Bota14 Qershor 2019, 19:49

Ngërçi politik/ Media greke artikull Shqipërisë: Athina është e shqetësuar për hapjen e negociatave

Shkruar nga Pamfleti
Ngërçi politik/ Media greke artikull Shqipërisë: Athina

Ngërçi politik/ Media greke artikull Shqipërisë: Athina është e shqetësuar për hapjen e negociatave

Në Shqipëri po ndiqet me interes situata politike jo vetëm nga vendasit, por edhe nga mediat e huaja. Media greke “macropolis.gr” ka shkruar një artikull të gjatë për vendin tonë, në kohën kur Këshilli Europian pritet të marrë vendim për hapjen e negociatave ose jo me Bashkimin Europian.

Mes tjerash, media greke vendos theksin tek marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë dhe qëndrimin e kësaj të fundit mbi këtë proces.

“Nuk është hera e parë që Shqipëria po përballet me një krizë politike dhe institucionale. Por kësaj radhe, ajo përputhet me një moment kritik për Ballkanin Perëndimor dhe për perspektivat e tyre evropianeshkruan media greke.Sipas saj asnjëra palë nuk duket e gatshme të tërhiqet, në një kohë që BE dhe SHBA u kanë kërkuar të gjejnë një mënyrë për të lehtësuar tensionin përmes dialogut. E duke folur për rolin e Greqisë në këtë sfond, ajo shkruan se Greqia ka shmangur çdo lloj lëvizjeje që do të shihej si një përpjekje për të ndërhyrë në çështjet e brendshme të Shqipërisë”, shkruan media greke.

Po përse është e shqetësuar Athina zyrtare për këto zhvillime në Shqipëri? Siç raporton, macropolis.gr ka një sërë arsyesh. Së pari, qeveria greke e konsideron Edi Ramën një njeri me të cilin mund të flasë dhe të paktën të ketë mirëkuptim për çështjet që kanë të bëjnë me marrëdhëniet dypalëshe. Dy ish-ministrat e jashtëm të vendeve, Nikos Kotzias dhe Ditmir Bushati, mundën të arrijnë një marrëveshje në parim për disa çështje të pazgjidhura. Por kjo nuk u mbyll për shkak të mungesës së vullnetit politik në të dyja anët dhe kryesisht për shkak të frikës në Athinë se pas Marrëveshjes së Prespes nuk kishte mbështetje të mjaftueshme për të nënshkruar marrëveshjen me Tiranën.

Alexis Tsipras gjithashtu ka zhvilluar bisedime të shpeshta me homologun e tij shqiptar dhe në fakt gjatë takimit të tyre të fundit në kuadër të Samitit të Dubrovnikut në prill arritën të bien dakord mbi çështjen që lidhet me pronat e pakicës greke në Shqipëri. Megjithatë, kjo çështje është ende në pritje.

Perspektiva e BE-së dhe qëndrimi i Greqisë për çeljen e negociatave. Shqipëria duket të jetë e destinuar të mos marrë një datë për të çelur negociatat e anëtarësimit me BE në Këshillin e ardhshëm të Evropës, në qershor. E ardhmja e saj evropiane po bëhet gjithnjë e më e turbullt që kur qeveria e Ramës është akuzuar për korrupsion. Athina zyrtare ka shqetësimin se kriza politike në Tiranë nuk do të ndihmojë në zgjidhjen përfundimtare të kësaj çështje, e cila për Greqinë shihet si një parakusht i madh për shpresat e Shqipërisë për në BE.

Në një intervistë televizive në fillim të kësaj jave, Ministri i Jashtëm Giorgos Katrougalos përdori shembullin e Marrëveshjes së Prespës për të dalluar dy vendet që synojnë BE dhe për të theksuar nevojën e rezolutave mbi çështjet në pritje. Ai tha se “me Marrëveshjen e Prespes ne kemi nxjerrë Maqedoninë e Veriut nga ekuacioni i paqëndrueshmërisë. Zhvillimet e fundit në Shqipëri tregojnë se sa e rëndësishme është kjo për stabilitetin në rajon dhe për interesat tona kombëtare”.

Ende nuk është e sigurt nëse qeveria aktuale greke do të kishte dhënë mbështetjen e saj të plotë ndaj Shqipërisë në Këshillin e ardhshëm të BE. Më 30 maj, Athina paralajmëroi gjithashtu Tiranën duke nënvizuar se “Greqia po punon drejt përmirësimit të marrëdhënieve dypalëshe me Shqipërinë dhe mbështet kursin e saj të pranimit në Bashkimin Evropian, në kushtet e vetëkuptueshme që vlen për të gjitha vendet për anëtarësim, që ajo të plotësojë të gjitha kushtet përkatëse. Siç bëhet e qartë edhe në raportin përkatës të Komisionit Evropian, respektimi i të drejtave të minoritetit etnik grek lidhet drejtpërdrejt me perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe përbën një pjesë integrale të 5 prioriteteve kyçe për fillimin e negociatave të pranimit me BE, përmbushjen e i cili do të shqyrtohet ekskluzivisht nga Këshilli Evropian”.

Kjo media shkruan se është e sigurtë që Këshilli i ardhshëm i Evropës nuk do të japë pëlqimin e tij, sidomos pas dështimit të bundestagut gjerman për të marrë ndonjë vendim për të mbështetur nëj datë për çeljen e negociatave me këto dy vende, si dhe duke pasur parasysh skepticizmin e disa vendeve anëtare të BE, vendimi ndoshta do të merret në vjeshtë.

Greqia do të shkojë në zgjedhje dhe me shumë gjasa vendimi për këto dy vende do të jepet në vjeshtë. Macropolis.gr shkruan se partia kryesore opozitare e Greqisë e ka të qartë qëndrimin për Shqipërisë. Disa muaj më parë minsitri i jashtëm në hije i Demokracisë së Re, Giorgos Koumoutsakos tha se partisë së tij nuk do i pëlqente që Shqipëria të ishte një hap më pranë anëtarësimit në BE. Duke folur për një radio në Greqi ai ka thënë se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria duhet të shqyrtohen veç e veç dhe jo si një “paketë”. Por edhe pse diplomatët grekë janë pro dhe kundër çeljes së negociatave ata besojnë se një zvarritje e procesit integrues të Shqipërisë nuk është në përfitim të Greqisë, pasi do të dëmtonte “stabilitetin e vendit fqinj dhe interesat kombëtare”.

Rajoni Ngërçi politik/ Media greke artikull Shqipërisë: Athina është e shqetësuar për hapjen e negociatave