Aktualitet12 Tetor 2018, 07:59

Nga Salizmi, te Salianizmi!

Shkruar nga Pamfleti
Nga Salizmi, te Salianizmi!

Nga Salizmi, te Salianizmi!

Salizmi ishte një shkollë politike që bazohej tek përpjekja e Berishës për të përdorur personalitete të jetës politike apo shoqërore e kulturore në vend, në funksion të tij. Salianizmi bazohet tek e kundërta, tek konsiderimi si personalitete të një grupi anonimësh, pa asnjë vlerë kulturore apo kontribut shoqëror, të cilët për shkak të kësaj cilësie, janë të gatshëm të bëjnë çdo gjë që i duhet kryetarit.

Shkruan Mero Baze

Nëse do të përpiqemi të bëjmë një bilanc për produktin e ri politik të Lulzim Bashës, qyshkurse ka ardhur në pushtet në krye të PD, dhe modelin e të bërit politik, i vetmi produkt përfaqësues i tij është Salianizmi.

Në këtë fenomen nuk përfshihet vetëm portreti i Salianjit, që të kujton një personazh të Portokollisë. Është më shumë se kaq.

Salianizmi si produkt politik i Lulzim Bashës, përfaqëson gjithë tiparet e tij si politikan.

Së pari, përfaqëson operimin në politikë vetëm me të pavërteta. Duke qenë i talentuar për të qenë njeri fallco, për të mos pasur emocione dhe ndjeshmëri ndaj fakteve dhe të vërtetës, ky produkt i ri i politikës së Bashës, bazohet mbi paturpësinë.

Për të nuk ka rëndësi nëse dikush e regjistron me mesazhe perverse me kolegen e martuar deputete, apo nëse ai shpik fakte të regjistruara për kolegë deputetë.

Në të dyja rastet, ai as nuk skuqet, as nuk zverdhet, por e kthen perversitetin në normalitet.

Fuqia për të mos u trembur nga e vërteta, është një mekanizëm i fortë politik dhe operimi me të pavërtetat është një talent i ri, që në politikën shqiptare e ka futur përfundimisht Lulzim Basha.

Paraardhësi i tij, Sali Berisha, padyshim që gënjente dhe gënjen. Por në produktin e tij politik, kur Berisha ekzekutonte pushtet, beteja ishte për t’u dukur i vërtetë dhe i besueshëm, dhe jo për të mos pasur turp nga gënjeshtrat.

Sal-izmi nga Salian-izmi dallohen pikërisht tek ky fakt.

Nëse Saliu është një aktor emocional, që flet me gjuhën e trupit dhe emocionet që i shkëlqejnë, dhe bën ç’është e mundur të bindë një herë veten, pastaj të tjerët, Salianizmi është tipi i njeriut që të dëshmon se nuk do t’ia dijë çfarë thotë dhe nuk ka asnjë emocion për atë që thotë.

Ti mund t’i tregosh sms-të që ai çaton në mënyrë perverse me një deputete ende të martuar, por ai nuk ka asnjë emocion.

Ti i tregon me prova, se ai ka montuar një kasetë më zëra aktorësh dhe ai të tregon me qetësi se një aktor është i vërtetë.

Ti i tregon me prova se ka intimiduar aktorin tjetër në një kasetë të dytë dhe ai të tregon me humor kinez, se kaseta është regjistruar nga kamera.

Tipari i dytë i Salianizmit, që përfaqëson produktin politik të Lulzim Bashës, është fetishizimi i mediokritetit.

Salizmi ishte një shkollë politike që bazohej tek përpjekja e Berishës për të përdorur personalitete të jetës politike apo shoqërore e kulturore në vend, në funksion të tij.

Salianizmi bazohet tek e kundërta, tek konsiderimi si personalitete të një grupi anonimësh, pa asnjë vlerë kulturore apo kontribut shoqëror, të cilët për shkak të kësaj cilësie, janë të gatshëm të bëjnë çdo gjë që i duhet kryetarit.

Salianizmi është sot fenomen kryesor në Kryesinë e re të PD dhe në ekipin e Lulzim Bashës, ku ti nuk shquan dot asnjë personalitet nën mesatar, por thjesht njerëz anonimë.

Tipari i tretë i Salianizmit, është sharlatanizmi.

Salizmi si paraardhës i Salianizmit, bazohej tek përdorimi i sharlatanëve ordinerë për të shpëtuar fytyrën e figurave politike.

Fjala vjen, të fortët e PD përdoreshin për të rrahur kundërshtarët apo për të dhunuar gazetarët.

Sot këtë punë e bëjnë deputetë të PD. Dikur, sharlatanët përdoreshin në ndonjë rast krizash politike dhe për të thënë ndojë broçkullë ndaj së cilës Berisha pastaj distancohej.

Salianizmi është e kundërta. Politika shqiptare për herë të parë në jetën e saj bazohet tek llumi. Rasti i “Babales” është i qartë.

Dy figura ordinere janë thirrur nën armë nga Partia Demokratike të aktrojnë për të prodhuar politikë të nivelit të lartë, në të cilën implikohet dhe vetë lideri i PD.

Sharlatanizmi i kësaj shkalle nuk është ngritur dot kurrë në krye të një partie dhe aq më keq, të mbrohet zyrtarisht prej saj. Salianizmi ja ka arritur dhe kësaj.

Pra, diferenca me Salizmit dhe Salianizmit është se ndryshe nga Salizmi, që gënjeshtrat i përdorte për të bërë të besueshme gjysëm të vërtetat, Salianizmi i përdor për t’i imponuar si të vërteta.

Ndryshe nga Salizmi ku përpiqej të përdorte personalitetet për çështje mediokre, Salianizmi përdor njerëz mediokër për probleme madhore, që duhet të përballohen nga një debat intelektual.

Ndryshe nga Salizmi, që përdorte llumin si mjet ilegal për qëllime politike, Salianizmi përdor llumin për aksion politik të nivelit të lartë, që merret në mbrojtje nga lideri i partisë.

Thënë shkurt, Salianizmi si shkollë e re politike e Lulzim Bashës, është një degradim i rëndë edhe i Salizmit, një shkollë politike dhe ashtu e dëmshme për politikën shqiptare.

Mendoni pastaj çfarë është derivati i saj, Salianizmi.

Forum Ervin Salianji Mero Baze Sali Berisha