Anti-Mafia31 Dhjetor 2022, 13:02

Nga dosjet e Metës, te aferat e Berishës dhe skandalet e ministrave të Ramës, sfidat që presin SPAK

Shkruar nga Pamfleti
Nga dosjet e Metës, te aferat e Berishës dhe skandalet e ministrave

Sfida kryesore mbetet arrestimi në nivelet më të larta të politikës. Në çdo raport SHBA e BE theksojnë që të shkohet te pushtetarët më të lartë…

Vitit 2022 u mbyll me shumë zhvillime të forta politike, por sa i takon drejtësisë, ngjarjet ishin të pakta. I vetmi zhvillim ishte arrestimi i Alqi Bllakos, ndërkohë që “mamuthët e korrupsionit” do ta shijojnë gjelin e detit këtë Vit të Ri.

Viti 2022 u mbyll me një zhvillim të madh, pasi Arben Kraja që flinte mbi dosje u largua dhe tani në krye të SPAK është Altin Dumani. I konsideruar si prokurori i amerikanëve, ai ka shumë sfida mbi supe. Sigurisht që nuk mund t’i bëjë vetëm ai arrestimet, por viti që vjen është provë force për Prokurorinë e Posaçme dhe vetë Dumanin, pasi nëse edhe gjatë 2023-shit nuk ka arrestime në nivele të larta, do venitet i gjithë besimi te sistemi i drejtësisë. Por cilat janë sfidat e SPAK?

Së pari janë disa dosje për ish-presidentin Ilir Meta që duhet të mbyllen. Afera kryesore është ajo e CEZ-DIA. SPAK ka pyetur disa persona dhe madje ka marrë në pyetje edhe ish-administratorin e DIA, Kastriot Ismailaj. Dosja e dytë është ajo e lobimeve në SHBA, ku Meta ka shpenzuar mbi 700 mijë dollarë dhe nuk i ka deklaruar. Kemi më pas dosjen e ndërhyrjeve estetike. Po ashtu ka dhe disa padi për korrupsion, fshehje pasurie dhe shpërdorim detyre. SPAK ka dërguar disa letër-porosi në SHBA, San Marino dhe Itali. Kthimi i përgjigjeve pritet të sjellë zhvillime në këtë aspekt.

Sfida tjetër e SPAK janë hetimet për Sali Berishën. Ndonëse gjatë këtij viti u hapën dosja e kompleksit “Partizani” dhe ajo e Gërdecit, sërish nuk ka pasur rezultate. SPAK ka marrë në pyetje disa persona, por Berisha ende nuk është pyetur dhe nuk ka asnjë akuzë penale ndaj tij. SPAK ka dërguar letër-porosi në SHBA për Gërdecin dhe nëse vjen përgjigjja që kërkohet, veniten pozitat e Shkëlzen Berishës.

Mbeten sfidë hetimet për mazhorancën. Deri tani SPAK nuk ka guxuar. Afera me inceneratorët ka dërguar pas hekurave vetëm cironka, ndërsa emra si Gjinkuri, Agaçi, Ahmetaj, Veliaj, etj., nuk janë hetuar fare. Inceneratorët janë afera më e madhe korruptive dhe SPAK nuk mundtë mjaftohet vetëm me hetimin e disa emrave fantazmë.

Sfidë tjetër janë kocesionet në shëndetësi. Ka mbi 2 vite që hetohet dhe nuk ka asnjë rezultat. Ilir Beqaj është koka e korrupsionit me koncesionet dhe deri tani ai vijon jetën i qetë. U fol disa herë se dosja do mbyllej, por asnjë rezultat.

Një dosje tjetër që nuk po zbardhet është vrasja e bankierit Artan Santo. SPAK po e heton në fshehtësi atë dosje dhe nëse zbardhet si duhet mund të ketë shkundje të botës së krimit dhe klasës politike.

padyshim janë sfidë hetimet për të ngelurit në veting. Deri tani SPAK ka hetuar vetëm 4 gjyqtarë, ndërkohë që ndërkombëtarët e kanë bërë të qartë se kushdo që shkarkohet duhet të hetohet, sidomos në aspektin e pasurisë.

Sfida kryesore mbetet arrestimi në nivelet më të larta të politikës. Në çdo raport SHBA e BE theksojnë që të shkohet te pushtetarët më të lartë dhe mbetet të shihet se sa guxim do të ketë SPAK, duke qenë se tani ka ndryshuar kreu i këtij institucioni. /Pamfleti

Anti-Mafia Berisha Dosja Meta SPAK