
Nesër miqësorja me Arabinë Saudite, kombëtarja kuqezi zhvillon stërvitjen e fundit në Abu Dabi
Shqipëria do të përballet ditën e nesërme në transfertë ndaj Arabisë Saudite në testin miqësor që do të zhvillohet në stadiumin “Al Nahyan Stadium” të Abu Dabit. Kjo përballje do të nisë në orën 18:30 sipas orës lokale (16:30 sipas orës shqiptare).
Kuqezinjtë udhëtuan pasditen e së hënës drejt Abu Dabit, për të mbërritur në orët e vona të mbrëmjes dhe është akomoduar në hotel.
Me grupin u bashkuan edhe pesë lojtarët, të cilët kanë qenë të impenjuar me klubet e tyre këtë të diel e më konkretisht Ardit Toli, Mario Mitaj, Bekim Balaj, Elhan Kastrati dhe Gentian Selmani.
Pas akomodimit, Shqipëria ka zhvilluar një seancë teorike e analizë video dhe të martën pasdite në orën 18:00 sipas orës shqiptare, përfaqësuesja ka zbritur në fushën e stadiumit “Al Nahyan” për të zhvilluar seancën e fundit stërvitore para miqësores, e ku kanë marrë pjesë të gjithë futbollistët e ftuar për këtë test.
Trajneri Reja ka pasur mundësi të provojë formacionin e ndeshjes si edhe vendosje te ndryshme taktike në fushë. Grupi është i plotë dhe për fatin e mirë nuk ka pasur probleme fizike për lojtarët e grumbulluar.
Vlen të theksohet se lojtarët e ftuar për këtë miqësore vijnë shumica nga klubet e kampionatit shqiptar, ndërsa një pjesë e vogël vijnë nga kampionate të huaja.