Aktualitet26 Janar 2023, 20:15

Nga kabllogrami i SHBA, te dëshmitë, provat që implikojnë Shkëlzenin në Gërdec dhe paniku në familjen Berisha

Shkruar nga Pamfleti
Nga kabllogrami i SHBA, te dëshmitë, provat që implikojnë

Emri i Sali Berishës dhe i Shkëlzenit përmendej shpesh në bisedat telefonike midis dëshmitarit kyç të Gërdecit, Kosta Trebicka dhe Efraim Diverolit, trafikantit të armëve nga Florida. Trebicka u vra pas shpërthimit të Gërdecit, mbi Voskopojë.

Ngushtohet laku për aferat e familjes “Berisha”. Dërgimi i Fatmir Mediut në gjyq duket se ishte vetëm hapi i parë për dosjen e Gërdecit, pasi pas tij duket se radhën e ka Shkëlzen Berisha. Ky i fundit për herë të parë sot ngjiti shkallët e Prokurorisë së Posaçme ku u mor në pyetje për ngjarjen tragjike ku humbën jetën 26 persona.

Shkëlzen Berisha pas dëshmisë mohoi përfshirjen në Gërdec. Ai u betua dhe u stërbetua se nuk ka lidhje, mirëpo duket se faktet flasin kundër tij. 

Nga ana tjetër thirrja në SPAK ka frikësuar edhe ish-kryeministrin. Sali Berisha sot u hodh në sulm ndaj SPAK. Sipas tij ajo po tenton të mbulojë skandalin me zyrtarin e FBI. Po ashtu edhe pasdite e sulmoi sërish organin e akuzës, duke treguar se frika ka filluar të shtohet. Edhe pasdite e sulmoi sërish organin e akuzës, duke treguar se frika ka filluar të shtohet.

Dëshmia e Luan Hoxhës

Një ndër individët që pati guximin të flasë për Gërdecin, është Gjenerali Luan Hoxha. Ai ka dhënë një dëshmi në ambasadën amerikane, ku përmend ish-ministrin e Mbrojtjes dhe djalin e ish-kryeministrit. Një kabllogram i publikuar nga Wikileaks, tregon se çfarë ka deklaruar Hoxha.

Hoxha tha se, kur vizitoi Gërdecin në mes të vitit 2007, ushtarët e tij po i kryenin këto dy detyra dhe në sipërfaqe nuk dukej se kishte diçka të dyshimtë. Ai akuzoi se gjatë gjysmës së dytë të projektit, duke filluar nga dhjetori 2007, ai ishte urdhëruar nga Mediu, për shqetësimet e tij të deklaruara me shkrim kryeministrit Berisha (dhe Kryetares së Kuvendit Topalli dhe Mediut), si dhe pas presionit të drejtpërdrejtë nga telefoni nga “një i ri”, të cilin më vonë e identifikoi si Shkëlzen Berisha, djali i kryeministrit, që të vazhdonte të dorëzonte municione të kalibrit të lartë në Gërdec dhe ta bënte këtë gjë pa vonesa”, thuhet në kabllogram.

Raportimi i Bumçit te Shkëlzeni

Një rast tjetër flagrant është se ish-ministri i Drejtësisë Aldo Bumçi i raportonte Shkëlzen Berishës, djalit të Sali Berishës, rreth vendimit të qeverisë për punishten e vdekjes, ku demontoheshin armët. Ish-ministri i Drejtësisë, Aldo Bumçi, nisi një faks për Gërdecin në adresë të Ministrisë së Mbrojtjes, por edhe për Shkëlzen Berishën.

Vetë Aldo Bumçi e ka mohuar këtë fakt, por shumë shpejt ai u zbulua, pasi sekretarja e Bumçit e konfirmoi faktin në prokurori.

Kur u hetua tragjedia nga Prokuroria e Tiranës, u mor në pyetje sekretarja, zonja Anjola Agolli. Ajo ka deklaruar se në kohën kur është dërguar faksi, sekretarja tjetër ishte me leje dhe ajo ka mbuluar të dyja turnet.

Ministri Bumçi shkruante me një lloj stilolapsi me bojë, por që shkruante si stilograf. Në rastin konkret shikoj që shënimi “për trajtim” është i ministrit Bumçi. Firma nuk duket si ajo e ministrit Bumçi dhe nuk e identifikoj dot. Më kujtohet kur e kam nisur faksin dhe shënimi i vendosur me shkrim dore tek cepi i majtë lart: “Për z. Shkëlzen Berisha”, është shkrimi i ministrit të asaj kohe, Aldo Bumçi. Këtë faks e kam nisur unë për tek Ministria e Mbrojtjes. Ministri më udhëzoi që t’ia nisja Ministrisë së Mbrojtjes me faks shkresën që kishte vënë shënimin “Shkëlzen Berisha”. Nga Ministria e Mbrojtjes më ka marrë një zë femre dhe më ka thënë se ata nuk kishin asnjë njeri me atë emër. Unë i kam thënë që ma kanë dhënë faksin për ta nisur dhe se unë vetëm po nisja faksin“, tha në dëshminë e saj ish-sekretarja e ministrit Aldo Bumçi.

Bisedat telefonike mes Mediut dhe Shkëlzenit

Në një tjetër kabllogram të SHBA tregohet se si të gjithë raportonin te Shkëlzen Berisha. Ambasada përmend një bisedë telefonike mes Shkëlzen Berishës dhe Fatmir Mediut.

Rrjedhjet e regjistrimeve telefonike zbulojnë se vetëm disa orë pas 15 marsit 2008 kur ndodhi shpërthimi në Gërdec, Ministri i Mbrojtjes, Mediu, e telefoni djalin e Berishës katër herë. Më tej, Mihal Delijorgji, pronar i Albademil (kompania që punonte në Gërdec) telefonoi Shkëlzenin vetëm 30 minuta pas shpërthimit. Nga janari deri në ditën e shpërthimit, Delijorgji e telefononte Shkëlzenin 56 herë. Përveç kësaj, janë konfiskuar shënime nga sekretaret e Ministrisë së Mbrojtjes që tregojnë se gjatë vitit 2007 dhe 2008 ish/ministri Mediu pati takime të shpeshta me Shkëlzenin. Në një takim thuhet se Shkëlzeni kërkoi që Mediu të rriste ritmin e furnizimit me municione të Gërdecit”, thuhej në Kabllogram.

Shkëlzen Berisha humb gjyqin me gazetarin amerikan

Një tjetër emër që akuzoi Shkëlzen Berishën ishte Gai Lauson, autori i librit” Qentë e luftës”. Në libër ai tregon se si tre “djem drogaxhinj” nga Miami Beach siguruan një kontratë prej 300 milionë dollarësh nga Departamenti i Mbrojtjes në vitin 2006 për të furnizuar me municion ushtrinë afgane, dhe u përpoqën ta realizonin atë duke siguruar armë nga rezervat në Shqipëri. Libri flet për marrëdhënie mes tyre dhe një mafie të lidhur me qeverinë shqiptare. Sipas librit, Shkëlzen Berisha ishte i pranishëm në një nga takimet, dhe ai përshkruhet me “flokë të errët, një mjekër të rrumbullakët dhe sy si peshkaqen” si edhe akuzohet si pjesë e aferës të korruptuar të tregtisë së armëve. Të tre personat nga Miami u dënuan në Shtetet e Bashkuara me akuza federale për mashtrim. 

Deklaratat e Kosta Trebickës

Emri i Sali Berishës dhe i Shkëlzenit përmendej shpesh në bisedat telefonike midis dëshmitarit kyç të Gërdecit, Kosta Trebicka dhe Efraim Diverolit, trafikantit të armëve nga Florida. Trebicka u vra pas shpërthimit të Gërdecit, mbi Voskopojë. Nga zbardhja e tabulateve telefonike, Efraim Diveroli deklaron se Berisha dhe Shkëlzeni janë koka e mafies që kontrollonin Gërdecin. Pas shpërthimit, Efraim Diveroli ka pranuar që ka transponuar ilegalisht plumba kinezë për forcat afgane, të cilët i ripaketonte dhe i shiste, sikur të ishin prodhuar në Shqipëri. Vetë Trebicka e ka akuzuar fillimisht Shkëlzenin, ndërsa më pas e ndryshoi dëshminë. Pak kohë më pas i u gjet i vdekur, një vdekje shumë misterioze që dyshohet se ndodhi për shkak të Gërdecit. /Pamfleti

Kryesore Gërdeci Shkëlzen Berisha SPAK