Sport 5 Maj 2022, 20:49

Nga Broja, lojtarët e rinj dhe ndeshjet e Ligës së Kombeve, “zbërthehet” Edi Reja

Shkruar nga Pamfleti
Nga Broja, lojtarët e rinj dhe ndeshjet e Ligës së Kombeve,

Nga Broja, lojtarët e rinj dhe ndeshjet e Ligës së Kombeve, “zbërthehet” Edi Reja

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Edi Reja ka folur për ndeshjet e Ligës së Kombeve. Në 6 dhe 10 qershor, kuqezinjtë do luajnë ndaj Islandës në transfertë dhe Izraelit në Tiranë. 

Për këto duele, Reja ka thënë se duhet përqëndrim pasi fokusi është për fitimin e grupit në Ligën e Kombeve. Për RTSH, italiani ka zbuluar se përjashtimi i Rusisë nga grupi i ndeshjeve i jep shans kuqeiznjve të bëjnë dy miqësore në datat e lira. 

“Në përgjithësi po luajnë të gjithë rregullisht. Broja diçka më pak, pasi ka ndierë lodhje dhe ka luajtur me pjesë të vogla në ndeshje të ndryshme. Ndoshta do të jetë në formë të mirë kur të bashkohet me skuadrën sepse ka punuar shumë. Kemi rikupruar Dermakun dhe pres lajme nga Abrashi që sapo ka nisur të aktivizohet. Pjesa tjetër është në gjendje shumë të mirë sepse po luajnë pothuajse në vazhdimësi. 

Rusia – Është e qartë se Rusia konsiderohej skuadra më e fortë e grupit dhe në këtë këndvështrim mund të jemi të avantazhuar por vetëm me fjalë sepse përpara kemi ndeshjen me Islandën dhe më pas me Izraelin, dy skuadra në nivelin tonë. Duhet të bëjmë shumë mirë dhe të synojmë të fitojmë grupin. Ky është objektivi jonë kryesor. 

Kemi gjithashtu edhe dy data të lira për dy miqësore dhe duhet ta mbushim këtë boshllëk. Po punojmë për dy ndeshje miqësore. Për katër ndeshje duhet të ndërtoj një skuadër të bollshme sepse do të luajmë çdo tri ditë e kjo do të jetë e vështirë. 

Islanda ka qenë një kundërshtar i fortë kur jemi ndeshur për herë të parë nën drejtimin tim por gjatë kohëve të fundit kanë rënë disi dhe ne jemi rritur. Në atë ndeshje humbëm por zhvilluam një ndeshje pozitive. Pas ndeshjeve tona të fundit do të shkojmë me më shumë bindje dhe të fokusuar për të marrë një fitore. Duhet të bëjmë llogaritë edhe me kundërshtarin sepse ndoshta ata do të jenë në gjendje të mirë fizike por nëse do të jemi edhe ne, atëherë nuk mund të kemi frikë nga askush. 

Por a do të ketë emra të rinj këtë herë në listën e Kombëtares? 

Nuk mendoj se lista do të ketë risi sepse kam në dispozicion një skuadër shumë të re dhe për këtë periudhë deri në fund të vitit do të vazhdoj me këtë grup. Do të shohim çfarë ndryshimesh mund të bëjmë vitin tjetër edhe pse nuk përjashtoj mundësinë e afrimit të ndonjë lojtari të ri për ndeshjet miqësore. 

Vrioni po bën mjaft mirë me Tirolin ndërsa Broja është futur në një spirale të rrezikshme. 

Kam shumë alternativa në sulm si Manaj, Broja, Cikalleshi e Balaj. Muçi gjithashtu është një emër që e kam parasysh. Broja ka pasur disa probleme fizike por jam i sigurt se shumë shpejt do të kthehet në formë. Më vjen keq për Baren që nuk do ta kem në dispozicion për ndeshjet e qershorit pasi ka pasur probleme në gju dhe do të mungojë rreth 40 ditë. E ritheksoj që është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne por kam alternativa të bollshme në dispozicion si përshembull. Asllani apo Bajrami tek të cilët kam shumë besim ashtu si edhe tek pjesa tjetër e grupit. 

A është ky kulmi i aventurës së trajnerit italian në stolin kuqezi? 

Do të thoja se kjo është një periudhë vendimtare pasi në fund të ndeshjeve me Islandën e Izraelin do të bëjmë disa llogari. Do të shikojmë nëse skuadra është rritur realisht dhe unë uroj që të jetë kështu. Varet shumë se si do të vijnë lojtarët në ndeshjet e qershorit sepse kur vjen në fund të kampionatit, fizikisht dhe psikologjikisht je i lodhur. Do të qëndrojmë bashkë 10 ditë dhe do të bëj vlerësimet e duhura. Zgjedhjet do t’i bëj unë dhe do të varet shumë edhe nga unë ajo që do të ndodhë në këto dy sfida. Do të flas me djemtë për të gjetur emrat e duhur të cilët duhet të zbresin në fushë. 

Në fund, një mendim nga trajneri kuqezi edhe për organizimin e finales së Conference League në 25 maj në Tiranë. 

Ky është një eveniment shumë i rëndësishëm në arenën ndërkombëtare edhe pse nisi në formë eksperimentale. Tani ka marrë shumë peshë dhe mendoj se do të jetë një vitrinë për të reklamuar futbollin shqiptar. Unë uroj që Roma të mbërrijë në finale për të treguar pak Itali edhe në Shqipëri. Uroj që organizimi të jetë perfekt, në mënyrë që t’u tregojmë të tjerëve se çfarë jemi në gjendje të bëjmë jo vetëm në aspektin sportiv”, tha Reja. 

Sport Edi Reja trajneri i Kombëtares Shqiptare