Kulture14 Shkurt 2023, 10:49

Nga prifti që sfidoi perandorin, tek ushqimet e duhura për një takim dashurie; gjithçka thuhet rreth Shën Valentinit

Shkruar nga Pamfleti

Nga prifti që sfidoi perandorin, tek ushqimet e duhura për një takim dashurie; gjithçka thuhet rreth Shën Valentinit

Një ndër perandorët e Romës Antike, Klaudi II bëri një tentativë të dështuar për të kthyer prapa rrotën e historisë. Në vitin 260 në Romë doli një dekret perandorak që urdhëronte që gjithë popullata të braktiste besimin kristian që po përhapej gjithnjë e më shumë dhe të rikthehej në ritet pagane të periudhës para Krishtit. Perandori thirri një nga priftërinjtë më në zë të asaj kohe, Valentinin, peshkop i Ternit, mik i të rinjve, duke u munduar ta bindte që të konvertohej në paganizëm dhe të udhëhiqte fushatën e tij për të rikthyer popullin romak pranë perëndive të vjetra pagane. Peshkopi Valentin, me dinjitet, refuzoi ofertën e Perandorit. Jo vetëm kaq. Ai u mundua të bindte Klaudin II të konvertohej në kristian. Refuzimi i kushtoi shtrenjtë peshkopit Valentin, i cili u mbyt nën breshërinë e gurëve dhe pastaj u ekzekutua publikisht duke i prerë kokën. Ishte 14 shkurti i vitit 270.

Legjenda thotë se ndërsa ishte në burg, në pritje të ekzekutimit, prifti u dashurua me Asterius, vajzën e verbër të gardianit. Me besimin e tij, Valentini i riktheu dritën e syve vajzës që dashuronte dhe në fund i la një copë letër ku shkruhej “Nga Valentini juaj”. Autori vdiq, por fraza mbeti e ngulitur në shekuj dhe shërbeu si model gjuhësor për të mbyllur letrat e të dashuruarve në gjithë botën e krishterë.

Çfarë hanin përpara një takimi dashurie

Simboli i artit të dashurisë, Kazanova, kishte shumë besim në efektin afrodiziak te aragostat e detit. Përpara një takimi të rëndësishëm dashurie, Kazanova konsumonte deri në 50 copë. Paolina Bonaparti e konsumonte mëngjesin në vaskën e banjos. Çdo mëngjes një shërbëtor i fuqishëm e ngrinte në krahë, nudo, dhe e çonte në vaskë duke i sjellë tabakatë me aragosta dhe shampanjë. Ushqime të domosdoshme për flirtet e shumta të ditës. Kleopatra preferonte arrat ose bajamet me mjaltë. Thuhet se meshkujt nuk e përballonin dot nëse ushqehej me një sasi të konsiderueshme të këtij ushqimi. Edhe Atila besonte në fuqinë stimuluese të mjaltit, duke konsumuar sasi të konsiderueshme. Thuhet se në ditën që u martua hëngri një sasi aq madhe saqë nuk e ndjeu as atakun kardiak që në kushte të tjera mund t’i merrte jetën. Personazhe të tjerë si Madamë dë Berri, Markezi de Sadë, Luigji XIV dhe Napoleoni kishin një besim të patundur në fuqinë çudibërëse të tartufit. Në atë kohë nisi moda e gjuetisë së kërpudhës së rrallë që kryesisht gjendet nën tokë. Ndërsa Madamë Pompadur ishte shumë me më pak pretendime. Për të ushtruar pushtetin mbi meshkujt ajo i lyente rrobat me vanilje. Në veprat e tij, Shekspiri këshillonte bimët aromatike, menten dhe rozmarinën si stimolantë për njerëzit e moshës së dytë.


smile

Kulture Shën Valentin