Aktualitet11 Janar 2023, 19:20

Nga korrupsioni te dialogu Kosovë-Serbi, zyrtari i DASH me listë detyrash për liderët e rajonit

Shkruar nga Pamfleti
Nga korrupsioni te dialogu Kosovë-Serbi, zyrtari i DASH me listë

Sipas mediave maqedonase, Derek Chollet ka mbërritur me një dosje të zezë në takimin me kryeministrin Kovaçevski.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dëshmuar edhe një herë se rajoni zë një vend të rëndësishëm në axhendën e tyre.

Këshilltari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka nisur sot një tur takimesh, duke u ndalur në Shkup, Prishtinë dhe Beograd. Por edhe pse vizita e tij ka kaluar pa shumë bujë, në fakt ai ka ardhur me qëllime dhe detyra konkrete.

Ai u ndal fillimisht në Shkup, ku mësohet se përveç bisedimeve për integrimin, ka dhënë direktiva për të goditur të korruptuarit.

Sipas mediave maqedonase, Derek Chollet ka mbërritur me një dosje të zezë në takimin me kryeministrin Kovaçevski.

Kryeministri Kovacevski tha se me diplomatin amerikan kanë biseduar për sigurinë energjetike, krizën ekonomike, kryesimin e OSBE-së, për integrimet evropiane dhe luftën kundër korrupsionit dhe sundimin e ligjit, por jo për listën e sanksioneve që është përgatitur intensivisht dhe shpallur nga Uashingtoni në periudhën e kaluar.

Kovaçevski sqaroi se ky është një aktivitet që e kryen SHBA-ja në kuadër të Strategjisë së saj për luftë kundër korrupsionit dhe puna e hetuesve që ishin në vend është para autoriteteve amerikane, ndërsa Maqedonia e Veriut është vend partner i Shtetet e Bashkuara.

Ka një sërë rastesh të korrupsionit në nivele të larta që janë trajtuar nga organet e drejtësisë dhe sigurisht në të ardhmen së bashku me partnerët tanë do të punojmë në vazhdimësi për ta përmirësuar performancën e sistemit të drejtësisë”, deklaroi Dimitar Kovaçevski.

Më pas ai shkoi në Prishtinë. Zyrtari i DASH takoi fillimisht presidenten Vjosa Osmani. Presidenca nuk zbardhi asgjë nga fjala e Chollet, por mësohet se ai ka kërkua që palët të dialogojnë dhe të marrë fund retorika e sulmeve.

Serbia vazhdon të jetë forcë destabilizuese dhe kërcënim për paqe të qëndrueshme në rajon”, tha Osmani.

Sa i takon takimit me Kurtin, Zyra e Kryeministrit njofton se në këtë takim u diskutua për procesin e dialogut, planin evropian dhe raportet ndërmjet Kosovës e Serbisë. “U theksua nevoja për angazhim aktiv dhe konstruktiv në dialog dhe për intensifikim të përpjekjeve drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke në qendër”, thuhet në deklaratën për media.

Sipas informacioneve, Chollet ka kërkuar nga Prishtina që të pranojë Asociacionin e komunave serbe. “Kosova duhet të përmbushë të gjitha zotimet në kuadër të dialogut, përfshirë edhe formimin e Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, ka thënë ai.

Po ashtu ai ka zhvilluar një takim me përfaqësues të Listës Serbe, ku sërish në fokus ka qenë situate në Veri dhe qetësimi i situatës.

Në mbrëmje, zyrtari i DASH mbërriti në Beograd, ku do takohet me presidentin Vuçiç. Edhe aty ai pritet të jetë i prerë sa i takon dialogut Kosovë-Serbi. /Pamfleti

Kryesore Chollet Rajoni SHBA