Kronike20 Prill 2022, 22:21

Nga burgu te plumbi pas koke, si u ekzekutua ish-anëtari i bandës së Aldo Bares; zbardhet dëshmia e nënës

Shkruar nga Pamfleti
Nga burgu te plumbi pas koke, si u ekzekutua ish-anëtari i bandës

Nga burgu te plumbi pas koke, si u ekzekutua ish-anëtari i bandës së Aldo Bares; zbardhet dëshmia e nënës

Zbardhet dëshmia e nënës së Elton Mermalit, një ushtar besnik i bandës së Aldo Bares, tanimë i ekzekutuar me plumb pas koke.

Për hetuesinë, nëna e Mermalit deklaroi se herën e fundit që do ta shihte të birin ishte kur e përcolli deri tek dera pasi vendosi të dilte një darkë nga shtëpia, duke i thënë po shkoj deri te lulishtja dhe se do të kthehej së shpejti.

Ishte ora 7:00 e mbrëmjes, por ai nuk u kthye më kurrë në banesë, as atë natë të 6 tetorit 2021, as në vazhdim.

Kjo pasi trupi i tij u gjet vetëm të nesërmen e zhdukjes anës lumit Shkumbin, shumë larg qytetit të banimit, apo me gjasa edhe vendit të ekzekutimit. Ndërsa errësira e natës dhe era që shoqëronte atë mbrëmje tetori, fshiu me vete si hije edhe vrasësit.

Po kush e vrau Elton Mermalin që tanimë mbante emrin Alban Semaku?

Mermali kishte kohë që dilte shumë pak nga shtëpia, në mos për të thënë shumë rrallë. Nuk dihet nëse kjo ishte një frikë që e shoqëronte kudo, apo e shkuara e errët kishte lënë në koshiencën e tij gjurmët e veta. Ajo që dihet ishte se kohët e fundit para se të vritej ai ishte bërë shumë i heshtur, ku pothuajse nuk fliste me askënd.

“Kohët e fundit Eltoni nuk mbante as telefon. Ai shoqërohej me disa djem qe i ka pasur shokë që në fëmijëri.

Dilte shumë pak nga shtëpia. Nuk qëndronte shumë. Qëndronte vetëm 10-15 minuta jashtë dhe rikthehej në shtëpi. E pyesnim gjithmonë çfarë ke, por ai nuk fliste”– tha në dëshminë e saj e ëma e Elton Mermalit.

Ashtu i heshtur doli edhe atë mbrëmje nga shtëpia e tij në Lushnje. Të vetmet fjalë që i shqiptoi nënës së tij, teksa kalonte pragun e banesës, ishte “t’i përgatiste darkën, pasi do të kthehej shpejt”. Nëna e priti deri në mëngjes.

Të nesërmen e zhdukjes së tij të beftë, një trup i pajetë, i qëlluar me një plumb pas koke dhe dy pas shpine, u gjet me kurriz të kthyer në anë të lumit Shkumbin. Banorët thanë për policinë se viktima nuk ishte nga anët e tyre, çka rriti dyshimin te autoritetet policore, se vrasja ishte kryer gjetiu. Por shpejt, çdo dilemë mbi identitetin e kufomës do të fashitej. Trupi i shoshitur nga plumbat në anë të lumit do të rezultonte të ishte pikërisht i Elton Mermalit.

Do të ishte nëna e tij, që do të njihte trupin e të birit në morgun e spitalit të Elbasanit.

“Djali kishte shtatë muaj që kishte dalë nga burgu. Para se te vritej ai nuk hapej me askënd. Ditën e ngjarjes ka dalë nga shtëpia dhe na ka thënë po shkoj te lulishtja. Më tha që nuk vonohem. Ndërkohë që më porositi që të bëj gati darkën, se do vinte të hante. Por ai nuk u kthye më. Kur u vonua 2 apo 3 orët e para, filluam të shqetësoheshim. Rreth mesnatës kemi njoftuar policinë e Lushnjës, për humbjen e tij”– tha në dëshminë e saj e ëma e Elton Mermalit.

Bazuar në deklarimet e shokëve të tij, Elton Mermali, ishte një përdorues i rregullt i heroinës, shkonte merrte dozat dhe largohej. Ata e përshkruanin Mermalin si një tip shumë të mbyllur. Por për grupin hetues, sigurisht që kjo nuk ishte pista ku duhet të ndaleshin.

Ata besonin se ekzekutimi i Elton Mermalit, ishte riaktivizimi i hakmarrjeve të vjetra në qytetin e Lushnjës që lidheshin me të shkuarën e tij të errët si ushtar i bandës së Aldo Bares.

Kronike aldo bare