Aktualitet30 Dhjetor 2022, 21:20

Nga gjyqtari që miratoi statutin e Berishës, te emri që mbylli dosjen e CEZ, magjistratët që do përballen me vetingun gjatë 2023-shit

Shkruar nga Pamfleti
Nga gjyqtari që miratoi statutin e Berishës, te emri që mbylli

Komisioni i Vettingut ka nisur që në qershor të vitit 2020 verifikimin e gjyqtarit të Tiranës, Agron Zhukri. Ky i fundit doli në pah dhe mori vëmendje publik pasi në 25 mars 2022, vendosi të kalonte Partinë Demokratike dhe vulën në duart e Berishës, duke i njohur Kuvendin e 11 dhjetorit 2021…

Shkruan Adriatik Doçi

Komisioni i Vettingut ka bërë dje një bilanc të procesit 4-vjeçar të filtrimit të drejtësisë. Nga 805 gjyqtarë dhe prokurorë, kanë mbetur pa kaluar në filtrin e Vettingut 201 subjekte. Nga rreth 600 prokurorë dhe gjyqtarë, më shumë se sa gjysma nuk janë më pjesë e drejtësisë, ndërsa rreth 90 subjekte janë dhënë dorëheqjen, duke evituar përballjen me Vettingun.

Pas presionit të SHBA-BE, në 10 shkurt 2022, Kuvendi vendosi zgjatjen e afatit të Komisionit të Vettingut deri në fund të vitit 2024, pasi afati funksionit mbaronte në qershor 2022. Gjatë vitit 2023, pritet të përballen me Vettingun shumica e pjesë së mbetur të prokurorëve dhe gjyqtarëve, ndërsa pritet të vijojnë dorëheqjen deri në fund të procesit.

Po cilët janë gjyqtarët dhe prokurorët që pritet të përballen me Vettingun gjatë vitit 2023?

Komisioni i Vettingut ka nisur që në qershor të vitit 2020 verifikimin e gjyqtarit të Tiranës, Agron Zhukri. Ky i fundit doli në pah dhe mori vëmendje publik pasi në 25 mars 2022, vendosi të kalonte Partinë Demokratike dhe vulën në duart e Berishës, duke i njohur Kuvendin e 11 dhjetorit 2021, bashkë me vendimet për shkarkimin e Lulzim Bashës, ndryshimin e statutit, Rithemelimin, marrjen e partisë etj.

Nuk dihet se si u katapultua në gjyqësor, por bashkëshortja e tij, Rezarta Zhukri, ka qenë financiare pranë gazetës Rilindja Demokratike, organ në duart e Berishës. Zonja Rezarta Zhukri ka qenë sekretare personale e Sali Berishës dhe më pas shefe e administratës, fakt i pranuar edhe nga vetë gjyqtari. Për shkak edhe të kohës kur ka misur verifikimi, Zhukri pritet të dalë para Vetingut në 2023.

Procesi i Vettingut ka nisur që në dhjetor të vitit 2020 edhe për gjyqtarin e Tropojës, Sami Ujkashin, për të cilin Inspektori i Lartë i Drejtësisë i ka kërkuar Këshillit të Lartë Gjyqësor procedim disiplinor, për cenim të imazhit të magjistratit dhe cenim të besimit tek sistemi i drejtësisë, pasi ka marrë vendime për ulje dënimi dhe lirim të personave nga burgu në kundërshtim me ligjin si dhe moszbatim të legjislacionit në dy raste ekstradimi.

Gjyqtari Ujkashi ka deklaruar se i ka dhënë para me fajde babait të tij. Emri i Sami Ujkashit shfaqet në çështjen e përpjekjeve të oligarkut Bashkim Ulajt për të ndërtuar me çdo kusht dy HEC-e dhe betonizuar për interesa private Parkun Kombëtar të Luginës së Valbonës, një nga perlat natyrore të Shqipërisë. Ujkashi ka vendosur bllokimin e ekzekutimit të vendimit të Gjykatës së Apelit për ndalimin e punimeve nga Bashkim Ulajt në Valbonë. Ujkashi është lakuar edhe për vendime të tjera të dyshimta.

Gjatë vitit 2023, pritet të përballet me Vettingun gjyqtari i Tiranës, Lazër Sallaku, emri i të cilit lidhet me mbylljen e dosjes CEZ me kosto mbi 400 milionë euro në buxhetin e shtetit si dhe me mbylljen dosjes së Lulzim Bashës për çështjen e lobimit rus. Procesi i verifikimit për gjyqtarin Sallaku ka nisur që në qershor të vitit 2020.

Në dhjetor të vitit 2020 ka nisur procesi i verifikimit edhe për gjyqtarin Avni Sejdi, i lakuar për vendimmarrje të diskutueshme, sidomos për vendimin kundër amerikanëve dhe pro gruas së Gjin Gjonit për çështjen Duty Free si dhe për favorizimit e kompanisë që administron Tregun Agro-Ushqimor. Avni Sejdi, një gjyqtar i lakuar dhe i denoncuar në media për vendime të dyshimta, pritet të përballet me Vetingun në vitin 2023.

Në qershor të vitit 2020, janë shortuar dhe ka nisur procesi i verifikimi edhe për gjyqtarët Besnik Hoxha dhe Shpëtime Pitaku. Gjyqtarja e Durrësit Shpëtime Pitaku është kallëzuar penalisht në vitin 2015 nga ILDKPKI për pastrim parash dhe fshehje e një pasurie me vlerë 1 milionë euro. Ministria e Drejtësisë ka kërkuar ndëshkimin e saj, por gjyqtaren e ka shpëtuar ish-KLD-ja e Ilir Metës. Ndërsa, gjyqtari Besnik Hoxha, ishte pjesë e trupit gjykues, i cili në 8 shkurt 2013, shpalli të pafajshëm Ndrea Prendin dhe Agim Llupon, për të cilët prokuroria kërkonte 23 vite burg për Prendin dhe 25 për Llupon, për vrasjen e Faik Myrtajt dhe Ziver Veizit në protestën e 21 Janarit 2011. Ambasada Amerikane reagoi e tronditur nga ky vendim. Më pas, Gjykata e Tiranës i dënoi me një masa qesharake për vrasje nga pakujdesia.

Para Vettingut gjatë vitit 2023 pritet të dalë edhe prokuroi Xhevahir Lita, një emër i lakuar për vendime të diskutueshme, sidomos për shuarjen e të gjitha akuzave për ish-kryetarin e Këshillit të Qarkut të Kukësit, Abedin Oruçi, i cili ‘turpëroi’ dhe u përlesh me 5 policë, duke i shpëtuar arrestimit për 3 vepra penale. Në dhjetor të vitit 2020 ka nisur procesi i verifikimit edhe për gjyqtaren e Shkodrës, Françeskina Lekani, lakuar javët e fundit për mbylljen e dosjes së tjetërsimit të 390 dynym rërë në vijën bregdetare të Velipojës nga biznesmeni Pëllumb Gjoka. Lekani pritet të përballet me Vettingun gjatë vitit 2023.

Aktualitet #Zhukri sallaku Vetingu