Aktualitet30 Mars 2019, 11:12

Nga atentati ndaj Lulzim Kullës, te përplasja mes Licajve dhe Bajrave, atentatet që tronditën Veriun

Shkruar nga Pamfleti
Nga atentati ndaj Lulzim Kullës, te përplasja mes Licajve dhe Bajrave,

Nga atentati ndaj Lulzim Kullës, te përplasja mes Licajve dhe Bajrave, atentatet që tronditën Veriun

Tronditet sërish qyteti i Shkodrës, dy persona kanë mbetur të vrarë në lagjen Kiras. Mësohet se personat e vrarë janë Astrit Bilali dhe Ibrahim Bilali, të dy vëllezër mes tyre. Astriti është babai i ish-boksierit të Vllaznisë, Asmer Bilali, i arrestuar gjatë aksionit për goditjen e grupit Bajri gjatë shtatorit të vitit të kaluar.

Vëllezërit janë vrarë teksa kanë qenë pranë derës së banesës së tyre në lagjen Kiras. Nga ana tjetër raportohet se autorët e dyshuar kanë braktisur mjetin e tyre në afërsi të banesës së fisit Licaj, pasi janë përpjekur t’i vënë zjarrin.

Burime bëjnë me dije se target e mjetit që përdorën autorët kanë qenë false.

Në një kërkim të thjeshtë rezulton se Astrit Bilali dhe Ibrahim Bilali janë arrestuar më parë në vitin 2016, si pjesë e një grupi që trafikonte armë. Të dy vëllezërit kanë qenë të apasionuar ndaj hipizmit, ndërsa Ibrahim Bilali ka qenë kampion në këtë sport.

Kujtojmë se Asmer Bilali, boksier dhe personazh i njohur në kryeqendrën e veriut ka qenë prezent dhe në atentatin që iu bë Arjan Ferracakut në 1 Shtator të vitit të kaluar, dhe mendohej se shënjestra e autorëve kishte qenë pikërisht ai. (Lexo ketu) Bilali u la pak ditë pas arrestimit në masën e ”arrestit të shtëpisë”.

Po ashtu pas vrasjes së Ferracakut në Shkodër, në 14 Nëntor të 2018-tës u eleminua dhe kushëriri i tij Fatos Ferracaku, 40-vjeç dhe u plagos Fatmir Mehaj. Fatos Ferracaku duket se kishte qenë po ashtu i pranishëm në vrasjen e Arjanit, dhe kjo ka bërë që ai të vritej pak kohë më pas për të humbur çdo gjurmë që mund të identifikonte autorët.

Lidhur me këtë vrasje u shoqërua asokohe dhe Mustafa Lici, i cili mohoi që të kishte lidhje familja e tij me ngjarjen, pavarësisht se motori që u përdor në këtë vrasje u dogj pranë banesës së tij.

“Kur ka ndodhur ngjarja, kam qenë në Tiranë”, shprehej Lici në muajin Nëntor. (Lexo ketu)

Kujtojmë se seria e përplasjeve mes bandave dhe dy fiseve rivale në Shkodër nisi me atentatin ndaj Lulzim Kullës dhe vrasjen në 10 Gusht të Fatbardh Licit ndërsa ndodhej në lagjen e tij. Lici ka qenë i dyshuar se në vitin 2011 ka qenë i përfshirë në vrasjen e Astrit Kurmemajt, i dënuar me 25 vite burg për disa vrasje ndaj një tjetër familjeje në Shkodër.

Fatbardh Lici ka lidhje familjare me Lulzim Kullën, të cilit më herët iu bë atentat në qendër të Shkodrës. Nga kjo ngjarje e ndodhur rreth shkurtit të 2018-tës ai mbeti i paralizuar.

Shkodra në muajt e fundit është kthyer në një qytet të minuar, për shkak se ka ndodhur dhjetra atentate mafioze, shumica e të cilave mbeten të pazbardhura nga ana e Policisë. Përplasja mes bandave rivale ka shkaktuar derimë tani 11 persona të vrarë, në atentate ende të pazbardhura.

Aktualitet vrasja ne shkoder