Aktualitet 1 Korrik 2022, 23:22

· Forum

Shkruar nga Pamfleti
· Forum

Jokonformist dhe autonom, Bajraj e barti vulën e pashlyeshme të tëhujësimit urban me të cilën i mbushi vargjet e tij. Megjithse në kuptim të letërsisë shpesh i kthehej Kosovës, ose asaj që pat mbetur nga Jugosllavia, haste në shmangie edhe më të madhe me botën. Kjo skizmë filloi heret në jetë të tij, u thellua gjat të nëntëdhjetëesatave, për të vazhduar të jetonte [skizma—v.p.] në Meksikë përmes poetikës, nëpërmjet së cilës ai i qëmtonte mundësitë e ekzistencës njerëzore në ndeshje me derivatet e engjëjve të Rilkes

Sasha ILIÇ

Largimi i herët i poetit kosovar Xhevdet Bajrajt [1960-1922] nuk la kurfarë gjurme në medjet serbe, sikurse që nuk e shtoi as paraqitja e përkthimeve të tij në sërbishte interesimin e publikut vendas, e as të esnafëve të letërsisë, për veprën e tij. Në të vërtetë, Bajraj për herë të parë u botua sërbisht pas luftës së Kosovës kur, mbasi që fitoi bursë për shkrimtarë në ekzil, e la Rahovecin dhe u vendos përjetë në Meksiko Siti. Ikja e poetit kosovar nga lufta u dokumentua përgjithmonë në ditarin Meksiko [Mexico] të Vlladimir Arsenijeviqit [Vladimir Arsenijević] i cili, si shkrimtar nga Beogradi, e pat fituar bursën në kuadër të programit të njëjtë, që si rezultat e pat një çift të jashtëzakontë librash të cilët e shënuan fillimin e punës së shtëpisë botuese, atëbotë të re, Rende. Libri i dytë në këtë pako qe përmbledhja poetike Liria e tmerrit nga Xhevdet Bajraj (përkthyer nga vet autori dhe Vlladimir Arsenijeviqi). Bashk me përkthim të përmbledhjes së poezive të Flora Brovinës, së burgosurës politike të regjimit të Millosheviqit, paraqitja e përmbledhjes poetike të Bajrajt në Beograd e shënoi një periudhë të gjatë të heshtjes, siç ka ndodhë gjithmonë me përkthime të letrarëve dhe letrareve të Kosovës.

Emri i Xhevdet Bajrajt sot është bërë i njohur në qarqet beogradase të letërsisë, por pa pranim të vërtetë, i rrudhur në të ashtuquajturën “publicistikë projektesh” e cila mbeti si trashëgimi e përhertë e ksenofobisë së të nëntëdhjetesatave, por që i mbulon të gjithë ata libra, botimi i të cilëve ështe, gjoja, i motivuar politikisht, prandaj ata, si rrjedhojë, “as që vlen të lexohen”. Gati në pranim të njejtë hasën edhe të gjithë librat tjerë të botuar në relacionin Prishtinë–Beograd. Një ndër ta është edhe antologjia Nga Prishtina, me dashuri e vitit 2011, e cila solli panoramë të plotë të poezisë bashkëkohore kosovare shqipe, bashk me poezitë e Bajrajt. E njëjta ndodhi edhe me antologjinë e dramaturgjisë  së re kosovare, Fluturimi mbi theatrin kosovar, të vitit 2014, në të cilën Bajraj përfaqësohet me dramën “Vrasja e mushkonjës”.

Në të vërtetë, publiku “ekspert” në artin nga Kosova reagon vetëm në rastet e subverzionit të thellë, sikurse ishte rasti me shfaqjen e rishtë të Jeton Nezirajt, “Projekti Handke”, e cila shkaktoi histeri të vërtetë, si te publiku teatror, poashtu edhe te ai joteatror. Xhevdet Bajraj nuk ishte poet i cili do t’i shqetësonte shpirtërat në atë mënyrë, megjithse opusin e tërë të tij poetik e shënuan shpirtërat e lirisë dhe tmerrit. Për t’i hulumtuar këta kuptime, Bajraj u rrek me figura të cilat do t’ia mundësonin t’u drejtohej temave të mëdha poetike. Si është e mundur t’i këndohet lirisë, të cilën ai, siç e tha edhe vet gjatë një interviste, e ëndërronte ndryshe nga politikanët, gjersa tmerri shtohej nga dita në ditë, madje edhe mbasi që liria u fitua?

Përpos ndikimit të fortë të poezisë bitnike [beatnik poetry] dhe rokenrollit, Bajraj, në anën tjetër, nga tradita lirike evropiane trashëgoi diçka që poezinë tij e bënte shumëfish interesante. Ky bashkëdyzim jo i përditëm na i dha poezitë ndoshta më të bukura të opusit të tij, e të gjitha kanë të bëjnë me temat e tij magjistrale, lirinë dhe tmerrin. Fjala është për ndikimin paradoksal të Rajner Maria Rilkes dhe Elegjive të tij të Duinos [Duineser Elegien], të cilat te Bajraj përjetuan transformim bitnik. Figura e engjëllit është diçka pa të cilën Bajraj si poet do të ishte i paparmendueshëm, kurse poezia e tij do të dukej e pakryer, meqë ai nuk hoqi dorë nga gjurmimi i së bukurës e cila, në saje të rrethanave të luftës në Jugosllavi, e mbi të gjitha në Kosovë, po shndërrohej në tmerr të vërtetë. Engjëjt janë edhe në fillim të dramës së tij “Vrasja e mushkonjës”.

Jokonformist dhe autonom, Bajraj e barti vulën e pashlyeshme të tëhujësimit urban me të cilën i mbushi vargjet e tij. Megjithse në kuptim të letërsisë shpesh i kthehej Kosovës, ose asaj që pat mbetur nga Jugosllavia, haste në shmangie edhe më të madhe me botën. Kjo skizmë filloi heret në jetë të tij, u thellua gjat të nëntëdhjetëesatave, për të vazhduar të jetonte [skizma—v.p.] në Meksikë përmes poetikës, nëpërmjet së cilës ai i qëmtonte mundësitë e ekzistencës njerëzore në ndeshje me derivatet e engjëjve të Rilkes të cilët, me të zbritur në tokë u bënë, jo vetëm frikësues përmes “më të fortës nga qenjet”, por edhe tmerrues dhe të padurueshëm përmes përvetësimit të natyrës njerëzore të, mund të thuhet, më të dobtës nga qenjet, të cilën Bajraj e detektoi në vjershat e tij më të mira nga cikli “Dielli i montuar në qiell” dhe “Engjëjt kanë ardhur të na marrin”.

Çdo engjëll është tmerrues, thoshte Bajraj duke e parafrazuar Rillken, duke e dhënë zanafillën e këtyre qenjeve në tri vjersha: ”Engjëlli dhe ish engjëjt”“Ëndrrat e engjëllit” dhe “Takimi me engjëllin plak”.  Me ç’rast nuk bëhet fjalë për engjëjt kryengritës, por për një lloj tjetër të rënjes, gjer te e cila vjen përmes kontaktit me mëkatin, keqbërjen, fekaljet, alkoolin, dhe drogën. Disa ndër ta pastaj përzihen në mes njerëzish të cilët alkoolin e konsumojnë si kujtesë të natyrës së vet të shpenzuar qiellore, ose ndër kriminelë, kur bëhen simbole mbresëtarë të luftës, siç ndodhi në skenën e pushkatimit të të burgosurit të luftës, nën murin në të cilin rri i ulur “Engjëlli i vdekjes me marlboro të Sarajevës në gojë”. Vjersha quhet “Luli & Zana I kill you”. Ky engjëll që vështron nga muri është qartazi pjesëtar i policisë serbe, gjë që duket nga prangat në duar të djaloshit të burgosur, në sy të të cilit, pas urdhërit “zjarr” do të drithërojë edhe ca momente figura e asaj qenjeje tmerruese, e mizës së trashë që gumëzhon mbi pellgun e gjakut, si dhe e fragmentit të grafitit (eponim) në mur.

Me poetin Xhevdet Bajraj u njoha në pranverë të vitit 2016 në hotelin Begolli, të Prishtinës, ku ishin të vendosur pjesëmarrësit e Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë, POLIP. Ishte ndër ata njerëz për të cilët shum shpejt mendojmë se i kemi njohur tërë jetën. Së shpejti m’u bë heqës nëpër atë Prishtinën çfarë kishte qenë ajo dikur, e unë atij iu bëra nëpër atë që ajo ishte bërë ndërkohë. Poatë natë rrinim para Qendrës së vjetër në Dardani [sic], Bajraj do të thoshte Kurrizit të botës, që ishte thyer nga invazioni i çetave tmerruese engjullore. Kishte kapelë të zezë dhe syze me kornizë rrumbullake pas të cilave ndihej më i sigurtë, se jeta e kishte mësuar që sherri mund të plaste kudo, madje edhe pranë banakut të vjetër, ose përtej gardhit të ndërtesës së shkollës fillore. Duke qenë nga Rahoveci, sërbishten e folte shkëlqyeshëm, e mbante në mend në sajë të formave të saj më të mira dhe më të këqija: idiomeve të letërsisë dhe të policisë. Atë mbrëmje në skenë Bajraj, ishte vet me poezinë e tij, i bindur se gjendej në trollin e vetëm të sigurtë të jetës së tij. Ky truall nuk ishte mizanskena e zezë teatrore, as Prishtina, as Kosova. Ishte poezia, për të cilën do të thoshte disa vite më vonë se vetëm ajo nuk mund ta tradhëtojë kurrë, për dallim nga jeta. Poezia ishte përgjegja e Xhevdet Bajrajt për të gjithë engjëjt tmerrues të botës, që nga këtu e gjer në Meksikë. Do ta kujtoj për atë përkushtim të cilin e manifestonte me çdo lëvizje, me çdo fjalë. Për vargjet që i shqiptoi atë natë:

 

Hapa dritaren

Pos vrimës së ozonit që vezullonte si reklamë ferri

Gjashtë arna resh i ishin qepur qiellit

 

Kjo ditë do të jetë e vështirë

Se liria u vra si shtazë e egër

Lëkura e së cilës thahet në mur

Për këpucët që do t’i bartim

Ditën e vdekjes

 

Përktheu nga serbokroatishtja Florent Rizvanolli,

Marrë nga Peščanik

Forum