Dosja e zezë 7 Gusht 2022, 14:20

Nga “Ilir Floriri” e “spurdhjak”, te "vrasës" e “terrorist”/ Sot lulëzon aleanca, por ja çfarë kanë thënë Meta dhe Berisha për njëri-tjetrin

Shkruar nga Pamfleti

Meta dhe Berisha kanë kapërdirë akuzat që kanë lëshuar ndaj njëri-tjetrit në këto 30 vite dhe duket se po hedhin themelet e një aleance të re. Të premten të dy dhanë sinjale se do të jenë bashkë, duke krijuar në këtë mënyrë një aleancë antiamerikane.

Berisha është dy herë “non grata” dhe Meta duket se i ka ardhur në ndihmë. Sinjalet janë se dhe ish-presidenti mund të ketë fatin e tij dhe duket se kjo i lidh bashkë.

Por aleanca e tyre “bie erë”, pasi akuzat që kanë lëshuar ndaj njëri tjetrit janë nga më të ndryshme. Berisha çfarë nuk ka thënë për aleatin e tij aktual, ndërsa dhe Meta nuk ka mbetur pas. “Pamfleti” po rendit disa prej akuzave që kreu i foltores dhe ai i Partisë së Lirisë kanë lëshuar për njëri tjetrin.

Ja çfarë thoshte Berisha për Metën

1. “Ju nuk e dini. Ka ndodhur e njëjta gjë si me floririn. Dhimitraq Rafti ka kthyer paratë nga Banka e Pireut të Greqisë dhe “lavatriçja Meta” ia ka pranuar ato, pasi i ka marrë nja 200 mijë. A doni dokumente të tjera?”.

2. “Ai nuk është Ilir Meta, por Ilir Floriri”

3. “Ti Ilir Meta, do të më falni për shprehjen, që të kapin banditët në mal të Dajtit pa pantallona, ti Ilir Meta, që më 14 Shtator mbushe poturet, ti Ilir Meta, që herë flet si pulë, kurse gjetiu tund vithet si gjel mbi pe. Ti je ai që do të thuash më 2 Tetor, “mbathja Fatos se prapa të vjen Meta”.

4. “Ai e mori si çdo qeveri tjetër pasurinë për të vazhduar luftën, kurse ju vodhët thesarin, jo në vitin 1941, jo më 1939, por vodhët thesarin më 1999. Në dhjetor të vitit 1999 ju festuat Vitin e Ri duke u vjedhur thesarin shqiptarëve. Është e thjeshtë t’u thuash shqiptarëve se Leka Zogu mori thesarin, po edhe qeveria juaj e mori thesarin, dhe e mori atë më 28.12.1999, dhe e mori atë të tërin nga data 28 dhjetor deri në datën 22 prill”.

5. “Dënoj si autorë kryesor të kësaj masakre Kryeministrin terrorist Ilir Meta i cili dhunoi votën e gjysmë milioni shqiptarëve, feston ditën e flamurit me gjakun e adoleshentëve të Tropojës”.

6. “Mbi Ilir Metën dhe bashkëshorten e tij, rëndojnë dy varre dhe dy krime të fshehura pas Malit të Dajtit. Nuk do të jetë e largët dita kur Ilir Meta do ta mbylli jetën e tij pas hekurave të burgjeve…

7. “Për PD-në, Ilir Meta është njeriu që përfaqëson klanin më të rrezikshëm të trafiqeve në Shqipëri, të trafikut të drogës, të trafikut të fëmijëve dhe të trafikut të vajzave të mitura. Në historinë e vendit ky mbeti njeriu që me bandat e tij ngjiti Shqipërinë në krye të listës së vendeve të planetit në trafiqet e skllevërve të seksit, të fëmijëve, të drogës dhe të armëve. Ai është vrasësi dhe terroristi i opozitës, është njeriu që urdhëroi hedhjen e granatave mbi gjimnazistët në Tropojë.. Meta përfaqëson vrasësin e vërtetë të fjalës së lirë, është simbol i injorancës njerëzore, i tmerrit nga fjala e lirë”.

8. “Mund të flasësh gjithë ditën për krimin dhe lidhjet tuaja me krimin. Je kokë e qelbur! Ajo kokë e qelbur që qëndron në krye të parlamentit, po kundërmon sot jo vetëm në Shqipëri, por në Evropë dhe në botë. Kjo alibi që kërkon, është e turpshme. Dorëheqjen e parë e dhe për bllokun e Monikës! Tani jep dorëheqjen e dytë! Për 700 mijë euro dhe dorëheqjen herën e parë”.

9. “Të protestojmë kundër Ilir Metës, të akuzuarit me zë dhe figurë si porositës i vrasjes së dy deputetëve dhe që nuk jep dorëheqjen për t’i hapur rrugën hetimit. Pasnesër në ora 11:00 të gjithë në sheshin “Skënderbej” nën moton: të hedhim, të hedhim murin e krimit! T’i hedhim, t’i hedhim qelbësirat!”.

10. “Një dëshmi tjetër vjen nga ish administratori i CEZ se Ilir Meta si Ministër i Jashtëm e ka takuar në Pragë dhe ka negociuar me Hajsek për Kastriot Ismailajn, duke shfrytëzuar kështu postin zyrtar dhe mashtruar për interesin e xhepit të tij. Deklaroj këtu me përgjegjësi të plotë se Ilir Meta si Ministër i Jashtëm nuk ka pasur tagër për të negociuar me CEZ për asnjë lloj problemi. I bëj thirrje Prokurorit të Përgjithshëm të nise hetimin e menjëhershëm për Ilir Metën për këtë aferë korrupsioni ndërkombëtar. Ju bëj thirrje qytetarëve shqiptarë të mos pajtohen kurrë me qëndrimin e oligarkëve Rama-Meta që duan me imunitet të bllokojnë drejtësinë”.

Ja çfarë thoshte Meta për Berishën

1. “Ti them supermashtruesit Sali Berisha, që ti them këtij spurdhjaku se nuk më ndalon dot mua të shkoj në Tropojë dhe të bisedoj me tropojanët. Ka ikur koha kur ai i mbante shqiptarët me ankth”.

2. “Ty të ka akuzuar gjysma e partisë që ke nxjerrë në pritë Azem Hajdarin”

3. “Ti e di mirë Doktor që Shkëlzeni ka qenë tek videoja e Priftit. Lëre Shkëlzenin Doktor, se budallai të mori më qafë. Vetë më ke thënë që është budalla. Të ta jap përgjigjen. Mbylle mikrofonin. Është kjo: për ty bëj çdo sakrificë, por për Shkëlzen Berishën nuk e bëj. E kam dhënë njëherë për të. Mos u bëj pjesë e puçit të pularisë së Tom Doshit dhe Dritan Priftit si aksioner. Dy herë nuk mund ta bëjë për Zenin. Po të bëj unë këtë gjë në mënyrën më miqësore. Për ty e bëj këtë gjë, por jo për Zenin. Ti beson më shumë tek Toma se tek Prokuroria”

4. “Të jap dorëheqjen kur deputetët t’i kemi shëndosh e mirë, dhe kur janë skenarët e Agim Ramës, Tonit të PR apo edhe Durim Bamit, kjo më duket tepër absurde dhe tepër kriminale. Nuk mund të lejoj të instalohet një precedent kriminal ku çdo deputet mund të akuzojë këdo. Logjika juaj është e kristaltë, dyshja Rama-Meta do të vrisnin dy deputetët për të destabilizuar vendin dhe Berisha të vinte në pushtet. Që tani Halimi të mbledhë Këshillin e Legjislacionit. Nuk jap dorëheqjen se nuk mund të lejoj të vijë një tjetër këtu dhe të mos i japë fjalën doktorit”. /Pamfleti

Dosja e zezë e maskaradës politike 30 vjeçare Akuza Berisha Meta