Kryeministri Rama ka komentuar emërimin e Ilir Beqajt në krye të “Donacioneve të huaja”.
I ftuar në “Të Paekspozuarit”, Rama është shprehur se Beqaj aktualisht nuk është nën akuzë, si dhe vendosja e tij në krye të kësaj detyre ishte si pasojë e meritës.
“Ka një hetim për çështje të periudhës kur ai ka qenë ministër. Ai nuk është i akuzuar sot që flasim. Ka një hetim për kohën kur ka qenë ministër i shëndetësisë. Është një njeri që e vlerësoj shumë për aftësinë e tij.
Duke pas drejtuar më herët një institucion si ISSH është në gjendje të drejtojë këtë agjenci koordinuese që nuk ka asnjë pushtet ekzekutiv. Është një bërthamë që ka ekzistuar dhe ne e kemi forcuar. Koordinim i të gjitha ministrive dhe donatorëve. Kjo rrit maksimalisht edhe transparencën”, tha Rama.
Kujtojmë se, kryediplomatja amerikane Yuri Kim është përfshirë në një “incident” pasditen e djeshme, duke iu përgjigjur tepër ashpër moskorrektësisë së treguar në takimin Konsultativ të Ministrisë së Brendshme me donatorët.
Ndryshimin e axhendës në moment të fundit, duke vendosur edhe Beqajn për t’u prezantuar si drejtues i agjencisë që merret me ndihmat e donatorëve, Kim e ka pritur jo mirë, dhe është larguar menjëherë nga eventi.