Aktualitet 2 Janar 2023, 19:06

Nga 8 janari te kronika komike në Parlament, Gjekmarkaj tregon si zgjidhet situata në PD: Si me quajtën ‘spiun të Sorosit’ në Shkodër

Shkruar nga Pamfleti
Nga 8 janari te kronika komike në Parlament, Gjekmarkaj tregon si zgjidhet

Edhe sot kur PD vazhdon të jetë ende e përçarë zgjidhja do duhej kërkuar e gjetur përtej Berishës dhe Bashës. Prania e tyre, e të dyve, justifikohet me interesat e tyre personale po jo me perspektin e PD-së për tu bashkuar e për të ardhur në pushtet.

Shkruan Agron Gjekmarkaj

Lëngu i rrushit than maraze e ujit guximin, shkurton distanca e heq pengesa dhe befas e gjen veten trim.
Në mëngjes pastaj ndihesh fajtor i huaj për botën po kaq bota e tillë për ty. Tani që viti 2022 nuk është më, fillon koha e kujtimeve. Duke thënë “ah kujtesa armikja e përjetshme e paqes sime” pikëllohej Servantes muzgjeve Iberike. Njësoj edhe unë si lexues i tij.

Viti 2022 pat filluar me 8 Janar dhe jo me datë 1 siç zakonisht ndodh. Të ftuar nga “Lideri i vogël historik” shkuam për mbledhje në selinë e PD me dyer të blinduara, megjithëse e ndienim çdo të ndodhte. Në fakt kisha dilema të mëdha që burojnë tek mosbesimi që njerëzit shkaktojnë tek njëri -tjetri përmes politikes. I yshtur nga disa miq se mos do dilja ligsht moralisht përfundova aty brenda. Që një ditë e zeze! Kah ora 11 mbërriti “Lideri i madh historik” me një turmë të cilët i inkurajonte të zaptonin ndërtesën.

Filluan “kokat e dashit” shkallet, uturimat, sharjet dhe përzhitja e përgjithshme, në fund gazi lotsjellës. Të gjithë bashkë ngjanim si dele të humbura perëndie pa bari.

Njërzit e shkretë u ndanë edhe me duke alternuar vendet e viktimës dhe xhelatit, trimërisë dhe frikës. U pendova si dreqi qe shkova aty jo për shkallën e rrezikut që ishte e lartë, por kur pas kthjellimit i dhashë të drejtë vetes kur besoja që në atë ndeshje s’kishte asgjë ideale. Dy burra të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin ku siç dialektika e do i madhi kishte shpikur të voglin dhe i vogli donte ti ngjante të madhit na kishin thirrur si mish për topin e interesave të tyre personale.

Niveli i interesave përligj të tilla skena të cilët përgënjeshtrohen nga e drejta dhe arsyeja e atij që si ka ato.
Godina mbet si gërmadhë, njerëz të helmuar fizikisht e shpirtërisht në të po kaq bregut të Lanes fatkeq të tjerë po kaq të helmuar vraponin ti shpëtonin gazit duke urryer të ngjashmit.

Ditët që pasuan ishin të mbushura me verem dhe me budallallëk të pakufi. Akuzat kalonin çdo vijë horizonti teksa ai murretehej edhe më. U mblollëm një natë të gjatë nën efektin e datës 8 ( tetë) dhe përjashtuam nga partia shumë emra pasi na kishin shkarkuar ata ne me 11 Dhjetor të një viti më parë. Sot ndiej keqardhje për dorën kundër dhe votën ndaj të ndjerit Presidentit Bujar Nishani ndonëse ai e kishte ngritur të tijen ndaj nesh nga bregu i së drejtës së tij.

Kjo jo se ai nuk është më po nga plaga e hapur që la tek unë marrëzia e politikes si triumf mbi miqësinë.
Nuk di as kujt ti kërkoj ndjesë pos shpirtit të tij. Një miku im i apasionuar pas biografive politike me citon shpesh Hilari Klinton që diku thotë “politika është biznes i konfliktit”. E vërtetë po nuk duhet deri aty sa njeriu të dehumanizohet dhe të humbasë respektin e kundërshtarit aq sa të përfundojmë deri në konflikt fizik. Por interesi është më i fortë se etika. Ai shndërrohet gjithmonë në moral se ja kërkon stomaku që vjen i pari e me pas morali siç thotë Bertol Breht po njeriu është emocional dhe ka turp nga lakuriqësia e së vërtetës të cilën e vesh me moral individual.

Në këtë kontekst duke pranuar interesat , gabimet, teprimet, të drejtën time kam provuar befasi po asnjëherë frikë nga sulmet që me vinin nga njerëz që kisha ndarë bukë për qejf apo bashkëpunim në fushatë, me emra të rremë e të vërtetë. Nuk i kisha sharë as mendoj ti shaj asnjëherë megjithëse do doja të kuptoja pse lëvdojnë dhe shajnë me komandë kur nevoja e liderit e kërkon?! Stomaku ta ketë fajin prapë?
Po kaq i tronditur kam mbetur nga lavdet që i bënin Bashes për vizionet , koleget e mi në Kongresin e 17 Korrikut 2021 dhe humbjen e quanin fitore ku me pas me të njëjtën lehtësi ju turren të gjorit me “besëprerë” e çfarë u zinin bulçinjet.

I vetmi burrë i vërtetë në atë datë qe Mark Marku, të tjerët u tallen me veten dhe demokratet me vetëdije po ashtu jua lypte stomaku prapë.

Nëse duhet rithënë e rithem nuk kam pendesë për qëndrimet e mia politike, me ndonjë përjashtim që nuk modifikon thelbin mendoj njësoj edhe sot i bindur që shumica e anës sime mendon ndryshe. Kam qenë i pari nder deputet e PD-së që e kam komentuar shpalljen e Berishe “no grata” kur gjithsecili heshti duke e quajtur paradoks të dhimbshëm me perceptimin tim se “rrufeja bie mbi lista e gjatë” i bindur që ai nuk do ta shndërronte PD-në në bunker të luftës me Amerikën dhe mbi të gjitha demokratet kundër njëri-tjetrit.

Ai bëri zgjedhje tjetër, ndërsa unë vazhdoj të besoj se konflikti i PD me perëndimin është fatkeqësia më e madhe që i ka ndodhur kësaj force. Respekt për ata që nuk e mendojnë këtë. Zoti ju dhëntë forcë. Largimi i një personi të vyer si Alfred Rushaj nga Nën Kryetar i Partisë e detyroi Lulzim Bashën të gjente një zëvendesues. Gishti i tij ra mbi mua. E kam pranuar me vetëdije për sfidën dhe fundin e saj po ashtu me mirënjohje të thellë për mundësinë që më dha.

Zgjati veç dy muaj dhe u dorëhoqa si shenjë përgjegjësie dhe jo thjesht për emocionalitet për rezultatin e 6 Marsit të cilin po e kuptoja para se të numërohej gjatë ditëve të mia në Shkodër një qytet që nuk ta fsheh nderim dhe ftohtësinë.
Të parin e kisha provuar gjatë viteve si publicist e analist të dytin asaj fushate. Vulën kësaj gjende ja vuri një grua e hazdisur në Serreq tek vraponte me biçiklete e cila lëshoi një shkulm ” ah spiun i Sorosit” ! Sa krenar do jetë Doktori për këtë mendova.

Kjo ( dorëheqja) ndodhi me 7 Mars në dreke në zyrën e Bashes dhe në darkë në një mbledhje dramatike të grupit parlamentar u bë publike. Tre ditë me pas u dore hoq edhe Grida Duma e cila pak muaj me vonë në shenjë përbuzje besoj më shumë se zhgënjimi la edhe mandatin duke përkufizuar me një akt kotësinë e shumëç’kaje.
Asaj nate i gjithë grupi kërkoi dorëheqjen e Bashës dhe po kaq thirrje Berishës të tërhiqej. Basha vetëm mbanë shënim zemërimin e të gjithëve.

Nuk ndodhen asnjëra. Basha bëri një hap pas de fakto po de jure në gjykatë është kryetar i PD.
Berisha as që kishte ndërmend të tërhiqej dhe po shijonte fitoren ndaj Bashës, marrjen e Shkodrës, vendin e dytë në katër qytete të tjera dhe Rama që qeshej me ne si fitues numërash e jo vetëm.
Edhe sot kur PD vazhdon të jetë ënde e përçarë zgjidhja do duhej kërkuar e gjetur përtej Berishës dhe Bashës. Prania e tyre, e të dyve, justifikohet me interesat e tyre personale po jo me perspektin e PD-së për tu bashkuar e për të ardhur në pushtet.

Ndonëse ndonjë ka shpresë që ta lë mandatin do të zhgënjehet po aq sa jam zhgënjyer unë me ngjarjet në PD. Këto nuk janë “kujtimet” e një patetiku delirant që pretendon të ndryshojë rrjedhën e ngjarjeve, bindjet e njërëzve apo fundin e historisë po thjesht të një dëshmitari që ka respekt për veten dhe qëndrimet e tij të vuajtura.Pas gjyqit apo vendimit të ” Zhukrit” Sali Berisha me të vërtet u kthye dhe mori Selinë e PD-së. Me gjasë as kthimi as rezistenca ndaj tij ishin pa kuptim. Fitoi forca e veprimit të parë. Ne na mbet në dorë një ankimim për të cilin skam asnjë meritë dhe asnjë faj e me këtë pohim nuk po bëj divorc.

Me të në dorë e me vulë në xhep u strehuam në kryesinë e Kuvendit si Opozita e Azerbajxhanit.
Dy palët dukshëm të lënduar e mosbesues e për fat të keq po aq edhe qesharak në raport me veten dhe qytetaret. Siç thotë Kamyja na duhet një zot i përgjithshëm që çdo njëri prej nesh të mos ndihet zot e ti bëjë gjëmën tjetrit kjo vlen edhe për grupin e mbetur të PD që si somnambul vërtitet duke pritur Godonë që nuk duhet më të kthehet si qeleshe.

Ndaj në mënyrë mistike ndihem pjesë e PD-së e njerëzve që na votuan në Prill të 2021 sesa e grupeve të ndara për interesa individësh.
Po kaq vitit 2022 mbajti tek dyert e gjykatës deputetin e Opozitës Ervin Saliani i cili akuzohet për kallëzim të rremë edhe pse nuk ka bërë fare kallëzim.
Po ky është vullneti i Fatmir Xhafës dhe me vullnetin e tij nuk bën shaka as gjykata e as shumë ekpsonentë të mazhorancës.

Mister i madh kjo. Koha do ta bëjë të prekshëm. Dënimi i tij politik po ndodhi do të jetë një turp i drejtësisë, faj i politikes por edhe i vitit të ri 2023 që do donim të ishte më i mirë.
Pas 7 Marsit si kompensim ndaj vetes pos debatit parlamentar a ndonjë dalje jo të shpeshtë publike jam investuar tek ana komike e politikes tek “Kronika e së Enjtes” për të cilën me duhet ti falënderoj koleget për lejen e heshtur që me kanë dhënë.

I falënderoj se edhe pse të veshur allafrënga unë mund ti sjell me xhubletë, edhe pse debatojnë me fjalë ti trajtoj si “luftëtare epopeshë”, edhe se kanë emra i quaj Teta, Tezja, Kryezevendes Lideri, Babo, Halla, etj edhe se fjalët i kanë të hidhura tua lemoj me rimë për t’ju kujtuar se jeta në vetvete është ku e ku me e rëndësishme se teatri i politikes.

E kur ajo politika ikën si balone pa bisht në drejtim të paditur bëhet komike dhe humbet të drejtën të trajtohet me seriozitet për dëmin që shkakton. Politika u shpik për tu shërbyer njerëzve jo për ti habitur ata me paaftësinë e saj kronike.

Forum agron gjekmarkaj Kuvend PD