, e tranzicionit, e unitetit ose e ngjyrave nuk i jep asnjë lloj zgjidhjeje problemit të madh”, ka thënë Haziri për “Zërin”.

Kështu ai deklaroi se Kosovës i duhet një qeveri e besueshme e cila arrin t`i zgjidhë problemet në vend.

“Aq probleme të mëdha sa ka Kosova, nuk ka mundësi që t’i zgjidhë një qeveri teknike ose surrogat qeveri. Përkundrazi, Kosovës i duhet qeveri e besueshme dhe me peshë të madhe politike, që të arrijë t’i zgjidhë problemet të cilat i ka dhe problemet që janë grumbulluar këto dy vitet e fundit”, ka thënë ndër të tjera Lutfi Haziri…/ZËRI

Prishtine dorëheqja e Ramush Haradinaj Lutfi Haziri nënkryetari i LDK