Të kesh Chelsean në gjak dhe mos të jesh në gjendje ta përfaqësosh plotësisht. Kjo është në mënyrë të përmbledhur karriera e George McEachran, një mesfushor me përvojë i cili në ditëlindjen e tij të 28-të i ‘’dhuron’’ vetes një kontratë me Milton Keynes Dons, ekipi i League One, kategoria e tretë angleze. Por, historia e McEachran në një mënyrë të çuditshme është e lidhur edhe me Shqipërinë. Si përfundoi, një lojtar i panjohur anglez në faqet e para të mediave shqiptare?
Edhe në Shqipëri disa vite më parë ka ndodhur e njëjta situatë, por sigurisht jo me pasoja kaq të rënda. Duhet të kthehemi në vitin 2009, kur për hir të së vërtetës, duhet ta pranojmë që interneti në vendin tonë nuk ishte kaq masiv. Dihet nga të gjithë që futbolli është sporti i preferuar në Shqipëri, dhe ndeshjet e Kombëtares ndiqen nga një numër i madh njerëzish. Mania për të patur sa më shumë talente në kombëtare mund të çojnë në gafa si ajo që po tregojmë.
Në ato vite nëpër portale apo edhe gazeta, flitej vetëm për një emër: Arlind Kukaj. Sipas përshkrimit që i bënte vetes, djaloshi kishte lindur ne Spanjë, pikërisht në Madrid me 02.08.1993 dhe kishte filluar te merrej me futboll që në moshën 7-vjeçare duke u bërë direkt pjesë e akademisë së Real Madrid. Dihet që Real Madrid është klubi ku çdo lojtar ka ëndërr te luaj një herë ne karrierën e tij, sepse historikisht kanë luajtur lojtarë më të mire, dhe në periudhën që po flasim aty luanin disa nga lojtaret më te mirë te botës si: Cristiano Ronaldo, Özil, Casillas, Higuain.Kaka etj. Rreth miqësisë më këta lojtarë, Kukaj do të deklaronte: “Me të gjithë kam folur dhe kam bërë foto mirëpo miqësi më të madhe kam me Higuain pasi edhe e kam idhull”. Aspak keq për një djalosh të asaj moshe. Sezonin tjetër Kukaj deklaronte se ishte i huazuar në Argjentinë tek Boca Juniors, duke shkëlqyer, aq sa një intervistë me të ishte e vështirë dhe ekskluzive. Po flasim për periudhën kur kombëtares po i largohej një brez i shkëlqyer lojtarësh, dhe gjithë opinioni sportiv ishte në kërkim të alternativave. Dhe pikërisht ky ishte momenti i duhur për Arlindin që të dilte në skenë.
I konsideruar si shpëtimtari i kombëtares, fama e këtij lojtari arriti deri në pikën që Supersport i dedikoi një speciale në emisionin “Zona Gol”, ku paneli që përbëhej nga specialistët më të mirë, diskutonin për të ardhmen e këtij lojtari. Kukaj nëpër intervista bënte thirrje që Kombëtarja ta grumbullonte, pasi Spanja po e priste. Po flasim për atë Spanjë që përbëhej nga yje të shumtë, dhe fakti që po priste përgjigjen nga ky lojtar, do të thoshte shumë për talentin e tij. Por atëherë kur të gjithë po prisnin shumë nga ky lojtar, ai u zhduk nga skena. Por mesa duket talenti në familjen Kukaj nuk kishte të mbaruar.
Në skenë del vëllai i Arlindit, Malindi që luante në akademinë e Chelsea, ku në të kaluarën ka qenë pjesë e akademisë së Real Madridit. Malindi ndryshe nga i vëllai luante si mesfushor, dhe nga postimet në rrjetet sociale dukej që kishte miqësi me yjet e Chelsea. Në intervistat e shumta tregonte për aftësitë që kishte dhe se si shpresonte që një ditë do të luante me ekipin e parë, por çuditërisht nuk e përmendte fare vëllain.
Ditën që Kosova u njoh nga organi më i lartë i futbollit botëror, FIFA, shtypi shqiptar do të shkruante se Malindi kishte zgjedhur Kombëtaren e Kosovës, pavarësish se në të kaluarën kishte luajtur me kombëtaren U-18 të Anglisë. Kaq mjaftonte që historia të përsëritej, me portalet e shumta që konkurronin njëra tjetrën që ti merrnin një intervistë.
Pikërisht në këtë moment del në skenë emri i George McEachran. Nga një kërkim i thjeshtë në internet, u zbulua që fotot e Malind Kukaj i përkisnin pikërisht këtij futbollisti. Një zbulim “tronditës” që tregon se personazhi i Malindi-t nuk ka ekzistuar asnjëherë, dhe eventualisht as ajo e vëllait të madh, Arlindi-t.
Një ditë tragjike për futbollin shqiptar dhe atë botëror, pasi në një moment të vetëm humbën dy nga talentet më të mirë. PS: Edhe vëllai i tretë Artani luante me Realin, por që prej vitit 2018 nuk ka asnjë informacion për të./Gazeta Si